Pianistja 17 vjeçare nga Shqipëria, Anarita Hitaj, është vlerësuar me vendin e katërt në konkursin ndërkombëtar Franz Liszt që u mbajt nga 22 deri më 30 tetor në Grottammare
Romë, 10 nëntor 2011 – Edhe pse u vlerësua në vendin e 4-t, talenti dhe vlerat e interpretimit të Hitajt, si pjesëmarrësja më e re e konkursit, kanë befasuar jurinë. “Do kisha kënaqësinë t’ju kisha studente në Akademinë e Imolës”, u shpreh kryetari i jurisë, Leonid Magarius, një Akademi që njihet për pranimin vetëm të pianistëve profesionistë të lartë.
Konkursi i përvitshëm, që zhvillohet në emër të pianistit e kompozitorit hungarez, Franc Liszt, në përvjetorin e 200-të të lindjes, zhvillohet në dy faza që kërkojnë të zotërosh 2 orë program të një niveli të lartë artistik.
Suksesi i Anarites nuk është i rastësishëm. Ajo është maturante në shkollën artistike “Naim Frashëri”, Vlorë. Nën kujdesin e pedagoges dhe mamasë së saj, Enkelejda Hitaj, ajo ka një aktivitet të suksesshëm artistik kombëtar e ndërkombëtar. Performance e saj shumë e mirë në konkursin e fundit është një arritje kjo jo vetëm për artisten e re, por edhe për shkollën pianistike shqiptare.
Si fituese e çmimeve të para për kategorinë e saj dhe çmimin e madh “Lola Gjoka” në Festivalin Pianistik, organizuar nga EPTA-Albania, asaj iu dha mundësia të japë një koncert recital në vitin 2008 në Konferencën e 31-të të EPTA-s në Novi Sad.
“Është pasioni dhe dashuria e madhe për muzikën që inkurajon talentin e saj në këto suksese. Ndjehem shumë e lumtur që veprimtaria e EPTA-Albania ka promovuar talente si Anarita Hitaj”, shprehet Presidentja e EPTA-Albania, Takuina Adami.
Disa herë fituese e çmimeve të para në konkurset ndërkombëtare në Itali, Hitaj ka vazhduar karrierën artistike e udhëhequr nga pianisti gjerman Heribert Koch. Hitaj pati fatin të luajë koncertin për piano dhe orkestër të Frederik Shopenit në nëntor të vitit 2010, suksesi i të cilit bëri që dirigjenti t’i besojë Anaritës koncertin për piano e orkestër të Çajkovskit Nr 1, në dhjetor të këtij viti.