in

Personeli i tragetit vajzës së verbër: “Dil nga restoranti o të hodhëm në det me gjithë qen”

Kedrit Shalari, 24 vjeç, padit pranë karabinierëve kompaninë e lundrimit European Ferries. Si e verbër, ka të drejtë të mbajë pranë kudo Verën, qenin që e udhëheq, por personeli i tragetit që e solli nga Vlora në Brindisi nuk donte t’ia njihte këtë të drejtë.

Romë, 21 gusht 2013 – E kanë nxjerrë nga restoranti i tragetit, ia kanë ndaluar të futej në zonën e rezervuar pasagjerëve, e kanë detyruar për mëse dy orë të qëndrojë jashtë. Për më tepër edhe e kanë kërcënuar: “Ose dil jashtë ose të hodhëm në det ty e qenin”. Viktima e një sjelljeje të tillë, 24-vjeçarja e verbër Kedrit Shalara, që më 16 gusht ka marrë tragetin e kompanisë European Ferries nga Vlora për në Brindisi.

Lajmin e ka dhënë sot një blog animalistësh, animebastarde.it.

Kedriti është nga Tirana, prej dhjetë vjetësh rezidente në Itali ku studion. Larg familjes, ka hasur në shumë vështirësi, është mësuar t’i dalë për zot vetes. Edhe falë Verës, qenushja e ushtruar si shoqërues personash të verbër. Të premten, 16 gusht, pas një muaji të kaluar me prindërit në Tiranë Kedriti dhe Vera marrin tragetin për në Brindisi. “Bashkë me Verën, të shoqëruara nga një mik, hipim në tragetin e European Ferries rreth orës 12.30. – tregon ajo vetë – Shkojmë në restorant më marrim nga një arançatë e pastaj dalim jashtë për të marrë pak ajër. Kur vendosëm të hynim, na dolën përpara dy burra që në mënyrë kërcënuese më thonë të dal jashtë e nëse doja të hyja në restorant duhet të lija Verën jashtë”.

Edhe pse u shpjegon që është e verbër, që nuk mund ta ndajnë nga Vera, edhe pse u tregon të gjitha dokumentet që tregojnë se qenushja duhet ta shoqërojë kudo, burrat nuk tërhiqen aspak. Përkundrazi e kërcënojnë: “Po s’u largove, të hodhëm në det bashkë me qenin”.

Kedriti detyrohet të largohet nga restoranti dhe zona e destinuar pasagjerëve. E shoqërojnë jashë dhe i thonë se mund të bëjë udhëtimin aty, në një stol. Një pasagjer që ndoqi gjithë episodin, i revoltuar i telefonon ambasadës italiane në Tiranë nga ku e këshillojnë të flasë me kapitenin e anijes, por as ka dalë t’i takojë sepse ose ishte i zënë me punë ose ishte në gjumë.

Kalojnë rreth tre orë para se Kedriti e Vera të lejohen të zënë vend në zonën e pasagjerëve, por që aty nuk mund të lëvizë as edhe një hap. Nuk mund të shkojë as në restorant për të pirë një gotë ujë. Në 20.30 trageti mbërrin më në fund në Brindisi e për Kedritin merr fund ky udhëtim dëshpërues. “Ndihesha copë-copë për tre arsye – shpjegon – e para sepse normativa në mbrojtje të personave si unë nuk respektohet; e dyta sepse është dërrmuese të shohësh si trajtojnë Verën time, gëzimin tim të vetëm; dhe së treti sepse asnjë nuk duhet të keqtrajtohet siç më ka qëlluar mua jo rrallë, veçanërisht nëse është i pafuqishëm”.

Më 17 gusht Kedrit Shalari, si gjithnjë e shoqëruar nga Vera, është paraqitur në stacionin e Karabinierëve në Racale të provincës së Lecces dhe ka paditur shoqërinë e lundrimeve European Ferries. E reja ka zgjedhur të kërkojë drejtësi në rrugë gjyqësore. Krah saj nënkryetari i Unione Italiana dei Ciechi e degli Ipovedenti (Bashkimi italian i personave të verbër e me shikim të paktë) Giuseppe Terranova: Një episod i tmerrshëm, është shkelje e të drejtave njerëzore”.

Shqiptari i Italisë

Bari. 31-vjeçari shqiptar hidhet nga trageti për t’i shpëtuar masës së dëbimit

Diventare italiani a 18 anni. Meno ostacoli e una lettera per le seconde generazioni