in

Pavarësia me sytë e përtej detit

Ky 100-vjetor i pavarësisë kremtuar në Itali më dhuroi bindjen e rëndësishme se kemi hyrë në një kohë të re. Në një kohë ku njollat që i kishim veshur vetes po i pastrojmë me durim dhe pa drojë. Pas 20 vitesh si mërgimtarë, shqiptarët e treguan veten si një popull që ndërton e dëshiron të jetojë si qytetar i botës, larg të keqes dhe pranë virtytit, pranë të drejtës, të bukurës dhe të mirës

Nga Eni VASILI

Studimet ende të papërfunduara në Milano më shtrënguan t’i jetoj jashtë Shqipërisë ditët e kremtimit të një feste që kish filluar gati një vit më parë. Një vit në të cilin thuajse kam munguar plotësisht nga Shqipëria ime dhe vitin jubilar e kam thëthirë me pikatore në fundjavat e udhëtimeve dhe nëpërmjet lidhjes virtuale që ofron teknologjia.

Në këtë vit në Milano kam takuar shumë shqiptarë të përtej detit, por jo të përtej atdheut. Kam takuar shqiptarë të çdo lloji,  të Veriut e të Jugut, shqiptarë të ballakumes dhe të vreshtarisë, studentë, artistë, të mirëpunësuar, të vetëpunësuar, por edhe të papunë. Shqiptarë të ardhur në Perëndim para ‘90-s, pas ‘90-s, ata të ‘97-s, e të tjerë të mbërritur vitet e fundit.

Shqiptarë që ia kanë dalë, por edhe prej atyre që përpiqen çdo ditë në konkurrencë me botën e veten për të arritur përkryerjen. Kam takuar edhe nga ata që nuk do të doja t’i kisha takuar, që nuk i dhanë dot vetes asnjë vlerë, që nuk përcollën asgjë të mirë, nga ata që të lënë shijen e kotësisë dhe kohës së humbur, e që të turpërojnë ndjenjën e përkatësisë, por sigurisht, për ta nuk vlen të shkruhet më shumë se ky paragraf.

Sot dua të flas për ata shqiptarë shpirtlodhur nga vitet e mërgimit, që të veshur me modestinë dhe përuljen që ta jep vetëm mençuria, i pashë të këndonin Himnin Kombëtar e të kërcenin lumturisht nën tinguj këngësh popullore të çdo treve, që më dhuruan copëza Shqipërie që as vetë nuk e dija të më mungonin.

Për ata shqiptarë që me pasion dhe dashuri iu përkushtuan realizimit të këtyre festave si të ishin dasmat e shumëpritura të fëmijëve, në të cilat harroje që ishe diku larg në Perëndimin e ftohtë e jo shumë familjar, në sheshet e Milanos së pasur dhe mondane, në qytetin më fashion të Europës.

Dua t’i falënderoj ata shqiptarë që nevoja fisnike për identitet i bën të harrojnë sa shumë duhet të luftojnë me paragjykimin për stereotipin të krijuar nga një politikë që nuk i ndihmoi kurrë, nga qeveri që sa herë ndryshuan nuk i kthyen kurrë sytë të kuptonin se çdo imazh negativ që emetonin përtej detit kthehej në mure  të pakapërcyeshëm dhe dyer të mbyllura për mijëra  bashkëkombës që kishin vetëm vetveten në ndihmë.

Do të doja të kisha aq rreshta në dispozicion për të përmendur historitë që më kanë frymëzuar, ato që më kanë emocionuar e, mbi të gjitha, ato që më kanë sfiduar. Sepse të jetosh larg vendit tënd është një sfidë. Një sfidë e shpirtit dhe e mendjes. Një sfidë e gjakut, një sfidë që fitohet vetëm nga sakrifica.

Bartësit e këtyre historive i gjeta këto ditë të veshur kuq e zi kudo në rrugët e Milanos, në metro, në lagjen e modës, buzë Navigli e më tej. Ato fanella të thjeshta që nuk di nga vinin i mbanin me një gëzim të heshtur dhe krenarinë e atij që dinjitetin nuk ia ka borxh askujt. E nuk pati nevojë për torta shteti e festa të munguara ambasadash apo konsullatash, pasi ata ishin të gjithë aty, në festat që vetë organizuan dhe vetë i gëzuan.

I gjeta në Assago, kur skulptura e një artisti shqiptar, e titulluar “Dashuri dhe paqe”, u vu mes 116 pemëve të qershive, një për çdo fëmijë që lind në atë komunë, mes shqiptarëve të shoqatës “Teuta”, në mbrëmjen e organizuar nga Astrit Çela dhe shoqata e tij “Albania futura” (Shqipëria e së ardhmes), ku ishin mbledhur përfaqësues të shoqatave shqiptare në të gjithë Italinë, sipërmarrës shqiptarë e italianë, por edhe me një prezencë të rëndësishme të autoriteteve të Milanos zyrtare.

I gjeta në Torino, në premierën e dokumentarit “Anija” të Roland Sejkos dhe në shfaqjen disajavore në kinematë e Milanos të filmit “La nave dolce” me protagonist Kledi Kadiun, apo në ekspozitën e fondacionit “Kodra”, “Io cerco l’orizonte lontano” (Unë e kërkoj horizontin larg), ku nën kujdesin e një artisti kontrovers si Fani Zguro publiku italian ka mundësinë të njohë kreativitetin shqiptar që nga Ibrahim Kodra tek Anri Sala, Adrian Paci e të tjerë.

Dukej se shumëçka e gjithkund këto javë kishte tis Shqipërie. Më pëlqente të paktën ta mendoja kështu.

Ky 100-vjetor i pavarësisë kremtuar larg atdheut më dhuroi bindjen e rëndësishme se kemi hyrë në një kohë të re. Në një kohë ku njollat që i kishim veshur vetes po i pastrojmë me durim dhe pa drojë. Pas 20 vitesh si mërgimtarë, shqiptarët e treguan veten si një popull që ndërton e dëshiron të jetojë si qytetar i botës, larg së keqes dhe pranë virtytit, pranë së drejtës, së bukurës dhe së mirës. Në një kohë kur do të tregojmë  se kush jemi e nga vijmë pa friken se dikush do të na gjykojë vetëm pse historia na la larg zhvillimit, tashmë historinë shqiptarët dinë e duan ta shkruajnë vetë. Dhe tashmë janë pranuar si të tillë.

P.S. Kur e rilexova këtë tekst vërejta se fjala e përdorur më shumë në këtë shkrim është “shqiptarët”. E kam përdorur dy herë në të njëjtën fjali, bile edhe  disa herë në një paragraf. Është i vetmi rast që këtë fjalë nuk dua ta zëvendësoj dhe që kakofonia nuk ma vret veshin.

Gazeta Panorama

Transparancy International: ‘Rritet korrupsioni në Itali’

Lettera a Babbo Natale da un albanese d’Italia