Nga marrja e takimit për aplikim deri te tërheqja e dokumenteve biometrike, ja si veprohet pranë Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano
Pasaporta biometrike, dokumenti shqiptar i vlefshëm për të udhëtuar jashtë shtetit, dhe letërnjoftimi elektronik, dokumenti i identifikimit, merren edhe në disa përfaqësi konsullore shqiptare, përfshirë ato në Romë e Milano, pa qenë e nevojshme që i interesuari të shkojë në Shqipëri. Një shërbim i nevojshëm për mëse gjysmë milion shqiptarët që jetojnë këtu, por që paguajnë shtrenjtë. Nëse në vendlindje pasaporta kushton 7500 lekë, në konsullata kushton tashmë 130 euro. Ndërsa për letërnjoftimin elektronik çmimi është pak a shumë i njëjtë: në konsullatë paguhet 12 euro ndërsa në Shqipëri 1500 lekë.
Pasaporta lëshohet vetëm nëse qytetari është i regjistruar në Zyrën e Gjendjes Civile në Shqipëri.
Aplikimi për pasaportat në Milano
Aplikohet për pasaportë edhe pranë Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Milano, e cila nga korriku 2014 kjo ndodhet në rrugën G.B. Pirelli 30 (pranë stacionit qendror hekurudhor). Nga 15 janari 2016 për të aplikuar për pasaportë duhet marrë më parë takim përmes adresës elektronike të postës së konsullatës: consulate.milan[at]mfa.gov.al.
Kush aplikon
Çdo shtetas mbi moshën 16 vjeç duhet të paraqitet personalisht në Konsullatë për të aplikuar për pasaportë biometrike dhe letërnjoftim elektronik. Kush është pajisur më parë me këtë të fundit, duhet ta marrë atë me vete kur të shkojë për të aplikuar për pasaportën.
Çdo shtetas nën moshën 16 vjeç mund të aplikojë vetëm për pasaportë biometrike. E bën në prani të të paktën njërit prind që shoqëron fëmijën, me të dyja pasaportat e prindërve dhe me një dokument që dëshmon lidhjen familjare me fëmijën. Certifikatat mund të jenë italiane ose shqiptare.
Pasaporta biometrike ka kohëzgjatje dhjetëvjeçare për ata që kanë mbushur moshën 16 vjeç dhe vetëm pesë vjet për të miturit nën 16 vjeç.
Ç’dokumente duhen paraqitur
Për të aplikuar për dokumentet biometrike, i interesuari duhet të paraqitet personalisht para personelit të Ambasadës me një dokument identifikimi të vlefshëm shqiptar nga të mëposhtmit:
- Pasaportë jobiometrike
- Leje për drejtim automjeti (formati card)
- Letërnjoftim elektronik (nëse e ka)
- Dokument tjetër të vlefshëm me fotografi
- Për fëmijët nën 16 vjeç, përveç dokumentit me foto (pasaportë e vjetër, certifikatë me fotografi ose leje qendrimi) duhet te paraqitet edhe certifikatë lindjeje me atësi dhe mëmësi dhe një certifikatë familjare që mund të jenë italiane (me vulë Apostille të marrë në prefekturën e provincës ku është lëshuar) ose shqiptare.
Veç dokumentit të identifikimit, i interesuari duhet të ketë me vete edhe mandat-pagesën që dëshmon derdhjen e shumës së parave në llogarinë bankare të Konsullatës me koordinata:
- IBAN: IT 11 X 02008 01775 000102592229
Tërheqja e dokumenteve biometrike
Dokumentet biometrike mund të tërhiqen pas tre javësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Më parë, është mirë të konsultohet faqja zyrtare online e Konsullatës së Përgjithshme të Milanos, në të cilin periodikisht jepen informacione mbi dokumentet e prodhuara sipas datave të aplikimit.
Për shtetasit mbi 16 vjeç, pasaporta biometrike tërhiqet personalisht ose nga një i deleguar me një prokurë të legalizuar nga prefektura përkatëse.
Për tërheqjen e letërnjoftimit është e domosdoshme prania e personit në konsullatë për verifikimin e tij biometrik, së bashku me faturën e aplikimit dhe me një dokument identifikimi të vlefshëm.
Për shtetasit nën 16 vjeç duhet prania e njërit nga prindërit me një dokument që tregon lidhjen familjare me fëmijën, me kuponin e aplikimit dhe me një dokument identifikimi të vlefshëm.
Lexo edhe: Certifikatat e Gjendjes Civile në Konsullata, ja si merren
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)