Këshilli i Ministrave ka miratuar rregulloren zbatuese të marrëveshjes së integrimit nga e cila do të varet i ashtuquajturi lejeqëndrim me pikë. Me ardhjen në fuqi të kësaj rregulloreje (katër muaj pas shpalljes në gazetën zyrtare), marrëveshja e integrimit – me një bonus fillestar prej 16 pikësh – duhet të nënshkruhet nga të huajt që sapo hyjnë në Itali me moshë nga 16 deri në 65 vjeç. Pas dy vjetëve do të kontrollohet nëse i huaji ka arritur të mbledhë 30 pikë
Më 20 maj këshilli i Ministrave ka miratuar skemën e rregullores zbatuese që përcakton se si do të jetë marrëveshja e integrimit që i huaji duhet të nënshkruajë në çastin kur kërkon lëshimin e lejes së parë të qëndrimit, dhe kriteret e mënyrat për përfitimin dhe humbjen e krediteve të marrëveshjes së integrimit në periudha të caktuara. Në rregullore parashikohet që marrëveshja e integrimit të nënshkruhet nga të gjithë të huajt me moshë 16-65 vjeç që vijnë në Itali nga çasti kur rregullorja të vijë në fuqi.
Praktikisht, i hapet rruga lejeqëndrimit me pikë, të parashikuar rreth një vit më parë, mes të tjerash, nga paketa e sigurisë. Qeveria, në mbledhjen e saj të datës 20 maj, miratoi skemën e rregullores zbatuese për lejeqëndrimin me pikë, me disa ndryshime jo indiferente në favor të imigrantëve. Kështu nëse në tekstin fillestar të rregullores parashikohej që i huaji që sapo hynte ta niste pa pikë “rrugëtimin e tij të integrimit” për të arritur të mblidhte në dy vjet 30 pikët e nevojshme për përtëritjen e lejes së qëndrimit, në tekstin përfundimtar të miratuar nga qeveria parashikohet që i huaji sapo vjet në ketë një dhuratë prej 16 pikësh dhe nënshkruan “marrëveshjen e integrimit” me të cilën angazhohet të çojë në 30 numrin e pikëve gjatë dy vjetëve të parë. Duke arritur njohjen në një nivel të pranueshëm të gjuhës italiane (A2), njohjen e mjaftueshme të parimeve themelore të Kushtetutës, të institucioneve publike dhe të jetës qytetare në Itali, veçanërisht përsa i përket shkollës, shërbimeve shoqërore, punës dhe detyrimeve fiskale. Me nënshkrimin e marrëveshjes i huaji angazhohet edhe që do të çojë fëmijët të ndjekin shkollën e detyrueshme dhe deklaron se pranon “Kartën e vlerave, të qytetarisë dhe të integrimit të ministrisë së Brendshme”.
Si do t’i arrijë këto? Brenda një muaji nga nënshkrimi i marrëveshjes duhet të ndjekë kurse falas nga 5 deri në 10 orë “formimi qytetar dhe informacionesh mbi jetën qytetare”; në këto kurse do t’i tregohen edhe “iniciativa në mbështetje të procesit të integrimit” (por nuk dihet se ç’nënkuptohet me këto iniciativa). Ndërsa për gjuhën, ende nuk është shumë e qartë se si e ku do ta mësojë, kjo pikë e rregullores është miratuar me formulën “salvo intese” që do të thotë se miratohet në bllok por duhet rishqyrtuar. Dhe meqë integrimi do të matet me kredite, do t’i japë pikë të huajit çdo hap përpara që do të hedhë: ndjekja e kurseve por edhe veprime si zgjedhja e mjekut të familjes, regjistrimi i kontratës së qirasë, hapja e një aktiviteti privat apo vullnetarizmi. Nga ana tjetër pikët hiqen nëse i huaji dënohet penalisht, edhe me sentencë jopërfundimtare, apo kryen shkelje administrative e tatimore.
Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes Sporteli unik për imigracionin do të marrë në shqyrtim dokumentet e paraqitura nga i huaji (certifikata që dëshmojnë ndjekje kursesh apo shkolle) ose, në mungesë të dokumenteve, do t’i bëjë atij një test. Qoftë testi, qoftë shqyrtimi i dokumentacionit do të përfundojë me një shumë pikësh. Nëse i huaji mbledh të paktën 30 pikë, marrëveshja konsiderohet e respektuar dhe e mbyllur, nëse i huaji ka nga 1 deri në 29 pikë konsiderohet ‘i mbetur në klasë’ dhe i jepet një vit tjetër për përmbushjen e marrëveshjes dhe nëse nuk ka asnjë pikë të huajit i dekretohet dëbimi nga Italia.
Në tekstin përfundimtar të rregullores parashikohet që të përjashtohen nga detyrimi i marrëveshjes së integrimit të rinjtë që përmbushin ciklin e arsimit të detyrueshëm, personat invalidë dhe viktimat e trafikut njerëzor.
Keti Biçoku