in

Për Sali Berishën, sot

Berisha do të kujtohet si njeriu simbol i përmbysjes së komunizmit; Presidenti i parë i Shqipërisë demokratike dhe lideri i parë postkomunist i Shqipërisë; ai do të kujtohet për hapjen e vendit drejt Perëndimit dhe kursin e tij të palëkundur proeuropian; do të kujtohet për reformat liberale të fillim viteve ’90; për transformimin e vendit; për qeverisjen energjike 2005–2009; për anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave, mbështetjen ndaj Kosovës; infrastrukturën rrugore, sidomos Rrugën e Kombit; zgjidhjen e problemit energjetik të vendit dhe së fundi, për atë që s’e gëzoi dot, lajmin e përzgjedhjes së TAP si një projekt fitues. Do të kujtohet si një njeri i ashpër në krye të partisë; autoritarist; herë-herë hakmarrës dhe që s’lejoi një dialog të shëndetshëm brenda saj; si një njeriu ku shpesh paranojat zëvendësonin vizionin politik, por edhe për intolerancën që rrëfeu në ditët e para të vitit 1997, që prodhuan kaosin në të cilin u zhyt vendi dhe që e vuan ende. Do kujtohet që iku nga politika pa iu përgjigjur disa pyetjeve mbi qeverisjen e tij të fundit dhe përgjegjësinë e saj.
Nga Blendi FEVZIU

Iku ashtu siç erdhi! Me një  fjalim emocional, pasionant dhe energjik! Me vendime personale, të forta, të shqiptuara pa asnjë ekuivok, i bindur se askush më mirë se sa vetja nuk mund t’ia impononte atë vendim! U përcoll ashtu siç pritej! Me qindra fansa të përlotur jashtë selisë së PD, që nuk e besonin dot atë që po thoshte lideri i tyre historik; me gjithë ekipin dhe stafin e PD, që dëgjonin një vendim që s’e kish ditur më parë askush; me përgjegjësinë e humbjes që e mori mbi vete, sikur ta dinte që deri një orë më parë ministrat e tij jargaviteshin ta spostonin përgjegjësinë e humbjes nga vetja tek ai; me militantët që e ndoqën mbrapa në apartamentin privat dhe thirrën deri vonë nën dritare emrin e tij; por edhe me kundërshtarët që u mblodhën të festojnë në sheshin “Nënë Tereza” e më pas mbushën me bori e potere rrugët e Tiranës për të manifestuar triumfin ndaj një kundërshtari që gati-gati s’besonin më se do të mundej një ditë.

S’kish si të ndodhte ndryshe. Sali Berisha nuk ishte thjesht politikani më jetëgjatë postkomunist i Shqipërisë, as njeriu politik më i fuqishëm në vend. Ai ishte një njeri që e ushtroi pushtetin me të mirat dhe të këqijat e tij; ishte një njeri që kishte një synim dhe shkoi drejt tij duke ndërruar mjete dhe rrugë; legale dhe të dyshimta, duke ngecur në vend, duke u çapitur nga pak apo duke ecur me hap galopant. Ishte një njeri që u adhurua dhe u urrye; u rrëzua dhe u ringrit, por që në finish mbërriti atje ku s’kish arritur asnjë nga gjenerata e tij politike. Dhe qëndroi në politikë më shumë se sa gjithë homologët e tij në Europën Lindore, por edhe më gjerë.

Siç ndodh me liderë të këtyre përmasave, por veçanërisht me të, shoqëria u polarizua. Berisha ishte mjeshtër i polarizimit. Ai ishte një talent i spikatur politik, një talent që prodhon sa triumf, aq edhe kufoma politike. Shtrati prej nga ai u ngrit për të ikur është ende i nxehtë; pasionet nuk janë ftohur dhe gjurmët e asaj që ai ka lënë pas, për të mirë apo të keq, janë aty. Ato nuk të lejojnë sot të shohësh përtej tyre; nuk të lejojnë të jesh objektiv. Nuk ka asnjë dyshim që përtej adhurimit që atij s’do t’i mungojë kurrë dhe përtej mërisë që po ashtu do ta ketë me shumicë, historia do të jetë objektive me të. Ajo do ta njohë jo vetëm si njeriun që shënjoi për të mirë dhe të keq historinë 23-vjeçare të Shqipërisë pluraliste; jo vetëm si politikanin që drejtoi shtetin si President dhe Kryeministër; jo vetëm si liderin më jetëgjatë të një partie politike pas Hoxhës, por edhe për disa rekorde që s’mund të mbeten pas.

Berisha do të kujtohet si njeriu simbol i përmbysjes së komunizmit; Presidenti i parë i Shqipërisë demokratike dhe lideri i parë postkomunist i Shqipërisë; ai do të kujtohet për hapjen e vendit drejt Perëndimit dhe kursin e tij të palëkundur proeuropian; do të kujtohet për reformat liberale të fillim viteve ’90; për transformimin e vendit; për qeverisjen energjike 2005–2009; për anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave, mbështetjen ndaj Kosovës; infrastrukturën rrugore, sidomos Rrugën e Kombit; zgjidhjen e problemit energjetik të vendit dhe së fundi, për atë që s’e gëzoi dot, lajmin e përzgjedhjes së TAP si një projekt fitues.

Do të kujtohet si një njeri i ashpër në krye të partisë; autoritarist; herë-herë hakmarrës dhe që s’lejoi një dialog të shëndetshëm brenda saj; si një njeriu ku shpesh paranojat zëvendësonin vizionin politik, por edhe për intolerancën që rrëfeu në ditët e para të vitit 1997, që prodhuan kaosin në të cilin u zhyt vendi dhe që e vuan ende. Do kujtohet që iku nga politika pa iu përgjigjur disa pyetjeve mbi qeverisjen e tij të fundit dhe përgjegjësinë e saj.

Berisha i di me siguri të gjitha këto. Ai e di që momenti më i lavdishëm i karrierës së tij, për ironi, do të mbetet ai i pari, hyrja në politikë dhe rrëzimi i regjimit komunist! Ndaj vitet e fundit u përpoq të korrigjonte shumë prej veseve të tij të qortueshme politike. Riktheu në parti gjithë ata që kish larguar ose i ishin larguar; amnistoi ikjen e turpshme të 1997-s me votimin entuziast të 2005-s; thirri në ekip figura të reja, një prej të cilave me siguri do të jetë pasardhësi i tij; u përpoq të linte gjurmë në të gjitha momentet ku historia do të ndalë më gjatë; mbi të gjitha, refuzoi rifuxhon e Presidentit në 2012-n, duke preferuar që përpara një daljeje të butë dhe pa lavdi nga politika, të mundej në betejë dhe të dilte prej saj me po aq emocion sa hyri.

Mbrëmja e 26 qershorit nuk ishte thjesht largimi i liderit të Partisë Demokratike; as ai i një Kryeministri që qëndronte në krye të qeverisë prej 8 vitesh, duke qenë i treti më jetëgjatë në historinë e shtetit shqiptar. Ishte mbyllja e një cikli politik; mbyllja e një stili politik; fundi i një periudhe që sido që ta gjykojmë, me entuziazëm apo skepticizëm, ishte një periudhë në të cilën ne jetuam dhe na shënjoi thellë. Një periudhë që e shënjoi Sali Berisha, por që e bëmë dhe e pësuam apo shfrytëzuam të gjithë ne. Ata që e deshën dhe ata që e urryen. Do kemi nostalgji për atë kohë, apo do ta harrojmë, kjo s’ka rëndësi. Ajo është aty, e papërsëritshme. Kushdo që të vijë në krye të PD apo të qeverisë, nuk mund të jetë si ai. Mund të jetë më i mirë apo më i keq, por s’mund të jetë si ai. Sepse në shumë gjëra ai ishte unik dhe pasionant, po aq pasionant sa çishte në ardhje dhe në ikje, apo siç qe gjatë gjithë jetës së tij politike…

Berisha iku dhe për të do të flitet ende. Unë besoj se sot, më shumë se sa anët negative dhe problemet, duhet evidentuar fakti që ai kontribuoi për këtë vend, kontribuoi ashtu si ai mendonte se mund ta bënte më mirë. Dhe për këtë duhet t’i themi faleminderit. Ai iku. Ballafaqimin tjetër nuk e ka më me ne, por me historinë!

Gazeta Panorama

The Economist: Radha e Edit

Casa. Una guida all’affitto e all’acquisto in sei lingue