in

Rio 2016. Shqipëria me 6 sportistë, Kosova, me 8, pjesëmarrëse për herë të parë

Me një ceremoni madhështore, Brazili u ka dhënë mirëseardhjen mëse 10 mijë atletëve nga mbarë bota

Lojërat Olimpike Rio 2016, nisën zyrtarisht në orën 20:00 braziliane dhe në 01:00 të natës me italianen, me një ceremoni hapëse spektakolare, plot efekte speciale, që u mbajt në stadiumin Maracanã në prani të rreth 60 mijë spektatorëve dhe të “blinduar” nga forcat e sigurisë. Flakën Olimpike e ndezi Cordeiro de Lima dhe jo Pelè, pasi ky i fundit nuk mundi të marrë pjesë për shkak të problemeve shëndetësore. Do të mbyllen më 21 gusht.

Atletë nga 206 vende të botës si dhe një ekip refugjatësh kanë ardhur në Brazil për të konkurruar në 42 disiplina sportive.

Do të jenë mbi 10.500 sportistë nga 207 delegacione, një shifër rekord kjo, që do të konkurrojnë në Rio, përfshi Ekipin Olimpik të Refugjatëve, ndërsa merr pjesë për herë të parë edhe Kosova dhe Sudani i Jugut.

Kosovën do ta përfaqësojnë sportistët: Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova (xhudiste), Urata Rama (shenjtare), Vijona Kryeziu (atlete), Lum Zhaveli (notar), Rita Zeqiri (notare), Musa Hajdari (atlet), Qëndrim Guri (çiklist).

Ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet me 6 sportistë në Lojërat Olimpike të Rios. Me Luiza Gegën në atletikë, Nikol Merizajn (not), Izmir Smajlajn (atletikë), Sidni Hoxhën (not), Evangjeli Velin dhe Briken Caljen në peshëngritje.

Ekipi Olimpik të Refugjatëve do të konkurrojë nën flamurin olimpik dhe ka 10 anëtarë, 5 nga Sudani i Jugut, dy nga Siria, dy nga Republika Demokratike e Kongos dhe një nga Etiopia.

Me 554 sportistë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë delegacionin më të madh në këtë Olimpiadë, ndërsa atleti i 100 metrave, Etimoni Timuani, është i vetmi sportist i delegacionit të kombit ishullor të Paqësorit, Tuvalu.

Për të parën herë në historinë e olimpiadave, Italia përfaqësohet me më shumë se 300 sportistë. Ajo do të përfaqësohet me 314 atletë, 144 prej të cilëve femra.

Lojërat Olimpike Rio 2016 do të jenë të parat në të cilat do të marrin pjesë sportistë që kanë lindur pas vitit 2000, përfshirë edhe sportisten më të re, notaren 13-vjeçare nga Nepali, Gaurika Singh.

 

 

Milani u kalon kinezëve, por Berlusconi mbetet president nderi i klubit

Majlinda Kelmendi, medalja e parë e artë olimpike për Kosovën