Teksti i plotë i rezolutës
RELACION SHPJEGUES I REZOLUTËS PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME
100 vjetori i shtetit shqiptar, shfaqi një vetëdije të re kombëtare të qytetarëve për fatet e kombit. Interpretë të kësaj vetëdije, ne parlamentarët duhet që në lartësinë e misionit historik që kemi, të ofrojmë një zgjidhje për çështjen çame, çështja më e rëndësishme e pazgjidhur në plotësinë e çështjes shqiptare në Ballkan.
PËRKUFIZIMI I PROBLEMIT
Çështja çame është përbërë nga problematika e krijuar prej :
a) largimit me forcë të mijëra shqiptarëve myslimanë të krahinës së Çamërisë nga trojet e tyre etnike pas Luftës së parë botërore, dhe
b) largimit përfundimtar të pjesës së mbetur në fund të Luftës së dytë botërore, nëpërmjet vrasjeve masive, dhunimeve, shkatërrimeve të pronës, objekteve të kultit, etj. Të gjithë këto akte kryer mbi popullsinë çame, programuar sipas doktrinave nacionaliste i plotësojnë kushtet për t’u konsideruar si genocid, ashtu si me të drejtë e ka cilësuar Parlamenti shqiptar në 30 qershor 1994 në ligjin 7839, “për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Camërisë”, shpallur me dekretin 885, në datën 12.7.1994. Viktima të këtij genocidi janë mijëra të vrarë, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ashtu dhe të afërmit e tyre të zhvendosur kryesisht në Shqipëri. Sot komuniteti çam në Shqipëri arrin në një numër prej afro 300.000 mijë vetësh. Në Çamëri sipas vlerësimeve të një figure të shquar të këtij komuniteti si Niko Stillo, sot jetojnë midis 70 dhe 100.000 çamëve ortodoksë, pjesë e një komuniteti që s’ka asnjë të drejtë ta shpërfaqë identitetin e vet etnik, pasi i është nënshtruar një procesi të gjatë asimilimi. Në favor të ekzistencës së tij ka folur dhe ambasadori amerikan në OSBE Clifford Bond në tetor 2006 .
Pasuritë e grabitura nëpërmjet ligjesh të ndryshëm grekë, miratuar pas largimit të tyre, duke filluar me Ligjin e luftës 2636/1940 e që veproi mbi pronat e grupit të parë të para fillimit të konfliktit të madh botëror në 1939, dhe ato të pas Luftës së dytë botërore kapin një vlerë prej mbi 10 miliard eurosh, vlerësuar sipas një studioje britanike. Të gjithë pasuritë dhe pronat shqiptare në Greqi vlerësohen në rreth 20 miliard euro. Genocidi mbi çamët, u shfaq fillimisht dhe u përmbyll si luftë klasore, etnike, dhe fetare ndaj tyre.
Në këto kushte, shteti shqiptar që mbushi 100 vjet, nuk mund të mos bëjë një akt për zgjidhjen e këtij problemi. Rezoluta do duhet të përfaqësojë vijën e sjelljes së çdo qeverie shqiptare tash e tutje ndaj kësaj çështjeje.
SHPJEGIME PËR TEKSTIN E REZOLUTËS
Propozuesit e rezolutës, zotërinjtë deputetë të PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri janë të vetëdijshëm për marrëdhëniet në përgjithësi të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona, anëtare të NATO-s. Ata e njohin rëndësinë e këtyre marrëdhënieve, qoftë për trajtimin e qindra mijë emigrantëve që punojnë me djersën e tyre në vendin fqinj, qoftë dhe në kuadër të kushtëzimeve për integrimin europian dhe rolin që ka Greqia në këtë kuadër. Në rezolutë nuk ka pretendime territoriale, përkundrazi. Rezoluta propozon zgjidhje që janë brenda kuadrit ligjor ndërkombëtar, atij dypalësh- më konkretisht Traktatit të Miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, legjislacionit grek, për çështje të tilla si fajësia individuale dhe jo kolektive e çamëve, e drejta e lëvizjes së lirë, të pronës, të shtetësisë, etj. Rezoluta në thelb kërkon të bëjë aktiv Traktatin e miqësisë dhe jo ta lerë atë si një letër e vdekur siç është sot, sa i takon të drejtave të shqiptarëve çamë dhe më gjerë.
Teza dominante greke është se çamët kanë bashkëpunuar me fashizmin italian dhe gjerman dhe janë larguar nga frika e ndëshkimeve si bashkëpunëtorë të tyre. Brenda këtij vizioni, qëndrimi grek është se Shqipëria, shteti shqiptar (?!) e ka sulmuar Greqinë së bashku me Italinë në tetor 1940, ndaj dhe çamët u rreshtuan në krah të pushtuesve. Rezoluta është mbështetur mbi premisën që populli shqiptar nuk e ka sulmuar kurrë ushtarakisht popullin grek, sepse shteti shqiptar e kishte humbur sovranitetin me pushtimin italian në 7 prill 1939. Në këto kushte, as mbajtja në këmbë e Ligjit grek të luftës megjithë pasojat e tij ende në fuqi për pronat, nuk ka logjikë juridike. Nuk është as legal, as njerëzor, por tërësisht fyes, irealist, dhe cinik konsiderimi kolektiv i shqiptarëve të Camërisë si kriminelë lufte. Ja disa argumenta të thjeshtë që i rrëzojnë këto pretendime.
Së pari, gjyqet e kryera mbi individë të ndryshëm çamë të akuzuar për krime lufte, (rreth 2000 individë) dënuar në mungesë me pushkatim dhe me konfiskim pasurie, janë gjyqe të pavlefshëm sipas legjislacionit penal grek, siç e tregojnë shkresa të ndryshme të administratës gjyqësore greke të Janinës në vitet 70 . Madje është e çuditshme sesi administrata shtetërore greke, po sipas të njëjtës shkresë ka kërkuar zhdukjen e materialeve të këtyre gjyqeve, pikërisht në periudhën kur ne vendosëm marrëdhënie diplomatike me Greqinë dhe ka një vendim të Këshillit grek të Shtetit, Gjykata e Lartë administrative sipas të cilit ka pushuar gjendja e luftës me Shqipërinë me vendosjen e këtyre marrëdhënieve.
Së dyti, edhe sikur të konsiderohen të rregullt këto gjyqe, prej Greqisë janë dëbuar mbi 20 mijë vetë sipas historianëve grekë, dhe rreth 30 mijë sipas historianëve shqiptarë. A mund të konsiderohen si bashkëpunëtorë të fashizmit, gratë, fëmijët dhe pleqtë ? A ka kuptim në Evropën e qytetëruar koncepti i fajësisë kolektive ? Një numër i madh afro 1000 vetë të popullsisë çame, u rreshtua në Lëvizjen partizane greke ELAS siç provohet nga dokumentet e kohës. Pra shqiptarët nuk ishin popullsi bashkëpunëtore, as dhe në masën që ishte popullsia greke (sipas historianëve grekë rreth 30 mijë vetë ishin bashkëpunëtorë të fashizmit në në popullsi prej pak milionësh), me përjashtim të një grupi individësh. Nuk duhet harruar këtu që shumë kohë para se të flitej për raste bashkëpunimi me pushtuesit, Greqia internoi në ishujt grekë mijëra meshkuj të këtij komuniteti.
KUADRI LIGJOR REFERUES, TRAKTATI I MIQËSISË DHE KONVENTA EVROPIANE.
Ka dy momente thelbësore në këtë tekst rezolute. I pari është Traktati i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, hyrë në fuqi në me ligjin grek 2568 miratuar në 4 shkurt 1998, në të cilën palët që në fillim e njohin dhe respektojnë integritetin territorial të njeri tjetrit. Autorët e Rezolutës duke u mbështetur në nenin 15 të këtij Traktati, i cili thotë se “çdo vend nënshkrues do të përballojë mundësinë për heqjen, brenda kuadrit ligjor, të pengesave që vështirësojnë gëzimin e pasurive që kanë nënshtetasit e njërit vend në shtetin e tjetrit» kërkojnë që të hiqen këto pengesa.
Momenti tjetër është Konventa Europiane e Lirive dhe të drejtave të njeriut, Protokolli i parë shtesë i tij, neni 1 që ndalon çdo pengesë për gëzimin e të drejtës së pronësisë.
Pra ne kërkojmë që çdo pengesë administrative, ligjore, politike ndaj popullsisë shqiptare çame, të hiqet dhe të zbatohet vullneti i palëve parashikuar në nenin 15 të Traktatit të miqësisë dhe në përgjithësi në gjithë Traktatin, dhe Konventës Europiane. Traktati i miqësisë (dhe vetë Konventa Europiane) janë akte superiore në raport me çdo akt tjetër juridik që bie në kundërshtim me to, të cilët duhet të shfuqizohen shprehimisht, apo të mos përdoren si pretekste për të bllokuar gëzimin e të drejtave pasurore dhe të tjera nga ana e shqiptarëve në Greqi. Neni 15 i këtij Traktati nuk mund të zbatohet me ankimime të qytetarëve shqiptarë dikur shtetas grekë në gjykatat greke siç justifikohen autoritetet greke. Duhen akte të tjera ligjore që të jetësojnë Traktatin, akte që të ofrojnë zgjidhje kolektive ligjore për të gjithë komunitetin çam dhe atë shqiptar në përgjithësi, dikur shtetas grekë, dhe jo inisiativa individuale gjyqësore, kur për më shumë qytetarët me origjinë çame bllokohen në kufi.
Duhen akte simbolike që heqin barrën e rëndë të diskriminimit mbi popullsinë çame, siç është korrigjimi i teksteve të historisë që mësohet në shkollat greke, një kërkesë analoge me atë që grekët e kanë bërë për tekstet tona.
Duhen akte nderimi për viktimat e pafajshme në territorin grek, gra, pleq, fëmijë, të ngjashme me ato që ne i kemi toleruar për ushtarët grekë të rënë gjatë Luftës së dytë botërore, në territorin tonë, si përshembull dy lapidarë, dhe mundësi për përkujdesje për varrezat e shqiptarëve çamë në Greqi.
Dhe më në fund, nëse pala greke refuzon të konsiderojë këto kërkesa në dritën e drejtësisë europiane, ne duhet t’i rezervojmë vetes që të angazhojmë instancat e kësaj drejtësie ndërkombëtare.
PENGESAT NË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME SIPAS TRAKTATIT TË MIQËSISË DHE KONVENTËS EUROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Cilët janë pengesat kryesore sipas këtyre dy akteve ligjore referuese?
E drejta e pronës, që përcakton të gjithë të drejtat e tjera, siç është e drejta e kthimit në vendlindje, rimarrja e shtetësisë, etj, është cënuar me Ligjin e luftës 2636/1940, 2637/1940 dhe disa ligje greke të miratuara pas dëbimit të shqiptarëve çamë, me forcë dhe me akte masive vrasjesh dhe dhunimesh.
Së pari, Ligjet greke të luftës 2636 dhe 2637/1940. Këto ligje kishin si pasojë kryesore, ende aktive, vënien në sekuestro konservative të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi. Ligjet në fjalë vepruan mbi pronat e çamëve dhe shqiptarëve joçamë të larguar para Luftës së Dytë botërore, dhe pas marrjes së detyruar të shtetësisë shqiptare prej çamëve në 1953, filloi të veprojë dhe mbi pronat e të tjerëve, që u larguan pas 1944-ës.
Së dyti një sërë ligjesh të tjera greke të miratuara nga vitet 50 deri në 80. Si pasojë e Luftës civile greke dhe një plani genocidal për të krijuar një Greqi homogjene etnikisht dhe fetarisht, së bashku me çamët janë dëbuar dhe larguar nga vendi në atë periudhë, dhe shtetas të tjerë grekë, me kombësi greke ose me kombësi të tjera. Në vitin 1971 dhe në 1985, administratat greke të kohës miratuan respektivisht ligjet 1108 dhe 1540 të cilat parashikonin mundësinë e rikthimit të të larguarve, por me kusht që të kishin kombësinë greke. Të dy këto ligje bien në kundërshtim me Deklaratën Universale të Lirive dhe të Drejtave të njeriut, neni 2, me Konventën europiane të lirive dhe të drejtave të njeriut, sepse “diskriminojnë mbi bazë kombësie dhe feje në gëzimin e të drejtave themelore”.
PROPOZIMET E REZOLUTËS
Rezoluta kërkon që në përputhje me neni 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të të drejtës së pronës dhe të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë, dikur shtetas grekë. Për këtë duhet bërë abrogimi shprehimisht i Ligjit të Luftës dhe jo Gjendjes së Luftës e cila nuk ekziston normalisht që me vendosjen e Marrëdhënieve diplomatike në 1971, e sanksionuar dhe më vonë me vendimin e Qeverisë Papandreu në 1987. Rezoluta i kërkon qeverisë që nëpërmjet kontakteve diplomatike ta parashtrojë këtë kërkesë duke aktivizuar dhe instrumentet që dikur funksiononin, siç kanë qenë Komisionet dypalëshe. Këto janë instrumente që kanë funksionuar më herët dhe që sot nuk funksionojnë më. Këto Komisione duhet të identifikojnë ato akte ligjore, apo administrative që bien në kundërshtim me Traktatin e miqësisë dhe Konventën Europiane.
NË VEND TË PËRFUNDIMIT
Rreth 20 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte këtë reputacion ndërkombëtar, këtë shkallë integrimi ndërkombëtar, dhe kishte prioritete të tjera si mundja e urisë, ndërtimi i shtetit demokratik, integrimi ndërkombëtar, diplomacia jonë e ngrinte rregullisht çështjen çame për zgjidhje. Bashkëbiseduesit e vet grekë, përfshi dhe Presidentin aktual, zotin Karolos Papulias, pranonin nevojën e zgjidhjes së problemit të pronës të paktën. Presidenti Karolos Papulias, asokohe ministër i jashtëm i tha homologut të vet Serreqi : « Katastrofa më e madhe për Greqinë ka qënë Lufta Civile, e cila ka bërë plagë që janë ende të freskëta. Shkencërisht keni të drejtë, por ato nuk çrrënjosen lehtë. Pra tema e çamëve është shumë e hidhur. Duhet të kalojnë disa breza që ato të harrohen. Pas 20-30 vjetëve këto mund të harrohen».
Kanë kaluar 20 vjet, Shqipëria e sotme është anëtare e NATO-s dhe nuk ka prioritete ekzistenciale për t’u përballur si ato të fillimit të tranzicionit. Është koha për drejtësi evropiane, dhe që marrëdhëniet tona me fqinjët të vendosen në baza barazie të vërtetë.
REZOLUTË MBI ZGJIDHJEN E ÇESHTJES ÇAME
Prezantuar nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, më 10 dhjetor 2012
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,
I orientuar përherë nga qëllimet e larta të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon;
Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike;
Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ)
Nisur nga fakti se populli shqiptar, dhe asnjë shtet sovran shqiptar nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore;
I bindur se edhe Populli Grek, Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Greqisë vlerësojnë lart marrdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve tona, dhe nevojën për përmirësim të pandërprerë të tyre,që nënkuptondhe zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara e afërt;
I bindur se me vullnet të mirë të të dy palëve, ekzistojnëhapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentat e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen eçështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë;
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mosndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to;
Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut ;
Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994.
Nën frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke (këtu e më poshtë Traktati i Miqësisë);
Duke vlerësuar sefryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë, midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lartcituara, imponojnë heqjen e pengesavepër restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adeguat për gjithë komunitetin e cënuar dhe jo nëpërmjet rrugëveindividuale gjyqësore,
1. Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.
2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.
3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,
4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;
5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;
6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;
7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnëgratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.
8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek;
9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;
10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;
11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;
12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.
13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.