in

Rinasi. Sa milionë euro shtesë do t’u kushtojë shqiptarëve klauzola e monopolit?

Qeveria shqiptare deklaroi se ka arritur një marrëveshje për të hequr klauzolën e monopolit nga kontrata koncesionare e aeroportit të Rinasit, një marrëveshje që shoqërohet me vite shtesë në kontratë, të cilat ka gjasa do t’i kushtojnë shqiptarëve disa dhjetëra milionë euro më shumë
Nga Gjergj Erebara,
BIRN

Tiranë, 2 prill 2016 – Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaroi më 1 prill se ka arritur një marrëveshje në parim me kompaninë që disponon koncesionin në regjim monopoli të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës për të hequr klauzolën e ‘ekskluzivitetit’ në shkëmbim të zgjatjes së afatit të kontratës aktuale të koncesionit.

Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi se kompania ka pranuar të heqë dorë nga monopoli me kushtin që kontrata e saj të zgjatet për dy vjet menjëherë si kompensim për uljen e mundshme të të ardhurave nga fillimi i punës në Aeroportin e Kukësit si dhe me shtimin e afatit të kontratës me 0,5 vite për çdo vit pune që do të kryejë një aeroport i ri i mundshëm në jug të Shqipërisë.

“Është ditë e rëndësishme për aviacionin shqiptar, po hapim një faqe e re të zhvillimit të infrastrukturës. Besoj që qytetarët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e re,” deklaroi Haxhinasto, i cili theksoi se marrëveshja nuk do të ketë “kosto shtesë për shtetin shqiptar”.

Gjithsesi, zgjatja e kontratës së koncesionit më tej nënkupton njëkohësisht zgjatjen e kostove për konsumatorët shqiptarë, kosto që në një situatë normale nuk do të ekzistonin.

Qeveria socialiste shqiptare nënshkroi një kontratë koncesioni të pakërkuar në vitin 2004 me një kompani gjermane për zhvillimin dhe menaxhimin e aeroportit të Rinasit për një afat 20 vjeçar, kontratë që u kritikua që gjatë kohës së shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë si e pafavorshme për vendin, pasi i lejonte kompanisë koncesionare fitime të stërmëdha në kurriz të konsumatorëve më të varfër të Europës dhe që përcaktonte një monopol ligjor 20 vjeçar në tregun shqiptar të fluturimeve ndërkombëtare. Kontrata skadon në vitin 2025 sipas afatit aktual dhe mund të shtyhet deri pas vitit 2027 në rast se marrëveshja e arritur miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Por pavarësisht kritikave, qeveria e kohës përdori shumicën që kishte në parlament për ta miratuar kontratën dhe nuk mori parasysh kritikat që thoshin se një aeroport tjetër që në atë kohë qe duke përfunduar me kosto ndërtimi mbi 12 milionë dollarë, Aeroporti i Kukësit, po dënohej me vdekje që pa lindur për shkak të klauzolës së ekskluzivitetit.

Qeveria shqiptare e kuptoi shpejt problemin dhe tentoi disa herë që nga viti 2006 e pas që të negocionte heqjen e klauzolës së ekskluzivitetit, por pa sukses. Aeroporti i Rinasit përfitoi nga rritja e shpejtë e numrit të udhëtarëve si dhe nga tarifat e majme që pati përfituar gjatë negocimit të kontratës duke realizuar fitime marramendëse në vendin më të varfër të Europës. Një investigim i BIRN zbuloi se Rinasi kishte fitime neto prej 8 deri në 10 milionë euro në vit dhe normë fitimi neto mbi ardhurat prej 20-30 për qind, norma fitimi të lakmueshme këto për çfarëdolloj biznesi. Shtyrja e afatit me dy vjet ia rrit automatikisht faturën e koncesionit qeverisë shqiptare me 16-20 milionë euro të tjera. Ndërkohë, nëse qeveria shqiptare krijon një aeroport të ri në jug të vendit, aeroport që rezulton i domosdoshëm dhe financiarisht i përballueshëm për një vend që synon të zhvillojë turizmin, shtimi i afatit të koncesionit me 0,5 vite për çdo vit ekzistence të aeroportit të ri mund të kushtojë milionë euro të tjera.

Lexo shkrimin të plotë në Reporter.al: Rinasi, miliona euro shtesë për klauzolën e monopolit

 

Vjedhin bakër e vënë në rrezik furnizimin me ujë të pijshëm të Romës. 4 arrestime

Shitën gomerët dhe blenë makina