Një ngjarje tragjike ka tronditur 8 nëntor 2003 komunitetin shqiptar në Itali. Albert Kolgjegja, 30 vjeç, mbetet i vdekur në një kantier ndërtimi në Gjenovë. Hetimet zbulojnë se punonte në kushte të rënda parregullsie, ashtu si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Kontrata e punës i arrin kur nuk i duhet më: pas vdekjes. Lapidari i përkohshëm në kantierin e vdekjes një flamur kuqezi.
Mes dy soletash
Një trëndafil i kuq i lidhur me një fjongo ngjyrë vjollcë është vendosur në rrjetën rrethuese të kantierit ku Albert Kolgjegja vdiq i varrosur nën rrënojat e krahut lindor të Muzeut të detit. Të nesërmen e tragjedisë, një grua iu afrua rojës dhe i kërkoi t’i varte lulen në kangjellat, përpara të cilave shumë njerëz, e sidomos shumë shqiptarë, ishin ndalur për të soditur grumbullin e rrënojave nën të cilat mbetën punëtorët e ndërmarrjes që kish fituar tenderin për të ngritur atë soletë të mallkuar.
Ishte e shtunë, 8 nëntor, ora 8.30 e mëngjesit. Tridhjetëvjeçari shqiptar ndodhej në majë të një shkalle shumë të lartë. Me të vënë re shenjat e para të rrëzimit të strukturës – “dukej sikur po binte tërmeti”, rrëfejnë të mbijetuarit – pothuaj të gjithë shokët e tij të punës ia dalin të largohen në kohë. Arbeni ka nisur të zbresë me shpejtësi, por një çast përpara se këmba t’i prekë tokën varroset nën një ortek çimentoje. Tridhjetë zjarrfikës gërmojnë për nëntëmbëdhjetë orë, megjithëse që në mbrëmjen e së shtunës pothuaj të gjithë i kanë humbur shpresat.
Ia dalin ta nxjerrin në orën 2.15 të mëngjesit të së dielës: kishte mbetur mes dy soletash çimentoje.
Pas rrjetës mbrojtëse që është ngritur ndërkohë nga forcat e sigurimit, grupi i shqiptarëve që ka ndjekur me ankth e shpresë aksionin për shpëtimin e bashkatdhetarit, lëshon një grahmë rrëqethëse…
Trupi i pajetë i Albert Kolgjegjës, dërgohet në Institutin e mjekësisë ligjore të spitalit të San Martinos, ku mbërrijnë të afërmit për të bërë identifikimet e rastit.
Bilanci i tragjedisë së të shtunës në Muzeun e detit në Gjenovë është: një i vdekur dhe gjashtë të plagosur. Ndër këta të shtatë tre ishin shqiptarë. Albert Kolgjegja vdiq, ndërsa Skënder Ndoi dhe Zaim Kaçi, dolën me fraktura e plagë të tjera.
Pesë tonë beton mbi një ëndërr
Ëndrra e djalit të doktorit nga Lura, – ai vend turistik dikur aq i njohur në Shqipëri e tashmë i zbrazur nga emigracioni,- është prerë nën pesëdhjetë kuintal çimento dhe hekur. Albert Kolgjegja, vetëm 30 vjeç, ka mbetur i shtypur nën rrënojat e Muzeut të Detit në Gjenovë. E pra, dikur në Shqipëri, ëndërronte të bëhej mjek, po shumë shpejt dëshira e parë ia la vendin një tjetre. Sipas rrëfimeve të të afërmve, Alberti e ka ëndërruar mbërritjen në Itali që kur ishte 12 vjeç. I ati, tashmë 75-vjeçar, me atë pak pension jeton me të shoqen, ndërsa gjashtë vajzat e familjes janë pothuaj të gjitha të martuara. Lajmin e vdekjes së djalit të dytë, familja e ka mësuar të shtunën në darkë, nga emisioni i lajmeve.
“Dua të marr një diplomë, si ty, – i pat thënë Alberti të atit, – por e di që jemi të varfër. Ndaj dhe do shkoj jashtë, të punoj e të fitoj ndonjë para. Në Europë një punëtor fiton më shumë se një mjek në Shqipëri.” Fillimisht u nis për në Greqi. “Por atje na ndodhi diçka shumë e keqe,- tregon i nipi, Roland Ajazi, në Gjenovë edhe ai. – Pamë tek digjej i gjallë, nga korrenti, një mikun tonë që ishte elektricist, si ne. Kështu, daja tjetër, Ilirjani, vëllai më i madh i Albertit, që ndodhej ndërkohë në Itali, i tha të vinte këtu, ku puna nuk është aq e rrezikshme sa në vende të tjera.”
U dhanë tre milion lireta skafistëve për t’i shpënë nga Korfuzi në Pulje. Djaloshi shqiptar që e ka mësuar italishten nga televizioni, bir i një profesionisti, që përballet me rrezikun e vdekjes në një varkë mbi det, e që e gjen veten punëtor me mëditje për pesë euro ora, është paradigma e ëndrrës italiane. E ëndrrës që e kanë ndjekur të gjithë imigrantët shqiptarë, dhe jo vetëm ata më të dëshpëruarit.
Në prill të 2000, për Albertin bëhet i mundur transferimi në Gjenovë, në një dhomë të zbrazët e të trishtuar që e ndante me katër vetë, aty në Sampierdarena, lagja e punëtorëve. Punën e parë, djali i mjekut, që dikur kish ëndërruar të bëhej mjek edhe vetë, e gjen në një autostradë. Në mirëmbajtjen e brezave dhe shenjave rrugore. Porse i duhej të punonte vetëm natën, i patën thënë në ndërmarrje. Ishte i parregullt, domethënë klandestin. Deri sa në korrikun e shkuar, ligji Bosi-Fini e vuri në rregull. Atëherë niset në Shqipëri dhe gjen një të fejuar, që sot, të vdekur, së bashku me prindërit.
“Daja e vuante këtë të punuar natën e të fjetur ditën, – tregon i nipi,- pas pushimeve, me të marrë lejen e qëndrimit, nuk deshi më të punonte në autostradë. Dhe u gjet një punë tjetër: murator. A punonte në të zezë? Nuk mund dhe nuk dua të përgjigjem”, përsërit Rolandi.
Gjithsesi ishte një punë për llogari të ndërmarrjes “Impreval” me qendër në Torino, që kish marrë përsipër kryerjen e punimeve në kantierin e Muzeut. “Thonë që Gjenova vitin që vjen do të jetë Kryeqyteti europian i Kulturës,- shfryn shqiptari,- por kjo shoqëri ndërtimesh që ka 5 mijë punëtorë dhe nuk ofron punë të rregullt, tregon se jemi në kryeqytetin e turpit.”
Kontrata pas vdekjes
Menjëherë pas tragjedisë, prokuroria e Gjenovës nisi hetimet për të zbuluar shkaqet dhe për të nxjerrë fajtorët. Të nesërmen e ngjarjes të gjithë janë shpejtuar të deklarojnë që punëtori shqiptar ka qenë në rregull me kontratën, pavarësisht se kolegët e Albertit patën pohuar se shoku i tyre i vdekur, – ashtu si dhe shumë shqiptarë të tjerë,- punonte “në të zezë”. Vetëm disa ditë më pas, prokurori i çështjes Françesko Lala, pasi shqyrtoi raportin e inspektoratit të punës lëshoi deklaratën-bombë: “Kontrata e punës e Albert Kolgjegjës, shqiptarit të vdekur të shtunën e kaluar gjatë rrëzimit në Museo del Mare, ishte e vlefshme, por është depozituar pas vdekjes së tij në qendrën e punësimit të Grumelo del Montes (Bergamo), qendra operative e Impreval-it, ndërmarrja për të cilën punonte viktima”. Lala ka shpjeguar se e njëjta gjë ka ndodhur edhe për tre nga nëntë punëtorët që u përfshinë në ngjarje. Eshtë shpjeguar edhe që marrja në punë e Albertit ka ndodhur në 17 tetor, por Impreval-i ia komunikuar këtë qendrës së punësimit të qytezës bergamaske vetëm në 10 nëntor, pra dy ditë pas vdekjes së tij.
Një nga drejtuesit krahinorë të Inspektoratit të punës, ka shpjeguar se “kontrata, me t’u firmosur është e vlefshme në kuptimin që punëtori mund ta përdorë për të kërkuar të drejtat. Por nuk është medoemos në rregull punëtori, të cilit punëdhënësi e bën të nënshkruajë kontratën, pa përmbushur më pas detyrimet e tjera, mes të cilave edhe deklarimin në Inail, në Qendrën e punësimit dhe në Kuesturë, nëse punëtori është jokomunitar. Por nuk mund të flitet as për parregullsi në drejtim të punëtorit, nëse disa detyrimet plotësohen me vonesë nga ndërmarrjet, parregullsi mjaft të shpeshta në sektorin e ndërtimeve dhe që dënohen me gjoba”.
Por sindikatat italiane tashmë janë të bindura: rasti i Albertit është rasti klasik i një punëtori “në të zezë”. Një histori absolutisht “normale” në sektorin e ndërtimit. Sipas zëdhënësve të sindikatave, zhvillimet e fundit mbi vdekjen dramatike të Albert Kolgjegjës, po nxjerrin në sipërfaqe hollësi rrëqethëse. Ndaj dhe protestat janë të drejta: një grevë tetorëshe u organizua në Gjenovë menjëherë pas ngjarjes, një tjetër pasoi të enjten e kaluar. Cgil, Cils dhe Uil-i gjatë një takimi kanë propozuar heqjen e karakterit “kontestual” në paraqitjen e dokumenteve pranë Inail-it. Ky hile përdoret nga ndërmarrjet për të vonuar ligjërimin e plotë të marrjes në punë të punëtorit, ligjërim që kryhet më pas (në raste aksidentesh për shembull). Një tallje absurde me punëtorin, që në këtë rast gëzon një lloj vënieje në rregull “post mortem”.
Pse vdiq Alberti?
Fillimisht inspektimi i ministrisë së Punës ka gjetur parregullsi të rënda në drejtimin e punimeve dhe të krahut të punës në Muzeun e Gjenovës. Nuk janë gjetur në kantier, as libri “i të regjistruarve” dhe as libri “i pagesës”, ku shkruhen emrat e punëtorëve, orët e punës së kryer dhe paga përkatëse. Sipas dëshmive të para të dhëna nga gjeometri dhe shefi i kantierit të Impreval-it, çdonjëri nga punëtorët kishte punuar 30-40 orë në javë. Ndërsa nga deklaratat e disa punëtorëve, del se shumë prej tyre kanë punuar “në të zezë”, shumë më tepër se 40 orë në javë (përfshirë të shtunën), dhe me një pagë prej 6 eurosh orën.
Ndërkaq vijon puna e konsulentëve të emëruar nga Prokuroria dhe të ngarkuar për të shqyrtuar çimenton me të cilën janë ndërtuar soletat që u rrëzuan. Nga kantieri janë marrë kampione të materialeve të ndërtimit, të cilat u janë kaluar laboratorëve për analiza. Mbetet ende për t’u qartësuar nëse shkaku i rrëzimit lidhet me cilësinë e materialit, apo me kohën e tharjes dhe të pjekjes së çimentos. Sipas dëshmisë së një punëtori të kantierit “të shtunën në mëngjes, çimentoja ishte akoma e freskët, por na urdhëruan të “zgjidhnim” soletën për të fituar kohë”.
Botuar në Bota Shqiptare nr. 96 të nëntorit 2003