Napolitano: “Roma e Tirana të dinë të përfitojnë nga mundësitë që ofron prania e një komuniteti shqiptar të integruar më së miri në Itali”
Tiranë, 28 nëntor 2014 – Presidenti i Republikës Italiane, Giorgio Napolitano ka uruar me një mesazh Presidentin Bujar Nishani me rastin e Festës së Flamurit.
“Me rastin e Festës Kombëtare dëshiroj t’Ju shpreh, në emër të popullit italian dhe në emrin tim personal, urimet më të mira për begatinë e popullit shqiptar. – shkruan Napolitano që kujton – Arritja më e fundit, fitimi i statusit të Vendit kandidat, shpërbleu angazhimin e Tiranës në rrugëtimin e saj europian, të cilin Italia e mbështet me shumë vendosmëri me bindjen se nga përafrimi i Shqipërisë me Institucionet europiane po përfton e mund të përftojë dhe më shumë përfitime stabiliteti i gjithë Rajonit të Ballkanit”.
Në vlerësim edhe të komunitetit shqiptar në Itali, gjë që kish bërë edhe në fjalën e tij para Kuvendit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në marsin e shkuar, presidenti Napolitano shton: “Besoj gjithashtu se Tirana dhe Roma do të dinë të përfitojnë nga mundësitë që ofron prania e një komuniteti shqiptar të integruar më së miri në Itali si dhe një vëmendje gjithnjë në rritje e sistemit prodhues italian ndaj Shqipërisë, duke dhënë kështu ndihmesë në konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve të hershme të miqësisë mes dy vendeve tona”.
Me këtë frymë si dhe me kujtimin akoma të gjallë të takimit tonë para pak kohësh në Tiranë, shpreh urimet më të zjarrta e më të përzemërta për mirëqenien Tuaj personale dhe të popullit mik shqiptar.” – përfundon mesazhi i Presidentit Napolitano drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar.
Lexo edhe: Napolitano: “Imigrantët shqiptarë, faktor zhvillimi për Italinë dhe Shqipërinë”