Italianët kanë mësyrë në Shqipëri dhe plot 19.000 syresh bëjnë lloj-lloj punësh që nga bankierët, inxhinierët, kuzhinierët, menaxherët, teknikët e me radhë. Këtij kontingjenti të madh në vitet e fundit po i shtohen me dhjetëra e qindra studentë, që mbarojnë studimet mjekësore në Tiranë, në një Universitet shqiptar, por me infrastrukturë italiane dhe me diplomë të njohur në Itali. Në një farë mënyre është një ‘kolonizim’ i butë me tru i Shqipërisë. Revista Java kontaktoi me katër studentë italianë dhe ka marrë prej tyre përshtypjet e jetës në kryeqytetin shqiptar
Nga Ben ANDONI
Gjëja më paradoksale kur prezantohesh me studentët italianë, që janë të ankoruar në Shqipëri për të mbaruar studimet e lëna nga vendi i tyre, është përballja e gjuhës. Njësoj si prindërit e tyre ata e kanë të pamundur të kuptojnë se një shqiptar nuk mund të flasë italisht. Por, djemtë dhe vajzat e reja italiane, të pas 20-tave që e kanë lënë vendin e tyre për të mbaruar studimet e tyre mjekësore kanë kohë që i kanë lënë steorotipet e tyre. Atë të përçmimit dhe neglizhimit të shqiptarëve. Janë ata tani që studiojnë dhe mundohen të përfitojnë nga Shqipëria në një universitet shqiptaro-italian. Giuseppe Russo, 29 vjeçar, që ka ardhur nga Kalabria, është pika fokale e tyre në universitetin “Zoja e Këshillit të mirë”.
Giuseppe
Arbëresh? “Jo! Jam nga Rosano dhe kam ardhur për të mbaruar studimet e mia për stomatologji” . Krahasuar me studentët e tjerë ai është më i përshtaturi. “Një mentalitet pak a shumë”, na thotë duke buzëqeshur. Kalabrezi kryeson një shoqatë të studentëve italianë, por është i rezervuar për të dhëna të detajuara. Emërtimi është pak patetik, si të gjithë patetizmat e emrave që vendosin në përgjithësi studentët. “Associazione Figli D’Ippocrate” merret me studentët italianë në Tiranë dhe i ndih ata. Pse vinë shpesh e më shpesh në Shqipëri? Arsyeja, e pyesim djalin në Rektoratin e Universitetit “Zonja e Këshillit të Mirë”, teksa qëndron bashkë me tre bashkatdhetarët e vet. “Është ekonomik si vend. Universiteti është shqiptar, por më shumë italian prej diplomës që njihet tek ne dhe i gjithë shpenzimi shkon aty te 8000 Eurot”. Kjo është arsyeja që psikologë, analistë të tregut të punës dhe këshillues të studentëve, por sidomos patetikë që kapen vazhdimisht me politikën italiane, po e promovojnë shumë këtë trend të rinisë italiane për të ardhur në Tiranë. Koha e Shqipërisë, është një togfjalësh simbolik, që për ta do të thotë se: vendi nga ku niseshin dikur refugjatë drejt tyre, i ka ardhur radha të presë ata si refugjatë. Pak cinike, por që në brendësi ka të vërtetën e madhe se: Italia e sotme e kërrusur nga kriza dhe nga zgjidhjet e modeleve të dobëta ekonomike, nuk po i përgjigjet hapit të kohës. Për fat, Universiteti ku studiojnë katër djemtë para nesh ruan standarde të larta. Mësimet janë në Italisht dhe gjuha që mbizotëron në auditoret e shkollës është vërtet italishtja. Nuk është se Shqipëria ka qenë prova e tyre e parë, pasi shumë prej këtyre 400-500 studenteve që vërtiten në këtë vend, kanë provuar dhe Rumaninë dhe Bullgarinë, por kushtet shqiptare ndryshojnë krejtësisht. I vemi problem ka qenë propaganda e keqe, më thotë Giuseppe, që ne e kemi lënë pas krahëve sepse në këtë vend ndjehemi vërtetë mirë. “Të mendosh në Rumani për të njëjtën kohë do të duheshin plot 12.000 Euro që t’ia dalësh veç shpenzimeve të tjera. Dhe, këto janë vërtetë barrë për familjen tonë”. Giuseppe banon në Bllok, njësoj si shumica e italianëve dhe me këtë t’i zgjidhë kërshërinë sesi shumë e më shumë italianë sorollaten Bllokut të shpenguar në gjuhën e tyre. Toka që u jepte vetëm imazhe të këqija, tani është model sepse çuditërisht burokracia jonë është më e pakët dhe mbi të gjitha jeta është e lirë. Giuseppe më bën një llogari të thjeshtë dhe ajo që thotë se me qiranë prej 450 Euro që paguan bashkë me një shokun e tij afër Bllokut, jo vetëm e bën të kënaqur, por edhe i lehtëson shumë kushtet e familjes prej nga vjen…
Adriano
Adriano Verde, që i qëndron përbri, është prototipi i çapkënit. Njësoj studion për stomatologji dhe vjen nga Latina. Tifozi i Lacios është krejt i kënaqur sepse ka gjetur argëtimin e tij. Është më i vogli i dy vëllezërve dhe familja që kish dëgjuar për këtë mundësi, nuk hezitoi kur ai nuk mundi të mbaronte shkollën në vendin e tij. Ata i propozuan që të provonin Shqipërinë. Në një farë mënyre dhe “si dënim“. Mëdyshja e tij e pati cakun e pakët sepse ndërkohë kishte marrë vesh nga italianë të tjerë se Shqipëria ishte krejt ndryshe, nga ato që thuheshin shpesh. “Zhgënjimi” më i madh ishte kur mbërriti në Shqipëri. “Ky vend është i mrekullueshëm. Nuk ka shumë mundësi argëtimi si në Itali, kjo është e vërtetë, por është një qytet evropian. Dhe, ne merremi vesh shumë mirë me moshatarët tanë shqiptarë”, më sqaron. Nuk ishte nevoja t’u thoshte pak muaj më vonë prindërve dhe vëllezërve se e kishin dënuar mirë. Qesh vazhdimisht dhe është tejet i lirshëm. Në Shqipëri ndjehesh vërtetë mirë, na shpjegon. “Shkojmë mirë me studentët shqiptarë, e më shumë nuk e ndjejmë fare problemin e shkollës pasi Fakulteti i Mjekësisë dhe Odontoiatrisë i ka diplomat ekuivalente me universitetet italiane”. E shoh pak me dyshim. Janë vërtetë ngelësa. Nuk mund t’i pyesim për etikë. Kohë më parë portali studenti.it shkruante se kush nuk arrin të marrë në Itali provimin për fakultetet mjekësore e provon në Tiranë. Madje Corriere della Sera e konfirmoi edhe me shifra, kur shkroi se plot 596 të rinj italianë shkuan për të mbrojtur testin e hyrjes në fakultetin e Mjekësisë dhe të Odondoiatrisë së universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Dhe, ngelësit në përgjithësi ia dalin mirë në Shqipëri në Fakultetet për Mjekësi, Stomatologji, Infermierë. Fundja jetesa është më e lirë se në Itali, më thotë dhe “prindërit janë të kënaqur dhe me humor për Shqipërinë edhe pse dikur as nuk do ta mendonin që unë mund të studioja këtu”, qesh djali.
Giacomo
Ai s’flet shumë, por ndihmon në logjikën e arsyetimit. Edhe ai studion për stomatologji. Ka trup atleti dhe duhet të jetë koshient që është simpatik sepse e ruan në qëndrimin e tij shumë sportiv. Ai ndihmon shpesh edhe në përkthim dhe flet më mirë anglisht krahasuar me bashkëkombasit e vet. Por është tejet serioz. Ka mbiemrin Melandri dhe mu këtu nis biseda. Melandri, si motoçiklisti, e pyesim. “Tamam si ai, por nuk jemi gjë fare. Italia është vend i madh dhe ne kemi shumë gjëra të tilla, kur mbiemrat janë afër njëri-tjetrit”. I ka të dy prindërit stomatologë. Djali është nga Cervia në Ravena dhe është më i ri se shokët e tij. 23 vjeçari shpesh tregon seriozitet, por edhe ka ambicie të spikatur. “Nënës i vinte keq që do vija në Shqipëri dhe ishte shumë e shqetësuar”. Realisht s’është vetëm më seriozi por dhe më konkreti në pretendimet e tij. Shpjegon se kërkesat që u bëhen janë të mira dhe nxitëse, por megjithatë ka shumë probleme, që duhet të zgjidhen. “Infrastruktura shqiptare është disi kaotike dhe ty të lajmërojnë për provime vetëm pak ditë më parë. Nuk është mirë. Por nuk më duket shumë arsyeshëm dhe pjesa ku ushqehemi. Mund të ishte më mirë”. Mendon se mund ta ngremë si shqetësim. “Kjo varet nga ju, por unë nuk thashë se janë keq”, e kthen i dyzuar. E pyes për kohën e lirë. “Unë bëj palestër, luaj futboll. Më pëlqen shumë futbolli, por edhe kemi mundësi të shkojmë në vende argëtimi rinore. Por s’ka shumë tek ju”. Po sa i përket artit. “Nuk e njoh fare dhe për këtë ndjehem keq”, na thotë,-“por s’do të thotë që nuk do doja të shikoja shfaqje dhe shumë gjëra të tjera”. Ruan shumë miqësi me shqiptarët, por mbi të gjitha familja është e kënaqur me performancën e tij këtu. I ka ardhur e ëma, e cila mbetet e befasuar nga Shqipëria dhe nga zhvillimi i vendit. “Shumë shpejt Shqipëria do të zhvillohet shumë, por mbeten shumë gjëra që ju mund t’i rregulloni pa humbur energji të kota”, më thotë në mënyrë filozofike. E drejton pak arsyetimin dhe shembujt e tij te kaosi i shërbimit urban, me të cilin vinë shpesh në shkollë, me pastërtinë, por edhe kushtet në shkollë, që për ta lenë ende shumë për të dëshiruar.
Guglielmo
Guglielmo është më i heshtur, por edhe dyshues dhe nuk ia përcaktoj dot moshën. Ai dyshon më shpesh dhe pyet vazhdimisht përse e pyes, anipse edhe pse i është përsëritur disa herë. E ndihmon Adriano dhe Giacomo, por vetëm për pak dhe 24 vjeçari do “të çelet”. Ai është edhe eksperti që e njeh Shqipërinë më mirë. Pse? “Kam të fejuarën shqiptare”, më thotë. Është roman. Reagimi me batutën për të fejuarën shkakton të qeshura sepse vërtetë di më shumë se shokët e vet. Ai njeh mentalitetin por ajo që shton është se Shqipëria nëse do të kishte dhe më shumë shkolla të këtij niveli, do të kishte shumë më tepër studentë. Arsyeja është e thjeshtë: “Shqiptarët janë shumë e shumë miqësore. Të duket vetja sikur je në vendin tënd. Kurse në Rumani e Bullgari mungon kjo lloj dashurie dhe miqësie”. Është i mendimit se ndajnë shumë gjëra me shqiptarët, por mbi të gjitha shpresën e tyre dhe mënyrën sesi shqiptarët i ndijnë në të përditshmen. ‘’Kostoja e jetesës është e ulët, krahasuar me vendin tonë dhe me këtë i kemi ndihmuar dhe njerëzit tanë në një farë mënyre”’, më thotë djali që gjithsesi mbetet dyshues. “E kemi marrë vesh këtë mundësi shkollimi përmes italianëve të tjerë në Shqipëri dhe nuk hezituam edhe pse prindërit kishin frikë në fillim”. Kur ata kanë ardhur në Shqipëri janë mahnitur, na thotë. Mbi të gjitha me përshtatjen e shqiptarëve dhe nivelin që kanë arritur. Fillimisht u kanë bërë përshtypje ndërmarrjet e përbashkëta, shumë call-center (Gruppo Abramo, Teleperformance, Infocall, Teletu, Transcom, Grid di Marina Salamon, por edhe shumë iniciativa të tjera. Duket sikur edhe e folura e telefonistëve shqiptar është italiane dhe shpesh edhe më e mirë se jona, thoshte prindi i një studenti italian. Që ka mbetur i kënaqur edhe për shpenzimet shumë më modeste të qëndrimit dhe sjelljen e të birit, që në fillim ankohej. “Më mirë pak se hiçgjë”.
…
‘’Zoja e Këshillit të Mirë’’, është i vetmi institucion që jep diploma të barazvlefshme me disa prej universiteteve të Italisë. Ajo është e binjakëzuar me Tor Vergata të Romës (kronikat e këqija ende vazhdojnë të kujtojnë rastin e “Troftës” Renzo Bossi dhe të diplomave me pagesë) dhe kjo është shpresë për shumë studentë italianë me të ardhura jo shumë të larta. Procedura është thjeshtë: jep një test, regjistrohesh në Tiranë, vazhdon shkollën dhe fiton një diplomë të barazvlefshme me atë italiane pa pasur nevojën e ekuivalentimit të lodhshëm. Leksionet bëhen në italisht në Fakultetet e Mjekësisë dhe Stomatologjisë, degëve të Fizioterapisë dhe Infiermerisë. Biseda me djemtë bëhet më e lirë dhe kap shumë e shumë anë.
Edhe për ta, Tirana është shansi i dytë pas problemeve të vendit të tyre. Tashti në histori mund të përfshish pafund italianë, një pjesë e tyre bankierë, inxhinierë, ndërtues, punëtorë të kualifikuar, punëtorë, artizanë, elektricistë, saldatorë, mekanikë, punues mermeri. Por edhe avokatë, mjekë, arkitektë, studentë. Janë operatorët e call center-ave, mësues, sportistë dhe më së shumti ata studentë. Mes tyre shquhet emri i Gianni De Biasi, që kish mbetur në Mediaset në rolin e komentuesit, para se më vitin 2011, Federata Shqiptare do i besonte kombëtaren. Ai e tha në mënyrën më simbolike të gjithë këtë trend: “Gomonet që shqiptarët kanë lënë brigjeve të Italisë i përdorin italianët për të ardhur këtu”. Por çudi trendi s’mbaron me italianët e rinj, pasi janë edhe shumë pensionistë, që me ardhjen dhe jetesën këtu kursejnë shumë më tepër se në vendin e tyre, që është vetëm një orë larg me katër udhëtimet ditore me avion.
Epilog
Kolonistët italianë në Shqipëri ishin realisht ata mijëra bujq dhe punëtorë, që me urdhër të Musolinit pas pushtimit italian të Mbretërisë së Shqipërisë në 1939, u transferuan në mënyrë ë “italianizonin” Shqipërinë. Të 35.000 italianët që erdhën, respektivisht 11.000 bujqit dhe 22.000 punëtorët lanë atë që se bëri dot pushtimi: punët cilësore dhe mbi të gjitha edukatën italiane të punës. Ata pak italianë që mbetën do të iknin përfundimisht më 1992, për t’u zëvendësuar me këtë valë të rinjsh dhe të brezit të mesëm, më së shumti Klasa e mesme italiane, që shtohet nga dita në ditë dhe që përbën ‘kolonizimin’ e Shqipërisë, këtë herë veç kallove edhe me arsim. Shqipëria po kthehet në një kamerdare shpëtimi të Italisë në këtë fillim shekulli. Këtu biseda mbyllet. Djemtë shpërndahen në auditore. Ndahemi në mënyrë korteziale, asaj të cilës pinjollët e një vendi plot maniera nuk i kanë shpëtuar dhe e ruajnë me fanatizëm sërish në ish koloninë e tyre, tashti strehë e tyre.