in

Politika dhe Etika, dje dhe sot

Nga Eugjen Merlika

Patriotizmi ama nuk është vetëm kaq, patriotizmi ka edhe një fizionomi etike, sepse bashkë me atdheun dhe tek atdheu shihet një standard, një vlerë morale më vete që duhet forcuar vazhdimisht, duhet përkryer e rrezatuar në çdo akt tonin”- Atjon V. Zhiti

Eugjen Merlika - Politika dhe Etika dje dhe sotPolitika si koncept përfshin një tërësi njohurish, rregullash e ligjesh që merren me themelimin, organizimin dhe mbarështimin e shtetit dhe të jetës publike të një shoqërie e të një kombi. Etika është një term i futur në gjuhën filozofike nga Aristoteli në Athinën e lashtë. Duke shfletuar një enciklopedi universale italiane, gjeta këtë përkufizim të fjalës, që ka hyrë në gjuhët e botës ashtu si e pati sajuar filozofi i madh grek në shek. IV p.K.:  “Disiplinë politike që merret me probleme morale ose të sjelljes (gr. ethos) në lidhje me mjetet, qëllimet apo shkaqet. Dy degët kryesore të etikës janë teoria e vlerës ose assiologjia dhe teoria e detyrimit. E para studion kuptimin e termave vlerësuese (i mirë, i keq, i dëshiruar) dhe natyrën e së mirës, e dyta kuptimin e termave që shprehin detyrime (i drejtë, i padrejtë, i ndershëm etj.) dhe natyrën e drejtësisë morale”.

Të dy konceptet lidhen me njëri-tjetrin sepse janë të ndërshkëmbyeshëm në sendërtimin e tyre praktik. Mbarështimi i shtetit, në të gjitha shfaqjet e tij të larmishme, nëpërmjet marrëdhënieve që krijohen mes institucioneve dhe shtetasve, apo mes vetë atyre të parave, dashje e pa dashje, i nënshtrohet një gjykimi të përhershëm që bazohet mbi parimet dhe kriteret e mirësjelljes, të respektit të ndërsjelltë, të mos përballimit me mjetet e dhunës, qoftë dhe asaj folëse apo konceptuale.

Në historinë tonë të viteve 1944 – 1991, si pasojë e zotërimit të parimit komunist “Partia është e pagabueshme” dhe të mendimit të vetëm të personifikuar prej saj, ai kod etik i pashkruar u mënjanua krejtësisht nga jeta shoqërore. Njësh mendimi, i sanksionuar në ligje, urdhra e udhëzime të hapura apo të fshehta, i ligjëruar juridikisht me nenin 55 të kodit penal që dënonte penalisht çdo shprehje të opinionit të kundërt me të, u bë për një gjysmë shekulli alfa dhe omega e botës shqiptare. Karakteri i theksuar klasor i sistemit, që i mohonte një pjese të popullsisë, asaj të përndjekur nga regjimi, të drejtat më parake njerëzore, çonte në koncepte të tilla skajore, sa disa nga elementët më thelbësorë të natyrës njerëzore të trajtoheshin si “mbeturina borgjeze e mikroborgjeze”, “të dëmshme” për shoqërinë e, pra, të dënueshme në format më të ndryshme. Në këta kushte edhe etika, me përbërësit e saj të mirësjelljes, të respektit e të edukatës, iu nënshtrua kriterit klasor të vlerësimit të dukurive. Në teori ajo zbatohej vetëm me njerëzit “e mirë”, të cilët ishin, kryesisht, shërbyesit më të zellshëm të regjimit, të cilët i hasim sot, me pseudonimet më të ndryshme në faqet e internetit, duke i bërë jehonë asaj mendësie e duke vazhduar së sulmuari ndonjë “të prekur” që “guxon” të shprehë në shkrime mendimet e tij.

Plotfuqia e politikës së dhunës së gjithanshme e kishte degdisur etikën në hapësirat ndëryjore, duke prerë çdo lidhje mes këtyre dy përbërësve shumë të rëndësishëm të jetës jo lëndore të shoqërisë sonë deri në vitin 1991. Kjo qe trashëgimia e përcjellë nga gjysmë shekulli komunist, të cilën duhej ta ndryshonte koha e re dhe njerëzit e saj, kryesisht klasa politike. Por vetë formimi i asaj klase, edhe se e re në moshë, linte pak shpresë në një rikthim të etikës. Të rritur e të shkolluar në institucionet e diktaturës, këta drejtues të rinj të Shqipërisë pas komuniste e kishin të vështirë, sa hap e mbyll sytë, të fitonin shprehitë e një shoqërie demokratike e të përvetësonin elementet e etikës politike për t’i vënë në jetë në veprimtarinë e tyre. Mendohej se, me kalimin e kohës, me ripërtëritjen e vazhdueshme, me vetë emancipimin e shoqërisë, së cilës i u hapën dyert e botës dhe mundësia për t’u shkolluar në Vende të ndryshme, kjo dukuri e trashëguar do të arkivohej, duke hedhur poshtë opinionet e dashakeqëve të shqiptarëve mbi “pamundësinë” e tyre për të ndërtuar një shtet që të ishte shprehje e një shoqërie të qytetëruar.

Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Arsyet duhet t’i kërkojmë kryesisht në veten tonë, në konceptin, ende të fortë, se kundërshtari politik duhet asgjësuar, se e vërteta absolute është pronë vetjake, se “qëllimi justifikon mjetin” dhe se çfarëdo lloj mjeti është i dobishëm kur arrihet qëllimi. Po t’i shtojmë këtij bagazhi të trashëguar edhe ndonjë shembull negativ nga bota që na rrethon e të cilin e përvetësojmë pa vështirësi, kuadri plotësohet. Ai ka epiqendrat e tij kryesore në Kuvendet e Tiranës dhe të Prishtinës, ku skenat skandaloze janë të pranishme gjithnjë e më shpesh. “Duelet” neveritëse të personazheve të Tiranës gjejnë jehonë në skena të papërfytyrueshme të kuvendarëve të Prishtinës. Pamjet e ditëve të fundit në Kuvendin e Kosovës janë me të vërtetë rrënqethëse, për nga cilësia e lartë e huliganizmit. Gra të reja, që gjuajnë me vezë kryeministrin e Vendit apo hedhin bomba lotsjellëse në sallën e kuvendit, janë të pakonceptueshme si krijesa të botës shqiptare. Ato bëjnë të dridhen në varre eshtrat e Nexhip Dragës, të Hasan Prishtinës, të Bajram Currit, të Isa Boletinit, të Shotë Galicës, të Xhaferr Devës, të Marije Shllakut, të Shaban Polluzhës e sa e sa burrave e grave që përfaqësuan, që luftuan e flijuan jetën për Kosovën shqiptare. Cilido të jetë motivi i asaj sjelljeje nuk mund të përligjë kurrë atë qëndrim. Këtu nuk flitet më për etikë politike, por për shkelje të rendit publik, gjë e pakonceptueshme për cilindo përfaqësues të popullit.

Ka vite që në Kuvendin e Shqipërisë shpalosen akuza të ndërsjellta për korrupsion, për vjedhje, madje së fundi edhe për komplote vrasjesh. Populli voton deputetë njerëz të paditur apo të dënuar për krime ordinere jashtë shtetit, për më tepër milionerë në euro, e kjo përligjet me mungesën e një ligji që do të kërkonte certifikatën penale edhe të qëndrimit në Vendet e huaja. A është vetëm “naivitet” i papranueshëm mungesa e kësaj norme, kur gati gjysma e popullsisë shqiptare jeton jashtë Vendit? Sigurisht që jo. Përgjegjësia nuk mund të bjerë vetëm mbi atë forcë politike që i ka në gjirin e saj këta elementë, sepse ligji nuk u miratua as kur në fuqi ishte kundërshtarja  e saj.

Mungesa e etikës shpaloset çdo ditë në politikën shqiptare. Dukuria, si vazhdimësi, nis që me vitet e para të tjetërsimit të sistemit. Etika kërkonte që në impiantin administrativ të shtetit pas komunist, të bënin pjesë edhe përfaqësuesit e njerëzve të dhunuar  edhe ata të bashkësive shqiptare jashtë. U bë shumë pak në vitet e para në atë drejtim e që nga 1997 humbi çdo gjurmë e kësaj pranie. Etika kërkonte që, në vitet 90, të mos luftohej varfëria e shqiptarëve me mjete iluzore, mashtruese e të kundërligjshme, si “piramidat” financiare. Etika u shkel katërcipërisht kur, me dështimin e tyre, nuk u kthyen paratë e mbetura qytetarëve, siç u mundua të bëjë Qeveria Meksi në muajt e parë të 1997-ës, por u grabitën paturpësisht nga Qeveria Nano, që fitoi edhe zgjedhjet me premtimin e kthimit të tyre.

Etika nuk është vetëm mirësjellje me kundërshtarin në kuvend për sy e faqe, megjithëse edhe kjo është një dukuri e rrallë e për t’u vlerësuar. Etika është luftë për të drejtën, për moralen, mos pajtim me të keqen, me shthurjen, me veprimet kundërligjore, me idenë e përgjithshme se politika është mjeti për t’u pasuruar. Etika është e lidhur edhe me përfytyresën që kombi jep para botës, nga e cila, fatmirësisht, nuk jemi më të ndarë nga “perdja e hekurt”, por duam të bëhemi pjesë e saj përbërëse.

Çfarë kapitali politik mund të ketë një Vend, në të cilin hapur, prej vitesh fluturojnë paditë për krime të ndërsjellta dhe asnjë “kriminel” nuk dënohet, madje edhe kur jemi para faktit të katër qytetarëve të pa armatosur, të cilët vriten nga plumbat e shtirë nga ndërtesa qeveritare? Çfarë kapitali moral mund të paraqesim kur të tjerët na fotografojnë parcelat me kanabis e laboratorët e drogës në territorin tonë e kur nuk jemi në gjendje të kapim vrasësit e një oficeri në krye të detyrës, edhe se në atë veprim ishin angazhuar qindra forca të rendit? Çfarë besueshmërie mund të fitojmë kur u drejtohemi të huajve për personel hetues, sepse nuk jemi në gjendje të bëjmë një hetim që përfshin majat e shtetit, madje edhe kur na i bëjnë ato ekspertiza i nxjerrim si të pasakta? Çfarë besimi mund të frymëzojmë te të tjerët kur, për të zbatuar një rregull të pranuar në të gjithë botën, atë të pagesës së korrentit të konsumuar apo dhënien e kuponëve tatimore, duhet të bëjmë një “revolucion” e të shtojmë nenet e kodit penal? Çfarë reklame i bëjmë Vendit tonë dhe mundësive të tij për të qenë objekt tërheqës për kapitalin e huaj kur, në panairin më të rëndësishëm të ekonomisë botërore për ushqimin, siç qe EXPO 2015 në Milano, paraqitemi me një pavijon që ka një gur në hyrje e maketin e një mulliri me ujë brenda, veç projektimit të diafilmave mbi vlerat e personazheve tona të njohura? Fantazia e organizatorëve është aq e shterpët, saqë të mos gjejë mënyrën të paraqesë larminë e prodhimeve bujqësore, blegtorale apo të pemëtarisë, që klima e jonë mesdhetare na jep mundësi të shijojmë?

Do të ishte e padrejtë, pra edhe jo etike, të mos viheshin në dukje dhe ato shfaqje të politikës shqiptare që shkojnë në drejtimin e duhur. Qe një nismë e lëvdueshme e Qeverisë Berisha festimi i njëqind vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, një nismë që nuk gjeti kundërshtim tek Opozita, për sa i përket vlerësimit zyrtar të meritave të firmëtarëve. Qe një ide mbresëlënëse ajo e ekspozimit të portreteve të 40 martirëve të Kishës katolike shqiptare, në rastin e vizitës së parë në Evropë të Papës Françesku, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por… a pati ndonjë nismë lokale a qendrore për të emëruar ndonjë shesh, rrugë apo objekt kulturor me emrat e tyre? Nëse ata janë martirë, nuk duhet të jenë vetëm në fasadën e një dite, sado të rëndësishme, duhet të skaliten në kujtesën e një populli e jo vetëm në fjalët e ndonjë qeveritari në raste përkujtimoresh…

Është e lëvdueshme prirja për të nxjerrë në pah vlerat e vërteta të kombit në përballimin me kombet e tjerë, si harmonia fetare, shpëtimi i hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore, apo përkatësia shqiptare e Nënë Terezës, krenarisë sonë. Por këto vlera duhet të paraqiten në tërësinë e tyre të së vërtetës historike, për më tepër në kuadrin e trajtimit të tyre nga regjimi i diktaturës, shumë përfaqësues të së cilës, sidomos në sferën kulturore e intelektuale, janë përsëri veprues. Përndryshe paraqitja e vlerave mbetet gjysmake, nëse nuk shfaqet kuraja dhe burrëria të paditen kundër vlerat e sistemit komunist që, këtë pasuri të paçmuar të kombit, e përdhosi për një gjysmë shekulli. Si një ish fëmijë e atij kampi, nuk mund të mos falënderoj Qeverinë Rama për pllakën e vendosur në ish kampin e shfarosjes së Tepelenës dhe për fjalët e përfaqësueses së saj në atë rast, ashtu si edhe për vendimin e dëmshpërblimit për ata që kanë kaluar vite jete në atë skëterrë “socialiste”. Janë të lëvdueshme disa nisma të fundit mbi mbledhjen botërore të përfaqësuesve të besimeve fetare në Tiranë, por edhe ideja e ftuarjes së të rinjve serbë në Shqipëri, me rastin e ndeshjes së futbollit Shqipëri–Serbi. Meriton, simbas mendimit tim, një falënderim rendi publik për zhvillimin pa incidente të asaj veprimtarie sportive. Ishin këto disa nga përsiatjet e një qytetari të Shqipërisë, që mëton nga politika e Vendit të tij të jetë gjithënjë e më shumë bashkëngjitur etikës, vlerave, moralit. Ndoshta kjo dëshirë do të mbetet një iluzion i paarritshëm por, afër fundit të jetës, mund të jetë më e dobishme të përkundem në të.      

Në krye të këtij shkrimi solla një frazë të një Djaloshi, sa të madh në mendime e ideale, aq të ri në moshën e përjetshme, e dua ta mbyll po me një shprehje të Tij, që duhet të nxisë vazhdimisht brezin e Tij: “Ne jemi një grup të rinjsh të zhgënjyer nga realiteti, që ama ende besojmë, e duam të kontribuojnë në ndryshimin dhe përmirësimin e tij”. Kemi një nevojë të pamasë për ndryshimin dhe përmirësimin që uron filozofi ëndërrimtar, por a do t’ia arrijmë atij?
Botuar në Mapo

 

Papa në Tiranë. Kujtimet e gazetares Bumçi një vit pas vizitës

Më pak shqiptarë në Itali?