in

Përzgjidhen 5 bocetet më të mira për monumentin e 100-vjetorit të Pavarësisë

Një juri ndërkombëtare ka përzgjedhur tashmë 5 nga 80 bocetet e paraqitura për 100-vjetorit të Pavarësisë. Mes artistëve që kanë marrë pjesë në konkurs edhe shqiptarë të Italisë si Alfred Mirashi Milot, Helidon Xhixha dhe Xhovalin Delia

Tiranë, 26 mars 2012 – Juria ka përzgjedhur të premten 5 bocetet më të mira mes të cilave Komisioni Shtetëror i Festimeve do të përzgjedhë fituesin.

Juria ndërkombëtare e konkursit të Monumentit për 100 –vjetorin e  Pavarësisë, e përbërë nga Pio Baldi, drejtor i Muzeut të Artit të shek. 21 në Romë, skulptori Juan Bordes, anëtar i Akademisë Mbretërore të Arteve të Bukura të Spanjës, drejtori i GKA-së, Rubens Shima, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari, artisti dhe akademiku nga Kosova, Shyqri Nimani, piktori dhe pedagogu në Akademinë e Arteve, Ali Oseku, skulptori Muntaz Dhrami, artisti Parid Teferiçi dhe arkitekti urbanist Marin Biçoku, ka shqyrtuar bocetet dhe ka përzgjedhur pesë më të mirat për t’ia propozuar Komisionit Shtetëror të Festimeve që do të zgjedhë përfundimisht fituesin.

Emrat e pesë artistëve fitues nuk bëhen publikë, ndërkohë që drejtori i GKA-së, Rubens Shima, është shprehur për mediat se konceptet estetike kanë qenë thuajse të ndarë në dy pjesë,  artistët vendas kanë  propozuar kryesisht vepra tradicionale, ndërkohë që artistët e huaj kanë sjell vepra abstrakte.
Sipas Shimës, artistët kanë propozuar edhe vendin ku do të qëndrojë monumenti, por një përcaktim i tillë do jetë pas shpalljes së fituesit. Deri në datën 25 mars të gjitha bocetet pjesëmarrëse u vizituan nga publiku në Galerinë Kombëtare të Arteve, ndërkohë që tashmë pritet edhe shpallja e fituesit.

Boceti i paraqitur nga Alfred Mirashi Milot
Në konkurs janë paraqitur 61 artistë me rreth 80 bocete, ndër të cilët 26 artistë janë nga Shqipëria, 13 artistë nga diaspora, 8 nga Maqedonia dhe Kosova si dhe 14 artistë ndërkombëtarë. Nga shqiptarët e Italisë janë paraqitur Alfred Mirashi Milot, Helidon Xhixha dhe Xhovalin Delia.

MTKRS dhe Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur sot një tjetër konkurs për monumentet, kushtuar tre figurave historike, Ismail Qemalit, Ahmet Zogut dhe Hasan Prishtinës.

Pas konkursit për logon e festimeve të 100-vjetorit dhe monumentit e Pavarësisë, artistët vendas do të mund të dorëzojnë bocetet e tyre për një ose tre figurat historike deri në datën 15 maj në GKA. Këto monumente do të kenë tre elementë bazë: shtatoren, bazamentin dhe mbishkrimin me të dhënat e personalitetit historik si: emri, titulli, data e lindjes dhe e vdekjes.

Bocetet që marrin pjesë në këtë konkurs duhet të jenë të punuar enkas për këtë rast dhe të mos jenë paraqitur në asnjë konkurs të mëparshëm. Pas dorëzimin të boceteve juria do të bëjë përzgjedhjen e fituesve deri në datën 13 maj. Ndërsa një ditë më pas, deri në datën 17 maj, do të bëhet ekspozimi i boceteve për publikun në sallën e GKA-së.

Të tria shtatoret (Ismail Qemali, Ahmet Zogu I, si dhe Hasan Prishtina) duhet te kenë lartësinë deri në 3 metra. Gjerësia e bazamentit varet nga kompozimi që do të paraqesë artisti për shtatoren. Shkrimi është pjesë e shtatores. Vendi dhe përmasa e tij përcaktohen në bazë të idesë së bocetit fitues, miratuar nga juria.

Lexo edhe:

Çelësi i artë i suksesit të MILOTIT
Helidon Xhixha mes Brikolave të Venecias

 

Dy aksidente rrugore në 24 orë. Vdesin tetë të rinj

Kurs formimi e italishteje në Shqipëri, për t’u punësuar në Itali