in

Presidenti i Shqipërisë. Dështon raundi i parë i votimit

“Fumata nera”, kështu do të quhej në Itali – duke marrë hua termin nga procesi për zgjedhjen e Papës – përfundimi pa asnjë rezultat i raundit të parë të  votimit për presidentin e ri të Republikës. Ky raund u zhvillua pa asnjë kandidaturë pasi nuk arrit konsensus për kandidaturën e paraqitur nga mazhoranca qeverisëse për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori.

Kandidati i maxhorances, Xhezair Zaganjori
Tiranë, 30 maj 2012 – Kuvendi konsumoi të mërkurën pa hyrë në votim raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Ndonëse në konkurrim nuk u paraqit asnjë kandidat, sipas ligjit votimi quhet i kryer. 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pasi vlerësoi kandidaturën e Xhezair Zaganjorit të propozuar nga maxhoranca, tha se raundi i votimit quhet i kryer.

Ajo njoftoi për thirrjen menjëherë të Konferencës së Kryetarëve për të vendosur datën për zhvillimin e raundit të dytë për votimin e presidentit të Republikës.

Kandidatura e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori nuk u paraqit sot për votim pasi ajo më parë,  nuk ishte depozituar në komisionin e Ligjeve.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm diplomatë të akredituar në Tiranë, si ambasadori i SHBA-së, Arvizu, i BE-së, Sequi etj.

Edhe pse kryesisht një figurë ceremonial, presidenti ka fuqi legjislative dhe emëron Prokurorin e Përgjithshëm dhe shefin e shërbimit sekret shqiptar.

Partitë politike shqiptare do të kenë edhe katër raunde për të zgjedhur kreun e ri të shtetit. Në dy raundet e ardhshme, presidenti zgjidhet me 84 vota ndërsa në dy raundet e fundit do të mjaftojnë edhe 71.

Grupi parlamentar i PD-së ka 66 deputetë dhe bashkë me partitë e koalicionit qeverisës (LSI 4, PDIU 2 dhe PR 1) numri i deputetëve shkon në 73.

Kush është Xhezair Zaganjori

Prof.Dr. Xhezair Zaganjori, i lindur në Shkodër në vitin 1957, është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981.

Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i së Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë.

Gjatë viteve 1992-1997 ka qenë Ambasador i Republikës së Shqipërisë në RF të Gjermanisë. Në vitin 1993 merr gradën shkencore “Doktor i Shkencave Juridike” dhe në vitin 2009 “Profesor”. Ka qenë bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, Heidelberg. Në vitin 1991 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. Është autor i një sërë botimesh shkencore brenda dhe jashtë vendit. Është pjesëmarrës aktiv në Kongrese e Konferenca të ndryshme ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Që nga viti 2003 ushtron funksionin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Berisha: “Sollëm kandidat jo politik, që i k shërbyer popullit dhe kombit”

Kyeministri Sali Berisha vlerësoi të mërkurën në Kuvend kandidaturën e maxhorancës, anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Xhezair Zaganjori, ndërsa ka ftuar opozitën të shqyrtojë edhe njëherë atë.

“Ne u vetëkufizuam, nuk sollëm politikanë por një kandidat, i cili në 20 vite i ka shërbyer vendit dhe kombit. Është një kandidat i cili u angazhua në vitet 90-të në Lëvizjen Demokratike, si shumica këtu. Ky kandidat ishte një drejtues i shkëlqyer katedre, u ngarkua me një detyrë, përfaqësues i Shqipërisë në një nga selitë më të rëndësishme për vendin”, u shpreh Berisha.

Kreu i ekzekutivit, ftoi opozitën që “në rast se dilni dt nga bllokimi dhe doni të faktoni se nuk keni qëllim të bllokoni procesin e integrimit, studioni më mirë këtë kandidaturë”. Sipas tij,” kandidati Zaganjori, në otimet në Gjykatën Kushtetuese jo 1 por disa herë ka gjykuar jo në interes të qeverisë por në të kundërtën e saj”.

Ilir Meta: “Xhezair Zaganjori është kandidaturë serioze”

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta vlerësoi të mërkurën kandidaturën e Xhezair Zaganjorit, të propozuar nga maxhoranca, duke theksuar se procesi i nisur duhet parë me seriozitet. “Rrallë si një kandidat tjetër kandidati konkret gërsheton përvojën diplomatike me përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, si dhe përvojën në fushën e gjyqësorit dhe kjo është një nga sfidat kryesore, përfshi përvojën akademike”, tha Meta.

Ai vlerësoi “angazhimin e maxhorancës, edhe pse të vonuar, për të hapur këtë proces, për të parë përtej vetes, për ta çliruar nga një politizim i tepruar, që kishte nisur prej muajsh dhe për t’i dhënë vendit nje president që bashkon sa më shumë”.Kreu i LSI-së kërkoi që ky moment politik të çmohet, sepse kandidati dhe cilësitë e tij janë tepër serioze për t’u vlerësuar dhe se një zgjidhje e suksesshme për çështjen e presidentit do të ndihmojë edhe në shumë reforma të tjera.

Ruçi: “Opozita u përjashtua nga negociatat”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi duke konfirmuar sot në Kuvend gatishmërinë e PS-së për ngritjen e një procesi konsensual në zgjedhjen e Presidentit të ri, akuzoi maxhorancën se e ka përjashtuar opozitën nga negociatat për kandidaturën për Kreun e shtetit.   

“Opozita shqiptare që në momentet e para i ka ofruar maxhorancës dakordësinë e saj dhe vullnetin e lirë politik që të shikojnë tejet interesave të ngushta partiake për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Por, në vend të kësaj ka ndodhur e kundërta. Opozita është përjashtuar nga ata që duhet të dialogojnë”, tha kryetari i grupit të PS-së.     

“Në demokraci, vijoi ai, kundërshtarin nuk e zgjedh dot, jemi të dënuar të punojmë bashkë. Dialogu nuk bëhet midis vetes, por me kundërshtarët, i cili ka munguar deri më sot. Negociatat nuk bëhen me partnerët, por me kundërshtarin, siç nuk i keni bërë ju (maxhoranca). Procesi nuk bëhet midis vetes, por me kundërshtarin dhe ju nuk e keni bërë. Konsensusin e kërkon Kushtetuta, nuk kërkohet mes vetes, ju nuk e keni bërë. Ja pse ne i jemi përgjigjur ftesës suaj”, tha Ruçi.    

Duke iu drejtuar deputetëve të shumicës ai theksoi se “kemi plot gjëra që na ndajnë dhe plot të tilla që na bashkojnë”.     

Ruçi theksoi se raundi i parë i votimit në Kuvend për presidentin e ri duhet të ishte një sinjal pjekurie. “Por, për fat të keq jemi sërish në të njëjtën situatë si pesë më parë, në vitin 2007, e njëjta seancë formale pa kandidatë, ku aktorët politikë flasin për negociata, pa asnjë rezultat dhe sot është i njëjti regjisor dhe skenarist dhe ku po prodhohet i njëjti teatër”, vuri në dukje Ruçi.    
Kuvendi nisi punimet e seancës plenare ku është parashikuar të konsumohet raundi i parë i votimit për Kreun e ri të shtetit.     

Një grua për Pesident. Po cilën?

Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë i ka bërë sot apel politikës shqiptare që të marrin në konsideratë propozimin e tyre, duke bërë të mundur që për herë të parë, në historinë e saj, Shqipëria të ketë në krye të shtetit një Presidente femër.

Përmes një deklarate për mediat Koalicioni për Nxitjen e Pjesëmarrjes së Grave dhe të Rinjve në Politikë shprehet se “nisur nga fakti se gratë dhe vajzat në Shqipëri kanë sot përfaqësimin më të ulët politik në vend, ka ardhur koha që partitë politike të mendojnë seriozisht për zgjedhjen e një kandidateje grua për Presidente të Republikës”.

“Në Shqipëri ka një numër të madh të grave me karrierë të shkëlqyer shoqërore, të cilat janë kandidate potenciale për postin e Presidentes dhe zgjedhja e një gruaje në këtë post nuk do të ishte një nder, apo ‘lëshim’ që iu bëhet grave, por një nder që i bëhet pozicionit kushtetues të Presidentit. Zgjedhja e një gruaje në krye të shtetit do ta zbuste klimën e ashpër dhe mosbesuese që mbizotëron në politikën shqiptare dhe do të krijonte një imazh të rëndësishëm përpara qytetarëve shqiptarë, BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni.

Gratë në Shqipëri përbëjnë thuajse 50% të popullsisë, ndërsa zenë vetëm 14 % të vendeve në Parlament, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit në Evropë përsa i përket përfaqësimit të grave në jetën politike të vendit.

Një sanatore për të paguar rindërtimin në Emilia

Lejeqëndrim për një vit për ata që humbasin vendin e punës. Senati aprovon normën e re