in

Reforma e pensionit në Shqipëri. Shtohen vitet e kontributeve, ngrihet mosha e daljes ne pension e grave

Sipas dy opsioneve të reja të prezantuara nga ministri Veliaj ruhet periudha minimale e sigurimit për të përfituar pension, që do vazhdojë të mbetet 15 vjet, por do të rriten gradualisht mosha për daljen në pension e grave për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032, si edhe vitet e kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025. Shkarko Dokumentin e politikave të Pensioneve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë

“Skema aktuale e pensioneve jep pensione shumë të ulëta për qytetarët shqiptarë dhe nëse nuk reformohet, në të ardhmen pensionet do jenë akoma më të ulëta. Reforma që ne kemi hartuar ka si synim themelor që qytetarët shqiptarë të kenë pensione më të larta në të ardhmen, sigurisht në përputhje me kontributet që kanë derdhur”, kështu ka deklaruar sot Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, duke cilësuar “Projekt të rritjes së pensionit për shqiptarët” dokumentin e reformës së pensioneve që u paraqit sot publikisht në Arkivën Qendrore të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama.

Në të njëjtin drejtim edhe fjala e Tahsin Saje,  përfaqësuese e Bankës Botërore të Shqipërisë, që ka ndihmuar në përpilimin e dokumentit të reformës: “Nëse nuk derdhen kontribute rrezikohet e ardhmja e pensioneve. Është një proces që duhet kuptuar gjërësisht dhe në kohën e duhur. Skema e pensioneve ka nevojë për reformim”

Sipas dy opsioneve të reja të prezantuara nga ministri Veliaj ruhet periudha minimale e sigurimit për të përfituar pension, që do vazhdojë të mbetet 15 vjet. Me reformimin e sistemit të pensioneve do të rriten gradualisht mosha për daljen në pension e grave për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032, si edhe vitet e kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025.

Sipas opsioneve të prezantuara, për të pasur një pension sa më të lartë, gjithkujt do t’i interesojë të deklarojë jo vetëm sa më shumë vite pune, por edhe pagën reale që fiton. “Kjo do të nxisë edhe deklarimin e pagës reale dhe do të ulë numrin e qytetarëve që punojnë në të zezë”, tha Veliaj.

Nga ana tjetër, ministri Veliaj nënvizoi se, deri më sot, të vetëpunësuarit në bujqësi kanë derdhur shumë më pak kontribute se të vetëpunësuarit në qytet, ndërkohë që marrin një pension thuajse të barabartë me ta. “Rreth 60% të kontributeve për fermerët i derdh shteti për ta, ndërsa me kontributet direkte të fermerëve përballohen vetëm 19% të shpenzimeve për përfitime që ka skema e fshatit. Në dy vitet e ardhshme kontributet e fshatit do të barazohen me kontributet e të vetëpunësuarve në qytet”.

Sa i takon çështjes së pensioneve suplementare për funksionarët e lartë, do të ketë një rishikim të skemës, mosha e daljes së tyre në pension do të rritet, ndërsa për kategori të caktuara si minatorët do të ulet.

Risitë e reformës së sistemit të pensioneve në Shqipëri

Sipas Opsionit të parë:

* Ndryshimi i formulës së llogaritjes së pensionit në:

P=PS+Sh

– P është masa e pensionit mujor;
– PS është pensioni social, masa e të cilit është jo më e lartë se sa masa e pensionit të pjesshëm që arrihet nga skema kontributive;
– Sh është shtesa vlera e së cilës është 1% e vlerës së bazës së vlerësueshme për çdo vit, e cila përfaqëson raportin e kontributeve mesatare në vitin aktual me kontributet mesatare të viteve të mëparshme.

* Rregulla të sakta e strikte për indeksimin e masës së pensionit, duke parashikuar vetëm indeksim me inflacionin.

* Heqja e tavanit të pensionit maksimal.

* Njëhësimi i pagës minimale kontributive me pagën minimale zyrtare dhe indeksimi i pagës maksimale kontributive me rritjen e pagës mesatare.

* Rritja e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025.

* Rritja graduale e moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032. Që nga viti 2032 mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit duke arritur në 67 vjeç për të dy sekset në vitin 2056.

* Heqja e privilegjeve për njohjen e periudhave të sigurimit pa paguar kontribute për gratë, siç është njohja e viteve të studimit si vite të siguruara.

* Përmirësimi i mënyrë së llogaritjes së pensioneve për nënat me shumë fëmijë dhe pensionet familjare duke përcaktuar si moshë për përfitimin e pensionit nga

bashkëshortët, moshën e daljes në pension.

* Rritja e normës së kontributit për zonat rurale duke barazuar kontributet e fermerëve me ato të zonave urbane deri në vitin 2017.

* Përmirësimi i formulës së pensioneve të zonave rurale. Sot, një fermer që ka mbi 17 vjet e gjashtë muaj sigurime në shtet ose si i vetëpunësuar, përfshi edhe sigurimet në kooperative, përfiton pension shteti. Kjo periudhë sigurimi do të rritet gradualisht (1 vit në vit) deri në shuarjen tërësore të njohjes së periudhës si ish kooperativist.

* Vendosja e elementeve dekurajuese për dalje në pension të parakohshëm dhe inkurajimi i daljes vonë në pension.

* Pensionistët aktualë do të vazhdojnë të përfitojnë pensionin ashtu si në të shkuarën dhe masa e pensionit do të rritet çdo vit ashtu siç e parashikon ligji, në përputhje me inflacionin.

Sipas Opsionit të dytë:

Ky opsion propozon reformin rrënjësor të skemës aktuale duke lëvizur drejt sistemit me llogari nocionale. Ky sistem funksionon sipas parimit Pay-As-You-Go, njësoj si skema aktuale, çka do të thotë se kontributet aktuale përdoren për të përballuar shpenzimet për përfitimet aktuale. Sidoqoftë, sistemi nocional paraqet një ndryshim thelbësor krahasuar me sistemin aktual. Kjo sepse ky sistem është dizenjuar për të imituar një sistem privat me kontribute të përcaktuara ku masa e pensionit përcaktohet nga historia e kontributeve të individit dhe norma e fitimit të tyre, vetëm se në këtë sistem norma e fitimit nga kontributet është nocionale, e përcaktuar nga qeveria, dhe jo produkt i investimit të tyre në tregjet financiare.

Realizimi i kësaj reforme kërkon marrjen e masave të mëposhtme:

* Ndryshimi i formulës së llogartijes së masës së pensionit: Në një sistem të llogarive nocionale, kontributet mujore regjistrohen dhe atyre iu caktohet një normë interesi. Norma e interesit lidhet me rritjen e pagave në shkallë vendi. Kështu, formula e llogaritjes së pensionit do të ishte:

P=(Ka+F)/Jm

– P është masa e pensionit;
– Ka është shuma agregate e kapitalit të akumuluar gjatë gjithë viteve kur janë derdhur kontribute;
– F është fitimi nocional i akumuluar gjatë viteve si rezultat i aplikimit të normës nocionale të interesit;
– Jm është jetëgjatësia mesatare e popullsisë në moshën e daljes në pension.

– Pra, në momentin e daljes në pension, shuma agregate e kapitalit të akumuluar dhe fitimet “nocionale” pjesëtohen me jetëgjatësinë mesatare dhe kthehen në një pension vjetor, i cili më pas konvertohet në pensione mujore.

* Përfshirja e detyrueshme në këtë skemë e të gjithë personave që kanë lindur pas dates 01/01/1978 ose që kanë hyrë për herë të parë në tregun e punës pas datës 01/01/1994.

* Të gjithë personat që kanë hyrë në tregun e punës para kësaj date, do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit aktual të pensioneve, por të reformuar sipas propozimeve të bëra në opsionin e parë.

* Vendosja e një pensioni social për të gjithë ata që nuk kanë kontribuar mjaftueshëm sa për të marrë një pension nga sistemi nocional. Ky pension do t’u jepet të gjithë personave mbi 70 vjeç që 5 vitet e fundit kanë qenë rezidentë në Shqipëri. Ai do të ketë si kusht tjetër verifikimin e të ardhurave dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

* Pensionet suplementare shtetërore, skemat profesionale për profesionet e vështira dhe fondet private të pensioneve do të reformohen sipas rekomandimeve të bëra në opsionin e parë.

Shkarko Dokumentin e politikave të Pensioneve të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe të Rinisë

 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Social Card për imigrantët. Ditët e fundit për të kërkuar shumat e prapambetura

1943-1945: Italia e Albania{br}Memorie, scritture, immagini, canti della Resistenza