in

Rëndësia dhe mangësitë e politikave shqiptare të thithjes së trurit

Ka disa vite që në Shqipëri ka lindur debati politik për programin e “rikthimit të trurit”. Të paktën nga viti 2006, i mbështetur nga PNUD-i, Qeveria ka përpiluar disa hapa mbi mundësimin e këtij programi. Dhe këto dy vitet e fundit debati është thelluar, sepse nga njëra anë është mbështetur nga organizatat ndërkombëtare dhe nga sektori privat që kërkon një plotësim të çështjes si pjesë e domosdoshme për konkurrencës në vend, dhe nga ana tjetër është ngadalësuar nga Qeveria Shqiptare si rrjedhim i mangësive themelore në ligj, që në vend që ta ndihmojë e pengon procesin

Debati është përhapur dhe në mediat shqiptare. Vitin e kaluar gazeta Shekulli titullonte një artikull “Kundër retorikës së kthimit” duke këshilluar arkivimin e tij, të cilit i përgjigjej aspirata nga jashtë e të kualifikuarve nën zërin e një të diplomuarës në Universitetin Oxford të Londrës, Mirela Bogdani.
Komuniteti shqiptar në Itali është një nga më të interesuarit po të konsiderojmë që në këtë vend janë regjistruar rreth 11.000 studentë shqiptarë për vitin 2008-2009, në universitet: Ekonomi, Mjekësi, Inxhinieri, Shkenca Sociale, Drejtësi, etj., dhe që në vitin 2007, ndër 5842 të diplomuar, 17.3% ishin shqiptarë. Vëmendja politike duhet të mendojë këto shifra si shenjë e aftësisë së madh dhe vullneti jo vetëm për t’u integruar por dhe për të pretenduar më shumë nga vetvetja dhe nga kushtet e jetë, të paktën për atë pjesë që ia del t’i shpëtoj punës jo kualifikuese që largon ambiciet profesionale.

Procesi Brain Gain, “kthimi i trurit” e kundërta e Brain Drain, “largimi i trurit”, dëshiron “thirrjen” e tij dhe bazohet mbi praktikën e përfitimit duke marre përvojën dhe ekspertizës e shqiptarëve të kualifikuar (d.m.th., të diplomuar në nivele universitare ose pasuniversitare, si dhe kërkimtarë shkencorë), jashtë vendit dhe nga diaspora. Këto praktika kanë origjinën e tyre në vendet anglofone (Amerikë, Kanada, Angli) ku, për më tepër, praktikohet imigracioni i përzgjedhur i trurit, dhe janë pikërisht organizatat e lindura në këto vende që i janë drejtuar qeverisjes shqiptare për të thirrur jo imigrantë çfarëdo, siç aplikojnë këto vende, por shqiptarë që dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre.
Po ta mendojmë këtë proces politik si një listë me disa hapa, ata mund të rreshtohen si në vazhdim: mbështetje financiare (bonuse në rroga, kredi për blerjen e banesave me interesa më të ulëta për ata të cilët janë rikthyer pas mbarimit të masterit apo studimeve doktorate, si dhe grante nxitëse për ata të cilët punojnë në administratën publike dhe kanë studiuar jashtë vendit për të marrë pjesë në të paktën dy konferenca në vit); lehtësi rekrutimi në administratën publike (kush ka studime master ose PhD jashtë vendit ka të drejtë për pikë bonus gjatë konkurrimit për pozicionet e lira në administratën publike, me 20 pikë për ata që kanë diploma master dhe 30 për ata me PhD); institutet kërkimore dhe bota akademike është përpjekur të mbështesë rekrutimet për pozicionet e pedagogëve dhe kërkuesve shkencorë të kualifikuar jashtë vendit, duke favorizuar punësimin e individëve që zotërojnë master ose titullin doktor dhe përfshirjen e tyre në programet e ekselencës ose në programet e bashkëpunimit shkencor (p.sh Programi i Shtatë Kuadër, SF7).
Në Shqipëri, kjo politikë nisi rrugën e saj nga viti 2004, ku Qeveria aprovoi strategjinë për “Inkurajimin e punësimit në administratën publike të studentëve që kanë studiuar jashtë’’, dhe nga viti 2005, i caktoi prioritet çështjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor, duke u orientuar mbi përmbytjen e fenomenit të largimit të trurit në rikthimin e tij, strategji kyçe kjo për “Migrimin në procesin e zhvillimit”, i cili jo vetëm ka ndihmuar ekonominë me dërgesat e parave, por dhe është kandiduar për të rritur nivelin e ekspertizës në vend. Në vitin 2006 u nënshkrua një marrëveshje mes qeverisë shqiptare dhe PNUD-it, për periudhën 2006-2010, që lehtësoi përgatitjen e programit për një angazhim më të madh të Diasporës Shqiptare në zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Marrëveshja kishte dy qëllime kryesore:
Së pari, krijimi i një ambienti mikpritës për ata që rikthehen në Shqipëri në mënyrë që t’i inkurajojë të kontribuojnë në zhvillimin social, politik dhe ekonomik të vendit.
Së dyti, krijimi i kuadrit ligjor për integrimin e plotë të këtyre personave në administratën publike. Për të përfituar nga paketa nxitëse Brain Gain, individi duhet të këtë përfunduar studimet master ose doktorature jashtë vendit me rezultate të mira dhe të jetë kthyer në Shqipëri pas datës 30 qershor 2007. Ndonëse në  vitin 2008, Qeveria hapi më shumë se 400 vende pune në universitete , dhe gjatë vitit 2009, një numër prej 526 nëpunësish civilë përfituan nga paketa mbështetëse e Programit, përfshirja në krijimin e rrjetit të diasporës rezulton disi e vakët, ngaqë shumë elemente mungojnë akoma.

Aty ku shndërrohet retorika mbi kufizimet në dobishmëri
Përveç faktit që disa e mendojnë këtë politikë si “diskurs për t’u arkivuar se nuk i shërben as Shqipërisë as shqiptarëve” (Ardian Vehbiu, Shekulli, 2009), analizat e bëra mbi këtë proces shqyrtojnë që politikat e hartuara në vend deri më tani vuajnë nga kufizime të ndryshme për të qenë efikase. Shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të një ambienti mikpritës dhe të një tregu pune tërheqës, me konkurrencën e nevojshme për të inkurajuar mendjet të jetojnë jashtë vendit, të kontribuojnë në zhvillimin brenda vendit të tyre.
Së pari, programi Brain Gain nuk përbën akoma një institucion të konsoliduar me kompetenca të qarta për të nxitur procesin, përveç sitit të krijuar nga PNUD-i dhe qeveria shqiptare për të shërbyer dhe si bankë të dhënash, nuk janë krijuar lidhjet e duhura për ta shfrytëzuar plotësisht.
Së dyti, deri tani, politikat e thithjes së trurit mbulojnë vetëm sektorin publik. Aktualisht ekzistojnë lidhje të dobëta mes institucioneve shtetërore dhe atyre private për sa i përket koordinimit në përfshirjen e personave të kualifikuar jashtë vendit, dhe pse ai mund të jetë më i preferuar në aspektin teknologjik dhe infrastrukturor në krahasim me sektorin shtetëror për ambientin më konkurrues dhe meritokratik.
Së treti, procedurat janë të gjata, të paqëndrueshme dhe të kushtueshme për njohjen e diplomave të huaja nga institucionet shqiptare. Mëndej, institucionet kërkimore dhe universitetet nuk kanë mobilizuar dhe fuqizuar programe të përshtatshëm që të shërbejnë si një faktor nxitës përcaktues, nëpërmjet investimit në kërkime, zhvillim dhe inovacion.
Nga një pikëpamje më e gjerë, procedura jo-transparente dhe jo-demokratike për tu promovuar profesionalisht në shoqëri, e bëjnë mjedisin pak konkurrues, sepse shumë elementë të jetës publike mbeten ‘’shumë të mbyllur’’.

Politikat e reja duhet të fokusohen në kontributin e të kthyerve të kualifikuar për rritjen e kapaciteteve të administratës shqiptare në radhë të parë për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian.
“Mbledhja e trurit” duhet të jetë një prioritet për politikën Shqiptare, e cila ndihet pak a shumë e tmerruar nga të kualifikuar të nivelit të lartë që konkurrojnë për postet më të larta të institucioneve. Pikërisht këta politikanë duhet të mësojnë që shqiptarët mund të valorizojnë në vend pasionin, ambicien profesionale, jetën e tyre vetjake dhe  familjare, duke bërë kompromise për motive socialo-familjare, por të dobishme për vendin.
Nga një këndvështrim më optimist mund të pohohet që shqiptarët e kualifikuar vazhdojnë të kthehen me ritëm modest, por të qëndrueshëm. “Shqipëria sot, ka nevojë për mësues, mjekë dhe nëpunës publikë të përkushtuar, që vënë interesin e përgjithshëm mbi të gjitha, të gatshëm për të jetuar e punuar në zonat e thella, ku ka më shumë nevojë për përcjelljen e kulturës”. Duke mos lërë mënjanë dhe vjetërsinë ose profesionalizmin e krijuar nga punonjësit në vend, duhen shfrytëzuar dhuntitë, aftësitë intelektuale, përgatitjen e specializuar, pasionin për punë dhe për t’u shërbyer të tjerëve. Duhet siguruar një bashkëpunim më produktiv me sektorin privat në përfshirjen e kapitalit njerëzor në demokratizimin e shoqërisë.
Shqipëria, sot, ka fatin e pranisë së një pasurie të akumuluar ekspertësh në diasporë që i shërbejnë si një burim i vlefshëm informacioni dhe ekspertize për zhvillimin e vendit, e cila duhet valorizuar. 50 vjet i mjaftuan regjimit për të nxjerrë jashtë loje çdo vlerë që mund të sillte “truri” i lirë shqiptar. 20 vite i mjaftuan “trurit” shqiptar për t’u kalitur lirisht jashtë vendit, duke i shtuar vlerë pranisë shqiptare kudo në botë.
Pra moskthimi në atdhe të atyre që shkollohen, specializohen dhe rriten profesionalisht në vendet e zhvilluara është humbje e panevojshme – përveç se strategjikisht e gabuar – edhe e palogjikshme nga ana etike për zhvillimin shqiptar.

Dorina Patuzi
Afërdita Shani

Lexo edhe: Studentët dhe dilema e kthimit në atdhe

Entet lokale hedhin poshtë marrëveshjen e integrimit

Një bashkëpunim i sanksionuar me ligj, por ende i munguar