in

Remitancat e emigrantëve në kohë krize dhe rëndësia e tyre për Shqipërinë

Një ndihmë e madhe në rritjen ekonomike të Shqipërisë është dhënë dhe vazhdon të jepet nga remitancat, paratë që mbi një milion emigrantë të shpërndarë nëpër botë, kryesisht në Itali e Greqi) vazhdojnë të dërgojnë në familjet e tyre të origjinës. Por kohët e fundit, remitancat kanë rënë. Kjo shpjegohet me përkeqësimin e situatës ekonomike në Greqi e Itali, shtetet kryesore nga ku dalin remitancat me destinacion Shqipërinë
Nga Sonila ÇELOALIAJ

Qeveritë dhe analistët financiarë në mbarë botën janë duke u përpjekur vitet e fundit për të limituar shtrirjen e krizës financiare në vendet e tyre. Kjo krizë financiare mund të shndërrohet lehtësisht në një krizë humanitare për shkak të një kërcënimi – potencialisht të rrezikshëm – që po u shpaloset si vendeve të zhvilluara, ashtu dhe atyre në zhvillim: ulja e fluksit të remitancave, një fluks që pas shumë dhjetëvjeçarësh, vitet e fundit po precipiton.

Gjatë periudhave të krizave të mëparshme ekonomike është vënë re se fluksi i remitancave ka ngelur i pandryshuar, madje në disa raste ai është rritur, tendencë e shpjegueshme me faktin se në kohë krize kush jeton jashtë vendit të tij, mundohet të dërgojë më shumë të ardhura në shtëpi për të ndihmuar familjen e vet në vështirësi financiare. Kriza aktuale e ka zanafillën pikërisht nga vendet e zhvilluara e po përhapet në të gjithë rajonet e tjera, duke marrë në këtë mënyrë dimensionet e një krize globale; emigrantët e çdo shteti qofshin, në Veri apo Jug të botës, janë prekur nga kjo krizë e për herë të parë nga viti 1980 remitancat drejt vendeve në zhvillim janë duke u pakësuar.

Kjo rënie e pati kulmin e saj në katërmujorin e parë të 2010-s, duke filluar një rritje graduale deri në ditët e sotme, me përqindje te variueshme në vendet e ndryshme të botës.

Shqipëria dhe remitancat

Edhe pse gjatë vitit 2011 situata ekonomike ka qenë e qëndrueshme, me një rritje të PBB prej 3%, dinamikat e luhatjeve të fluksit të remitancave përsa i përket Shqipërisë është shënuar një rënie të fluksit te remitancave.

Kjo është e shpjegueshme me krizën e thellë që vendet mikpritëse kryesore të emigracionit shqiptar janë duke kaluar.

Dhe janë pikërisht vendet e zonës së Bashkimit Europian dërguesit kryesorë të remitancave me 90,7% të tyre. Italia dhe Greqia, dy vendet fqinje, pa dyshim, janë “remittance corridors” më të rëndësishëm për Shqipërinë, duke furnizuar përkatësisht 38,6 dhe 41,9% të dërgesave totale. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë vetëm me 8,1% të tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në raportin vjetor të 2011-s kemi një diferencë negative vjetore midis flukseve hyrëse të remitancave gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2011, edhe pse kjo normë rënëse në muajt e fundit të 2011-s ka ardhur duke u zvogëluar. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011 flukset hyrëse të remitancave ranë me 10,7%, ndërsa në tremujorin e tretë kjo rënie ishte vetëm 2%. Ky ndryshim shpjegohet pikërisht me përkeqësimin e situatës ekonomike në Greqi e Itali, shtetet kryesore nga ku dalin remitancat me destinacion Shqipërinë. Duke pasur parasysh se kjo situatë e vështirë nuk është duke ndryshuar, parashikohet se edhe remitancat, si një nënprodukt i kësaj ekonomie, do të vazhdojnë në rënie.

Po ashtu, sipas parashikimeve të Komunitetit Europian, në një raport mbi situatën ekonomike në vend, rënia e remitancave përgjatë pesë viteve të fundit është kompensuar nga një dinamizëm i Investimit të Huaj Direkt. Por, duke konsideruar një përkeqësim të kushteve financiare globale, një dëshirë për investime të rrezikshme, një volum të  Investimit të Huaj Direkt të pamjaftueshëm e një vazhdimësi në rënien e remitancave, mund të kemi një përmirësim të menjëhershëm të kërkesës apo rezervave vendase. Kjo për arsye se këto pengesa strukturale, përfshirë edhe një periudhë investimesh josolide, kanë cenuar rëndë konkurrencën duke penguar në këtë mënyrë tërheqjen e investimeve të huaja të vlefshme për vendin.

Edhe pse duke filluar nga viti 2009, Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të rajonit, ka pësuar efektet e krizës financiare e ka ndier prishjen e ekuilibrave ekonomikë, ka ndërmarrë me rezultate pozitive shumë procese reformative të brendshme. Rritja e PBB, mbas një ngadalësimi të dukshëm në 2009-n, ka arritur sidoqoftë të jetë pozitive në krahasim me vendet e tjera të rajonit.

Midis të tjerave, një ndihmë e madhe në këtë drejtim është dhënë dhe vazhdon të jepet nga remitancat, që mbi një milion emigrantë të shpërndarë nëpër botë (kryesisht në vendet e Europës Perëndimore, si Italia e Greqia) vazhdojnë të dërgojnë në familjet e tyre të origjinës. Këto remitanca ndihmojnë në mënyrë të konsiderueshme në plotësimin e një pjese të mirë të këtij gap-i ekonomik që kriza financiare gjithmonë e më shumë po lë mbas.

Dërgesat nuk hyjnë më në të njëjtin volum si para vitit 2009; kemi një ulje të konsiderueshme fluksesh hyrëse, të cilat gjatë viteve të fundit kanë pësuar rënie në krahasim me vitet pararendëse me gati 10-15% të volumit të tyre. Po ashtu, nëse në vitet 2008-2009 remitancat përbënin gati 11-12% të PBB-së, në dy vitet e fundit kjo përqindje është ulur; tani dërgesat konsistojnë në gati 7-8% të PBB-së aktuale. Por, sidoqoftë, edhe pse në një volum më të reduktuar, dërgesat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre kanë një rëndësi të madhe si në një nivel mikroekonomik, ashtu edhe në një nivel makroekonomik. Në aspektin mikroekonomik këto burime monetare kontribuojnë në uljen e varfërisë, duke dhënë një ndihmë të çmuar në përmirësimin e kushteve socialo-ekonomike të familjes së origjinës. Në të njëjtën kohë, remitancat marrin një dimension makroekonomik;  janë të një vlere të madhe përsa i përket mbarëvajtjes së ekonomisë së vendit, duke garantuar një stabilitet ekonomiko – financiar e duke plotësuar një deficit tregtar të pashmangshëm.

Shifrat e dhëna më sipër, sidoqoftë, janë vetëm një pjesë e totalit të përgjithshëm të remitancave. Është e vështirë të kesh të dhëna të sakta e statistika reale përsa u përket flukseve hyrëse, pasi mënyrat e dërgimit të remitancave, në pjesën më të madhe të rasteve, nuk janë të regjistruara zyrtarisht; këto dërgesa kalojnë nëpërmjet  kanaleve joformale, “dorazi”, të mbartura nga vetë emigrantët gjatë kthimit të tyre në familje apo nëpërmjet të njohurve e familjarëve të tyre. Pjesa që dërgohet me anë të kanaleve zyrtare transferohet kryesisht nëpërmjet sistemeve të transferimit të parave, ose, siç quhen ndryshe, Money Transfer Organisations, të cilat, edhe pse kanë një kosto relativisht të lartë, preferohen për komoditetin, shpejtësinë e mungesën e procedurave burokratike. Ajo që rezulton deri tani është se transferimi i parave nëpërmjet institucioneve bankare apo postale është një procedurë tejet marxhinale dhe e përdorur minimalisht nga emigrantët jashtë Shqipërisë.

Megjithatë, ajo që rezulton nga iniciativat e marra është se institucionet financiare shtetërore, në bashkëpunim me organizatat e kompanitë ndërkombëtare, po punojnë për një lehtësim të procedurave të dërgimit të remitancave nëpërmjet sistemeve bankare e postale.

Lexo shkrimin të plotë në Panorama.com.al: Remitancat dhe luhatja e fluksit të tyre në kohë krize

 

PDIU dorëzon në Kuvend rezolutën për çështjen çame

Sanatoria rihapet për të vonuarit