Ka ndodhur sot në mëngjes herët në Romë. Rëndë e fejuara që ishte në motor me të
Romë, 2 nëntor 2011 – Ngiste motoçikletën e tij 30-vjeçari shqiptar me të fejuarën nga pas kur është përplasur me një shtyllën ku ishte vendosur një reklamë abuzive në rrugën Tuscolana, pranë Arco di Travertino (Romë). 30-vjeçari ka vdekur në vend ndërsa e fejuara, 32 vjeçe, është dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Për nënkryetarin e Komisionit të Ambientit të Romës, Athos De Luca (PD), impianti i afishimit të reklamave është jo vetëm abuziv por edhe i vënë në shkelje të kodit rrugor, nuk respekton largësinë prej 1,80 m prej brezit rrugor. “Vdekja e 30 vjeçarit duhet të rëndojë në ndërgjegjen e administratës së kryeqytetit që prej katër vjetësh ka lejuar pushtimin e Romës nga afishet e reklamave. Pas këtij episodi tragjik i kërkojmë kryebashkiakut të nxjerrë një urdhëresë të posaçme për zbatimin e planit të jashtëzakonshëm për heqjen e impianteve abuzive të reklamave, duke përdorur 20 milionë eurot që komuna ka mbledhur vitin e shkuar nga taksa e reklamës” thotë De Luca.