Kryesisht janë të mitur klandestinë që largohen pa lënë gjurmë, dhe jo vërtet “persona të zhdukur”. Komisari i Jashtëzakonshëm i Qeverisë për personat e zhdukur, prefekti Michele Penta: “janë të pakta denoncimet nga familjarët apo miqtë”
Nga 1 janari 1974 deri më 31 tetor 2009 në Itali janë zhdukur e janë ende persona në kërkim 25.871 vetë, nga të cilët 15.116 janë shtetas të huaj. Gra, burra, por më shumë të rinj pa mbushur moshën madhore.
I ka numëruar raporti i fundit i Zyrës së Komisarit të Jashtëzakonshëm të Qeverisë për personat e humbur, organizëm i ngritur në vitin 2007 pranë ministrisë së Brendshme. Me tri detyra kryesore: “Monitorimin dhe analizimin e të dhënave, koordinimin e veprimtarive që trajtojnë personat e humbur dhe mbajtjen e lidhjeve me familjet” shpjegon për stranieriinitalia.it prefekti Michele Penta që drejton këtë zyrë.
Ajo që bie menjëherë në sy nga të dhënat është përqindja e lartë e të huajve, rreth 60%. Si shpjegohet kjo? Prefekti sqaron se për të huajt mund të thuhet se pjesa më e madhe e tyre nuk mund të konsiderohen persona të zhdukur për familjarët e tyre por për forcat e rendit. E thënë ndryshe, për shumicën e tyre nuk janë familjarët apo të afërmit ata që denoncojnë zhdukjen e një të dashuri të tyre, por janë forcat e rendit që humbasin gjurmët e klandestinëve të ndaluar apo të mbyllur në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit.
“Një pjesë e mirë e të rriturve të huaj në listat e të zhdukurve kanë ardhur në Itali ilegalisht, për shembull me zbarkimet në Sicili, dhe janë marrë në ngarkim nga qendrat e pritjes së parë apo nga ato të identifikimit dhe të dëbimit. Kur përfundon afati i qëndrimit në këto qendra, por shpesh edhe më parë, këta persona largohen pa lënë gjurmë dhe hyjnë e bëjnë pjesë në listat e të zhdukurve” shpjegon Penta. Për të mos harruar faktin që në raste të ndryshme dy a më shumë emra identifikojnë të njëjtin person, pasi jo rrallë ndodh që klandestinët japin emra të rinj sa herë ndalohen.
Nga të huajt e zhdukur 8.774 janë të mitur, por edhe në këtë rast nuk duhet të shkojmë larg me imagjinatën e të përfytyrojmë një ushtri të tërë me rrëmbyes fëmijësh.
“Kemi raste të marrjes së fëmijës nga njëri prej prindërve, që shtohen me të njëjtin ritëm të çifteve të përziera” shpjegon prefekti Penta. Në faqet e shtypit përfundojnë shpesh histori të llojit: nëna italiane, babai i huaj, që kur martesa merr tatëpjetën kthehet në atdhe bashkë me fëmijët.
Por ata që rrisin ndjeshëm shifrat janë të miturit e pashoqëruar. Kur policia i ndalon, ua beson komunave që zakonisht i fusin në struktura të ndryshme mikpritjeje si shtëpi-familjet. Por shumë prej këtyre të rinjve, shpejt braktisin këto struktura. Janë largime të vullnetshme por që shpesh paralajmërojnë situata dramatike, fëmijë që përfundojnë semaforëve për të lypur apo më keq akoma, në kthetrat e prostitucionit.
Dhe së fundi, ekziston edhe një regjistër kombëtar kufomash të paidentifikuara. Janë 800 trupa pa jetë e pa emër. Shumë prej tyre fshehin histori tragjike emigracioni, si rreth 100 kufomat e gjetura deteve apo brigjeve të Sicilisë. “Në këto raste identifikimi i tyre është thuajse i pamundur. S’kemi një denoncim, as një familjar për t’i krahasuar ADN-në”.
Të parregullt që duan medoemos të mos lënë asnjë gjurmë të vetën, apo kufoma pa emër. Kjo është pjesa dërrmuese e të huajve të zhdukur. Janë të pakta denoncimet “klasike” të zhdukjes së një të afërmi ato të tipit: doli në mëngjes e nuk u kthye më. “Në fashikujt tanë kemi ndonjë qytetar rumun, ndonjë kërkesë të paraqitur nga familjarët në atdhe përmes konsullatave tona, por denoncimet mes emigrantëve në Itali janë vërtet shumë pak”.
Elvio Pasca