Organizuar nga Qendra e Kulturës Shqiptare
Romë, 12 mars 2018 – Të mërkurën më 21 dhe të enjten 22 mars 2018, publiku i Torinos dhe i Astit do të mund të ndjekë për të parën herë filmin dokumentar Pritja (L’Attesa). I frymëzuar nga vizita e Papa Françeskut në Tiranë më 21 shtator 2014, Roland Sejko, regjisor e skenarist i Pritjes, rrëfen mohimin e lirisë së besimit, persekutimin e autoriteteve fetare, shkatërrimin e simboleve të kulteve fetare në Shqipërinë e diktaturës komuniste.
Në të dyja shfaqjet e filmit do të jetë i pranishëm e do të marrë fjalën edhe autori Sejko, i njohur nga publiku i gjerë për filmat “Shqipëria, vendi përballë” (Albania, il Paese di Fronte) dhe Anija/La Nave, film me të cilin fitoi çmimin prestigjioz David di Donatello 2013, si dokumentari më i mirë i vitit.
Në Torino, Pritja do të shfaqet më 21 mars në orën 19:30 pranë Polo del ‘900 (në via del Carmine, 14) dhe pas filmit do të ketë një koktejl. Ndërsa në Asti, më 22 mars në orën 20:30 në Spazio Kor (në piazza San Giuseppe, 1).
Bashkë me regjisorin do të marrin fjalën edhe Marcella Filippa, Fondacioni Vera Nocentini, Marco Goria, President i Fondacionit Giovanni Goria, dhe Benko Gjata, Qendra e Kulturës Shqiptare.
Në të dyja shfaqjet e filmit, hyrja është falas.
In italiano: L’Attesa di Roland Sejko anteprime a Torino e Asti