Hyrje jashtë kuotave të flukseve dhe mundësi për të punuar edhe në vende të tjera të BE-së. Këshilli i Ministrave aprovon dekretin legjislativ që favorizon hyrjen e qëndrimin në Itali të punonjësve me kualifikim të lartë. Pritet botimi në Gazetë Zyrtare që teksti të hyjë në fuqi
Romë, 7 qershor 2012 – Karta blu, super-lejeqëndrimi për të huajt me kualifikim të lartë (figura profesionale të nivelit të lartë) që duhet të tërheqë në Itali punonjësit e huaj më të kualifikuar, tashmë është realitet.
Sot pasdite këshilli i ministrave ka aprovuar përfundimisht dekretin lgjislativ me të cilin do të përvetësohet “direktiva 2009/50/BE mbi kushtet e hyrjes dhe të qëndrimit të shtetasve jokomunitarë që do të kryejnë punë me kualifikim të lartë”. Tashmë pritet vetëm botimi i tij në Gazetën Zyrtare.
Skema e dekretit e miratuar fillimisht më 16 mars nga qeveriadhe që mori pëlqimin e dy dhomave të Parlamentit i ishte kthyer Qeverisë për miratimin përfundimtar.
Teksti parashikon që punonjësit me kualifikim të lartë të mund të vijnë në Itali jashtë kuotave të flukseve dhe të pajisen me një lejeqëndrim të veçantë, “Kartë blu BE”. Titullarët e Kartës blu mund të sjellin në Itali familjarët e tyre e pas një viti e gjysmë mund të shkojnë në një vend tjetër të BE-së për të punuar.
Ndërmarrjet do të mund të paraqesin kërkesa për ta në çdo moment të vitit, por duhet t’u garantojnë kontratë të paktën për një vit dhe një rrogë të lartë (të paktën tre herë më të lartë se kufiri minimal nën të cilin nuk paguhen shpenzimet shëndetësore, pra, rroga vjetore nuk duhet të jetë më e ulët se 25 mijë euro).
“Përvetësimi i normativës komunitare kontribuon në përmbushjen e objektivave të Lisbonës mbi rritjen, duke tërhequr e mbajtur punonjës me kualifikim të lartë që vijnë nga vende të treat përmes vendesh të reja e më të mira pune” lexohet në komunikatën e botuar nga Qeveria në fund të Këshillit të Ministrave.
Elvio Pasca