Depozitohen propozimet e ligjeve të fushatës “Italia jam edhe unë”. Brezat e dytë menjëherë italianë, në zgjedhje administrative të gjithë të huajt me qëndrim të rregullt prej të paktën pesë vjetësh
Romë, 6 shtator 2011 – Të premten e shkuar janë depozituar në Kasacion dy propozime për ligj me iniciativë popullore për reformimin e ligjit të shtetësisë dhe për t’u dhënë të drejtën e votës administrative imigrantëve. Nis praktikisht kështu fushata “Italia jam edhe unë”, e promovuar nga 19 shoqata mes të cilave Acli, Arci, Caritas, Cgil, Fondacioni Migrantes dhe Sei Ugl, të bashkuara në një komitet të kryesuar nga kryebashkiaku i reggio Emilias Graziano Delrio.
Reforma e shtetësisë duhet të përgjysmojë kohën e natyralizimit, pra duke e çuar nga dhjetë në pesë vjet rezidencë të rregullt. Risia kryesore ka të bëjë me brezat e dytë: duhet të jetë italian kush lind në Itali nga një prind me qëndrim të rregullt këtu prej të paktën një viti apo nga një prind i lindur në Itali, por edhe kush frekuenton një cikël shkollor apo kur vjen në Itali me moshë deri në dhjetë vjeç dhe qëndron këtu deri kur mbush moshën madhore.
Ndërsa propozimi mbi të drejtën e votës parashikon që edhe imigrantët me rezidencë të rregullt në Itali prej të paktën pesë vjetësh të jenë zgjedhës aktivë dhe pasivë në zgjedhjet për minibashkitë, komunat, provincat dhe krahinat. Për të pasur këtë të drejtë, ata duhet të regjistrohen në një listë elektorale të posaçme, siç bëjnë sot qytetarët komunitarë për të marrë pjesë në zgjedhjet komunale.
Me depozitimin në Kasacion të dy teksteve, mund të nisë mbledhja e firmave. Nevojiten 50 mijë për secilin propozim për ta paraqitur më pas në Parlament. Në Romë, ditët e ardhshme do të ngrihet një stendë ku kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm eksponentë të botës së kulturës, spektaklit dhe të politikës që përkrahin përmbajtjen e fushatës.
“Sot – theksojnë promovuesit e fushatës “Italia jam edhe unë” – në Itali jetojnë mbi 5 milionë persona me origjinë të huaj. Shumë prej tyre janë fëmijë e të rinj të lindur apo të rritur këtu, që megjithatë, vetëm kur të mbushin 18 vjeç do t’u jepet mundësia të marrin shtetësinë italiane, shpesh, duke i hyrë një rruge të gjatë burokratike”.
“Kjo – shtojnë ata – sjell pabarazi e padrejtësi, kufizon mundësinë e një integrimi të plotë, shkon kundër parimeve kushtetuese që përcaktojnë barazinë mes individëve dhe angazhojnë shtetin të zhdukë pengesat që vështirësojnë arritjen e këtij qëllimi”.