Ku qëndron ndryshimi midis fjalëve “perëndi” dhe “zot”? A mund të alternohen këto përdorime në shqipen e sotme? Ndërsa fillojmë të mendojmë e të pyesim, na del një pyetje tjetër: çfarë gjinie ka “Perëndia” në gjuhën tonë? A mund të jetë “Perëndia” e gjinisë femërore?
Nga Atë Foti Cici
Ku qëndron ndryshimi midis fjalëve “perëndi” dhe “zot”? A mund të alternohen këto përdorime në shqipen e sotme? Ndërsa fillojmë të mendojmë e të pyesim, na del një pyetje tjetër: çfarë gjinie ka “Perëndia” në gjuhën tonë? A mund të jetë “Perëndia” e gjinisë femërore?
At Foti Cici
E njëjta luhatje në përdorimin e gjinisë së Perëndisë, në krahasim me dramën Israilitë dhe Filistinë, regjistrohet dhe në përkthimet e para liturgjike të Nolit, 1908-1914, ku përkthyesi në parim përdor gjininë femërore të Perëndisë, por herë pas here kapet “i harruar”, njësoj siç pamë tek drama në fjalë. Dy shembujt e mëposhtëm qëmtohen nga libri i parë dhe ai i fundit i kësaj periudhe përkthimore, me një hapësirë pesëvjeçare nga njëri-tjetri: “… Perëndia jonë njerzidashëse, që i akseptoj n’Alltar të tij të shëntë…” (Librë e Shërbesave, 1909, f.99), dhe “Të falurit t’im Pérëndisë do t’ia dérth, dhé atî do t’i trégoj hidhërimét é mia” (Lutjesore, 1914, f. 85).
Pra, ndërsa përkthyesi përdor planifikueshëm gjininë femërore të Perëndisë, trajtën kulturore jonë, ka raste, përmes një korpusi të dendur tekstesh të atyre viteve, kur “hija” e Kristoforidhit, ose hijet e përbashkëta, nuk e trashëgojnë përkthyesin të njëtrajtshëm, prandaj dhe Perëndia jonë bëhet herë ajo e herë ai, apo atij, e tij…
Ndryshe është në periudhën e dytë të përkthimeve kishtare, 1941-1952, ku Noli e “mashkullarizoi” Perëndinë kryefund. Një nga arsyet e ideologjisë së Nolit mbi gjininë e Perëndisë, ishte shmangia nga çështje që kërkonin debate teologjike. Në këtë rast gjinia nuk shpjegohej ndryshe nga Kristoforidhi në të kaluarën, apo nga ortodoksia zyrtare në Shqipëri, në të tashmen e tij, përveçse me motive teologjike, mbi simbolikën mashkullore të Zotit të krishterë, si model i gatshëm në marrëveshjet përkthimore (Le të merreshin teologët me asi punësh).
Nga pikëpamja tekstuale, një nga ndryshimet gjuhësore midis dy periudhave përkthimore nuk është ecuria e autorit në shqipe, a ngurtësia në terminologjinë kishtare, siç mund të priste dikush, sesa lëmimi i pikëpamjes gjinore në tekstualitet. Jo vetëm në adhurim, por dhe në letërsi, Noli dokumentoi të njëjtën gjë, duke vijuar përdorimin e Perëndisë në mashkullore: “Ja ku të vinj, o Zot, dhe prokllamonj që je/ I mir’ i ëmbl’ i dhëmpshur, Perëndi i Jetës/ I vetëm që di se ç’bën dhe përse” (Vajtim për bijën,V. Hugo, 1961). Duke e trajtuar veten si nxënës në shqipe, për gjithë jetën, nga njëra anë Noli respektonte intuitën e tij kulturore të toskërishtes, por nga ana tjetër, me modesti tërheqëse, pranonte sugjerimet e një realiteti tejkalues.
Kur pranoi Perëndinë në mashkullore (Perëndi i Jetës dhe jo e Jetës), jo vetëm që Noli ra dakord me Kristoforidhin, ndryshe nga më parë, por u bë më i shtirur në terminologji, edhe pse në kahun e ndërsjelltë; Kristoforidhi i pati mëshuar purizmit, duke shkulur nga gjuha çdo fjalë të huaj, qoftë dhe me rrënjë njësoj të thella ndonjëherë, ndërsa Noli tashmë po përjetësonte fjalë të huaja në shqipe, të cilat në periudhën e parë ishin më të pakta, plus që ishin dëgjuar atëherë si kalimtare, përderisa fillimi i veprës liturgjike ortodokse përkoi me fillimin e priftit të ri në letrat shqipe.
Disa prej këtyre fjalëve të huaja janë krejt të pashpjegueshme, sidomos nëse nuk thellohemi në botën kulturore të autorit. Për shembull, është e lehtë të anashkalojmë foljen “akseptoj” që hasëm më sipër, sepse kjo konceptohej në vitet 10, por çfarë hiri përçon folja “prokllamonj” në vitet 60, për një autor të plakur në lëmin e përkthimit? Ose më mirë, në çfarë ujëvare gjuhësore zbrisnin shkrimtarët bashkëkohës në Shqipëri, dhe ku mëtonte të ngjitej e të mbetej Fanoli? Asnjë autor nuk i shpëton dot njerishmërisë së tij.
Gjuha e viteve 60 në Shqipëri, në krahasim me prelatin e mërguar, të jep përshtypjen se lëvrohet në një shekull tjetër. Pra, për sa i përket gjuhës letrare, Noli këmbëngulte në vetvete. Ndoshta përkushtimi tek anglishtja, si gjuhë parësore për të, për më të dashurit e përditshëm, por dhe për grigjën e tij; varfëria e shqipes së gjallë të bashkëbiseduesve në mërgim, përderisa shumica e shqiptarëve të ardhur nga Shqipëria ishin të paarsimuar e tashmë të moshuar, domethënë gjuhësisht të shbalancuar (për dijetarin e zhgënjyer nga mësimi, shqiptarët nuk shkaktonin më çastet e shkuara ngazëllyese, kur ata dinin vetëm shqip dhe vetvetishmëria shprehimore i kishte shndërruar në subjekt hulumtimi kulturor); vetëveçimi gjuhësor i intelektualëve të tjerë shqiptarë në ShBA; përsiatja e tij e përhershme me një botë tjetër tekstuale, e cila më në fund e mundi kërshërinë, e të tjera shkaqe, nuk ishin pak.
Librat që i dërgonin Nolit nga Shqipëria, jo vetëm që ishin një grimë e gjithë asaj gramatologjie që po rrëmbehej kaq tekstualisht, por ka të ngjarë që Noli të mos i lexonte fare, përndryshe si mund t’a anashkalonte ai detyrimin e intelektualit për të lexuar e cituar veprat e bashkëkohësve? (Noli nuk la shenja përkatësie në ato rryma filozofike ku mund shpërnjihen veprat e bashkëkohësve me motive artistike). Nëse debatojmë sot mbi sensin, tiparet dhe imponimin e një Shqipërie virtuale, tej gjeografisë a pikave të prekshme, lidhja kulturore e Nolit me realitetin shqiptar mund të kuptohet si e paraprirë.
Le të kthehemi tek qerthulli i kësaj trajtese, tek përdorimi Perëndi dhe sidomos tek femërorja e mashkullorizuar në shqipe. Mbas gjithë këtij leximi, ku pamë përpjekje institucionale për të planifikuar tendencat gjinore të emrave gramatikorë, ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme se kjo nuk funksionon gjithmonë shpenguar as në tekstualitetin e sotëm ortodoks. Megjithëse Libri i Shërbesave është botuar e kontrolluar shumë herë në shqipe (1909-1994), prapëse-prapë tek botimi i fundit ka raste kur Perëndia është në femërore. Për shembull, tek “Urata e himnit Kerubik”, ndërsa teksti fillon me gjininë mashkullore, “… se vetëm ti, o Zot Perëndia ynë, i sundon qielloret…”, më poshtë përfundon në femërore: “Ai që pranon dhe që jep vetveten, o Krisht Perëndia jonë…” (Libër i Shërbesave, Tiranë 1994, f. 98-99).
Jakov Xoxa: O zot, përbuzja jote qenka si shiu
Në të njëjtën periudhë tekstuale për Nolin dhe shqipen, në vitet 60, le të shohim përdorimet Perëndi dhe Zot tek bashkautorët e tij në Shqipëri. Po lexojmë shkrimtarin Jakov Xoxa, si një nga më të spikaturit ato vite, por sidomos shkrimtarin që lakonte më shumë atëherë dy termat e këtij debati: “Shyqyr që na takoi perëndia rrugës, se zoti e di si do të rronim kështu të gjallë mes të të vdekurve e të vdekur në mes të të gjallëve…” (Lumi i vdekur, 1967, f. 160). Në këtë fjali duket se në fjalësin e shkrimtarit dy termat Perëndi e Zot kanë të njëjtën rëndësi. Përderisa është një fjali rrëfyese, me nota bisedimore dhe të çiltëra, perëndia është e para.
Por kur personazhet janë shpërthyes, ajo që vjen e para të artikulohet është Zoti: “O zot! Përbuzja jote qenka si shiu, merr që lart poshtë: Beu përbuz agallarët, agallarët subashllarët, subashllarët kosovarët, kosovarët myzeqarët, myzeqarët sarakaçanët, sarakaçanët evgjitët, evgjitët arixhinjtë, arixhinjtë… O zot! Ç’është ky mallkim i yt që bije nga lart mbi njerëzi!” (f. 205). Përdorimi ritual i Nolit (Perëndi), pra, është larg përdorimit të natyrshëm në shqipen letrare (Zot). Duke lexuar Lumin e vdekur ndjen dikush se kjo gjuhë që ishte dje, është sot, do të jetë dhe nesër; i njëjti truall.
Nuk ka dyshim se në shqipen e atyre viteve Zoti përdoret pothuaj nga të gjitha personazhet, pavarësisht nga kategoria e tyre gjuhësore. Në thirroret e përsëritura Perëndia futet vetëm për t’a bërë më shkrehëse në përdorim, ose për të mbrojtur prozën nga vjershëzimi:
“O zot, po shuajnë kasollen e po mbytin robt! … dhe brodhi, nëpër ujë, drejt mesores, për të dalë përjashta.”
“O perëndi, ç’është kjo kështu? Paskan zbrazur puset mbi kasollen time!… Po njerëzit ku kanë vajtur?”
“O zot” U ngjall lumi i Vdekur!… klithi gruaja, vetëm, në mes të ujit dhe të shiut; të ujit që rritej çdo hap nga toka e të shiut që shtohej çdo minutë nga qielli” (f. 283-284). Nuk ka nuanca dalluese në këto tre përdorime, sepse Perëndia ndërfutet sa për freski, për të mos monotonizuar përdorimin zotërues, Zot.
Siç shohim më sipër, dy emrat e përveçëm Perëndi dhe Zot shkruhen me shkronjë të vogël, si në gjithë romanin, gjë që ekziston vetëm pjesërisht tek Migjeni e Lasgushi, duke dhënë përshtypjen e letrarizimit të terminologjisë spirituale. Viti 1967, kur u botua ky version i ripunuar i Lumit të vdekur, ishte viti “antihyjnor”; që nga shkurti e deri në nëntor u trajtëzua procesi për shpalljen e Shqipërisë institucionalisht ateiste. Nuk dimë nëse ky drejtshkrim ishte i autorit apo i shtëpisë botuese. Nga ana tjetër, duke lexuar zot dhe perëndi, vetë kjo të jep një ndjesi shplodhjeje, sidomos sot, kur shkronjat e mëdha në terminologjinë spirituale rrezikojnë të mbysin gjithë shkronjat e vogla, e ndonjëherë dhe ndonjë drejtshkrues.
Kjo mëtohet nëpërmjet hijes së anglishtes a të greqishtes, fjala bie, edhe pse përdorimi pa vend i shkronjave të mëdha e banalizon domethënien e termave, sepse shqipja, duam s’duam, ka çarë një shteg tjetër gjuhësor. Gjithsesi, Jakov Xoxa regjistron me një vëzhgim të mprehtë gjuhësor në tekstualitetin e tij. Ka pasur epoka tekstuale kur nuk kishte fare shkronja të vogla. Çdo dorëshkrim përjetësohej vetëm me shkronja të mëdha, e madje pa shenja pikësimi. Të njëjtën ndjesi të jep, ndërsjelltas, dhe vogëlshkronjëzimi kur periodizojmë një letërsi vendore, si tek Lumi i vdekur.
Jakov Xoxa duket se jo vetëm regjistron të folmen e personazheve të tij, por na sjell nuanca që shprehin ideologjinë shprehimore të tyre. Për shembull, që të kthehemi tek gjinia e Perëndisë, në gojën e at Thanasit shohim të përdoret disa herë Perëndia, si zëdhënës i ritit dhe folës i mistereve, dhe madje e përdorur në mashkullore, ashtu siç do t’a përdorte një prift ortodoks që i qëndron besnik atyre gjërave që i thonë shkrimet e tij: “Perëndia, i paçim uratën, që është shënjt mbi shënjtë e s’di nga prapësitë e djallëzitë e Satanit…” (f. 630). Pra Perëndia është shënjt, jo shenjtore, sepse ati e përdor në mashkullore, ndërsa kudo gjetkë në roman përdoret nga “laikët” në femërore; flasim për ato raste kur e përdorin, sepse rëndom ata paraqëlqejnë Zotin. Gjithashtu dhe nuancat e së folmes gege në dialogët e romanit sjellin trajtën Zot dhe jo Perëndi: “Jo, asha zotin, për pa me u shndosh Sulejman Tafili, s’la kush me i qit fjalë për kët!” (f. 594).
Zot a Perëndi
Duke mbërritur tek Jakov Xoxa, tek gjuha “standarde” e Lumit të vdekur, ndihemi sikur kemi gjetur fillin e këputur të terminologjisë spirituale, në vitin 1967, atë që vazhdojmë të endim sot e për shumë kohë. Që nga Naim Frashëri e gjer tek Jakov Xoxa, e që andej deri më sot, pamë se përdorimi Zot është zotërues për shqipfolësit, të paktën jashtë shprehjeve rituale e tej shkrehjeve emocionale. Zoti është përzgjedhja më e afërt gjuhësore për atë që në greqishte është Theos e në anglishte God, pavarësisht se kjo nuk përkon me ato gjuhë me të cilët janë në kontakt shqiptarët e sotëm.
Sa për përdorimin “tradicional” të termit Perëndi, i cili është shumë më i ri në shqipe, me këtë kuptim, është në intuitën dhe motivet e përkthyesve për të përcaktuar përzgjedhjen, por sidomos gjininë e tij. Është shumë vështirë të mos përdoret ky term në adhurimin ortodoks, të paktën sot, por njësoj e vështirë është vërtetuar gjinia mashkullore e këtij emri, e cila u shartua nga femërorja. Jam i mendimit se alternimi është e vetmja zgjidhje për këtë periudhë gjuhësore.
Personalisht, duke u munduar të gjej një tekst sa më përfshirës mbi terminologjinë ortodokse, përktheva nga anglishtja librin The Orthodox Way, i teologut anglez Kallistos Ware. Versioni i parë paraqitet me përzgjedhjen Perëndi, tek-tek e alternuar edhe me Zot, përderisa kështu e përdorin në shumicë ortodoksët, por ama nuk pranova në përkthimin tim gjininë femërore të Perëndisë, përveçse në citimet biblike e liturgjike, për të ruajtur poetikën e trashëguar të adhurimit ortodoks në shqipe. Mospranimi i gjinisë mashkullore në bisedë e në mësimdhënie, rrjedh nga përvoja gjuhësore e përdoruesit të shqipes, meqë intutita ime gjuhësore nuk u influencua nga shqipja adhurimore, përderisa jam larguar nga Shqipëria para rilëvrimit të shqipes spirituale. E si unë janë afro gjysma e folësve të këtij lëmi.
Versioni i dytë, Udha ortodokse 2005, paraqitet në Internet pa mohuar versionin Udha ortodokse 2004. Në këtë botim virtual (www.ShqiptarOrtodoks.com/Tekste spirituale) përzgjidhet Zoti për God, duke lënë Perëndi vetëm në citimet biblike e liturgjike, për t’a afruar tekstin edhe për ata që nuk kanë përvojë rituale. E kësisoj sugjerojmë në shqipen e pasdikaturës. Ka të ngjarë që edhe në këtë version të fundit, megjithë mundimin për të qenë sa më “i përsosur” në përkthim e në drejtshkrim, të gjenden luhatje në përzgjedhjen e dy termave a në gjininë e Perëndisë, siç pamë dhe tek Libri i Shërbesave, ripunuar disa herë në shqipe nga KOASh-i. Gjithsesi, sado që të luftojë njeriu, qoftë dhe për disa breza, gjuha shqipe qenka si shpirti; ku i teket fryn…
At Foti Cici