Komisioni i Ligjeve përgatiti raportin që iu dërgua deputetëve në seancën e sotme ku theksohej se edhe ky raund quhet i mbyllur, edhe pse nuk ka një kandidat zyrtar. Raundi i katërt më 11 qershor
Tiranë, 8 qershor 2012 – Siç parashikohej u mbyll pa asnjë rezultat raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit sepse mungon një kandidat i pranuar nga të dyja grupimet kryesore politike. Më pas u vendos që raundi i katërt të zhvillohet ditën e hënë, më 11 qershor, në orën 10:00.
Pasi tre raundet e para dështuan, tani mund të zhvillohen edhe dy të tjerë. Në to, ndryshe nga të mëparshmit, mjafton një shumicë prej 71 votash, dhe jo me 84 që duhen për tre raundet e para.
Akuzat e ndërsjella nuk ndalen. Secila palë akuzon tjetrën për dështimin e seancave.
Për herë të parë kryeministri Sali Berisha tregoi hapur preferencën e tij personale: “Zonja Topalli për mua do përfaqësonte vendin në mënyrë dinjitoze. Por unë nuk jam njeri ultimatumesh. Unë nuk vë kushte, të jetë Shegushe Ligori, Gramoz Ruçi as Mimi Kodheli. Unë dola mbi bindjet e mia, u ngrita mbi to, pavarësisht se për mua, njeriu që do të përfaqësonte në mënyrë dinjitoze do ishte Topalli. U ngrita mbi bindjet e mia që presidenti të vinte nga radhët e PD dhe pranova me aleatët Zaganjorin, kandidaturë jopolitike” tha kreu i qeverise.
Ilir Meta, lideri i LSI thekson sërish mbështetjen për kandidaturën e gjyqtarit Xhezair Zaganjori, ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Gramoz Ruçi akuzon mazhorancën, në mënyrë të veçantë Sali Berishën për dështimet e seancave të deritanishme.