Akuzohen për korrupsionit pasiv, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre.
Tiranë 18 nëntor 2011 – Pas 7 muaj hetimesh, Seksioni Kundër Korrupsionit në Policinë e kryeqytetit, në bashkëpunim me Njësinë Taks Forcë në Prokurorinë e Tiranës, kanë finalizuar të enjten operacionin policor të koduar “Kalibrimi”, duke vënë në pranga 9 shtetas, zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës.
Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës bëri të ditur se “ky operacion, konsistoi në ekzekutimet e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 9 të arrestuarve”. Sipas saj, të ndaluarit akuzohen për korrupsionit pasiv, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre.
Të arrestuarit janë Roland Çelmeta, zëvendësdrejtor i përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, Moisi Musabelliu, drejtor i Drejtorisë Rajonale Metrologjisë dhe Kalibrimit Tiranë, si dhe inspektorët Kristaq Thanasi, Hetem Basho, Armand Xhika, Armand Shuaipi, Agron Damzi, Sokol Lami, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Meterologjisë dhe Kalibrimit Tiranë.
Strukturat Kundër Korrupsionit në Policinë e Kryeqytetit, filluan procedimin penal, bazuar në kallëzimin e depozituar nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë, ku dyshohej se disa punonjës të kësaj drejtorie, nuk derdhnin në arkën e shtetit, të gjitha të ardhurat që përfitoheshin nga kalibrimi i njësive të ndryshme të peshëmatjes.
Gjatë ecurisë së këtij hetimi, është konstatuar se, të pandehurit kryenin kalibrime fiktive të depozitave, distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, peshoreve të llojeve të ndryshme të supermarketove, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjendarive, mallrave të paketuar si dhe taksimetrat.
Nga hetimi, i deritanishëm, ka rezultuar se, shtetasit pasi merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave nuk i kalonin në arkën e shtetit. Po ashtu, në shumicën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e Tvsh-së si dhe u kërkonin ryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibrimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes.
Aktualisht, është arritur në përfundimin se shtetasit në bashkëpunim mes tyre, bënin kolaudimin fiktiv të distributorëve të karburanteve të naftës, duke bërë të mundur që subjekte të ndryshme që tregtojnë karburant apo gaz, të kenë mundësi që të përfitojnë duke shitur më pak nga sasia që tregojnë aparaturat.
Pas arrestimit të zyrtarëve të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë nën akuzën korrupsionit pasiv, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, vjedhje duke shpërdoruar detyrën si dhe shpërdorim detyre, ka reaguar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, METE. “Ministria distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, që abuzon me detyrën e shtetit. Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij”, thuhet në deklaratën për mediat.
Pas kësaj ngjarjeje, METE bën të ditur se do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë.