Emigrantët do të mund të aplikojnë për pasaportë në Romë e Milano kundrejt një çmimi prej 85 eurosh, ndërsa për letërnjoftimin elektronik do të paguajnë 10 euro. E ka deklaruar zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni
Tiranë 14 shtator 2010 – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot Projektligjin “Për ratifikimin e Shtesës së Kontratës Koncensionare Për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, kontratë e lidhur mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Grupimit të Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Zv/Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e komisionit me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas të cilit parashikohet hapja e zyrave të pajisjes me dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike), pranë zyrave konsullore shqiptare në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano. Kostoja e pasaportës biometrike të kërkuar në një nga këto përfaqësi konsullore do të jetë 85 euro, ndërsa e letërnjoftimit 10 euro.
Në prezantimin e projektligjit, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni ka theksuar se për ta bërë këtë sistem sa më të sigurt, veç të tjerash, është dashur një investim shtesë prej 3.5 milion euro.
Sipas këtij projektligji, çmimi që emigrantët shqiptarë do të duhet të paguajnë për pajisjen me dokumentat e reja është 10 euro për letërnjoftimin elektronik dhe 85 euro për pasaportat biometrike.
Zv.ministri i Brendshëm u shpreh se “në kushtet e sotme të shërbimit, çmimi që duhet të paguanin qytetarët shqiptarë për pajisjen me pasaportat e vjetra për jashtë shtetit, ishte shumë më i lartë se çmimi i caktuar në projektligjin e sjellë sot në komisionin e Ligjeve. Interesi ynë është që qytetarët shqiptarë të paguajnë sa më pak të jetë e mundur për pajisjen me këto dokumenta”.
Ky projektligj, që fillimisht parashikon hapjen e zyrave të aplikimit në Itali dhe Greqi, le të hapur mundësinë që në vazhdim të këtij procesi dhe në varësi të funksionimit të tij, të shihet mundësia e hapjes së zyrave të aplikimit edhe në vend të tjera të botës, pa përjashtuar edhe ShBA.
Sipas Ponit, “çmimi që emigrantëve shqiptarë do t’u duhet të paguajnë nëse aplikojnë pranë zyrave të aplikimit në Athinë, Selanik, Romë e Milano është shumë më i ulët se sa do t’u kushtonte po të vinin e të aplikonin në Shqipëri”.
Në këto 4 zyra, mund të aplikojnë të gjithë shtetasit shqiptarë, pavarësisht vendeve ku punojnë e jetojnë, mjaft të figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.