Komisioni i Ligjeve i Kuvendit popullor miraton projektligjin për hapjen e zyrave për pajisjen me pasaporta biometrike dhe letërnjoftime elektronike në Greqi dhe në Itali (Romë dhe Milano) për emigrantët shqiptarë
Tiranë 14 shtator 2010 – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ka miratuar sot Projektligjin “Për ratifikimin e Shtesës së Kontratës Koncensionare Për Prodhimin dhe Shpërndarjen e Kartave të Identitetit dhe të Pasaportave Elektronike”, kontratë e lidhur mes Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë, Grupimit të Sagem Securite dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve. Zv/Ministri i Brendshëm njohu anëtarët e komisionit me përmbajtjen e këtij projektligji, sipas të cilit parashikohet hapja e zyrave të pajisjes me dokumente identiteti (letërnjoftim elektronik dhe pasaportë biometrike), pranë zyrave konsullore shqiptare në Athinë, Selanik, Romë dhe Milano.
Përsa i përket shërbimit të pajisjes me dokumente identiteti në Përfaqësitë Diplomatike Shqiptare parashikohet që të ketë 600 aplikime në ditë. Sipas tekstit të miratuar sot, punonjësit e autorizuar të ambasadës do të jenë ata që do të ndjekin proceset e aplikimit, certifikimit të të dhënave dhe shpërndarjes së dokumenteve. Ndërsa trajnimi, shërbimi dhe supervizioni do të ofrohen nga Aleat sh.p.k.
“Hapja e këtyre zyrave”, ka shpjeguar zv/Ministri i Brendshëm, “do t’u krijojë lehtësi për emigrantët shqiptarë që jetojnë në Itali dhe Greqi për t’u pajisur me këto dokumente identiteti”.
Po ashtu, shtesa në kontratën e miratuar synon rritjen e kapacitetit prodhues për pasaportat biometrike deri në 6 mijë pasaporta në ditë, pajisjen me dokumente identiteti për shtetasit shqiptarë që jetojnë në emigracion, refugjatët, si dhe parashikon procedurat e pajisjes së përshpejtuar me dokumente identiteti për rastet emergjente.
Opozita ka abstenuar votimin e projektligjit, ndonëse ka deklaruar që në fillim se është parimisht dakord me ligjin. Gjatë fjalës së tij, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se opozita e ka kërkuar prej kohësh një ligj të tillë. Por ai në emër të PS-së ka kërkuar sqarime lidhur me koston që do të pasojë këtë vendim. “Ne do të votojmë pasi të na jepni sqarime për koston”- ka thënë ai
Miratimi në Komision i këtij projektligji është vetëm një hap i parë, pasi deri në hapjen konkrete të zyrave të aplikimit në Milano e Romë (nuk jepet asnjë sqarim pse nuk parashikohet aplikimi edhe në konsullatën e Barit) do të kalojnë javë të tjera pasi ende nuk ka një rregullore të miratuar mbi procedurat konkrete që do të ndiqen, çmimin që do të kenë dokumentet dhe brenda sa kohe do të lëshohen nga çasti i kërkimit.
Lexo edhe: Pasaportat: 85 euro në Milano dhe në Romë