Droga, e ndarë në 84 pako u gjet në automjetin e Dorina Carës
Tiranë, 11 nëntor 2012 – Forcat e policisë së kufirit dhe ato të sektorit antidrogë në Durrës sekuestruan natën e kaluar një sasi lënde narkotike canabis sativa dhe ndaluan një 26-vjeçare nga Lezha, që po e transportonte atë drejt Italisë. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut, bënë të ditur për ATSh-në se në automjetin e Dorina Carës u gjetën 84 pako me lëndë narkotike canabis sativa, për një peshë prej 44 kg e 308 gr.
Bashkë me sasinë e drogës, automjetin që po drejtohej me traget për në Bari (Itali), u sekuestruan edhe pesë telefona celularë me kartat e tyre, si dhe një sasi të hollash në valutë. Policia po punon për të mësuar lidhjet e mundshme të 26-vjeçares së arrestuar me bashkëpunëtorë të mundshëm brenda dhe jashtë vendit. (ATSh)