Telefonata, sms dhe web nga një vend në tjetrin të BE-së me të njëjtin celular pa pasur frikë të të arrijnë fatura “tronditëse”. Dhe nga 2014 më shumë liri për të zgjedhur mes operatorëve të ndryshëm
Romë, 5 korrik 2012 – Tani kushton më pak të përdorësh celularin ndërsa udhëton në Europë, falë një rregulloreje të BE-së që ka për qëllim rritjen e konkurrencës mes kompanive telefonike dhe afrimin sa më shumë të tarifave të roaming-ut me ato kombëtare të vendeve anëtare. Një revolucion i vogël me disa faza: e para që ka ardhur në fuqi më 1 korrik parashikon një tavan mbi çmimet e pëcaktuara nga operatorët.
Nga fillimi i muajit, konsumatorët shpenzojnë (pa IVA jo më shumë se 29 qindarka për minutë në telefonatat në roaming, 8 qindarka në minutë për t’iu përgjigjur, 9 qindarka për çdo sms, 70 qindarka për çdo megabyte të dhënash të shkarkuara apo konsultimi të web-it. Me kalimin e kohës edhe këta kufizime maksimale do të ulen më tej: nga 1 korriku 2014 telefonatat në dalje nuk duhet të kushtojnë më shumë se 19 qindarka në minutë, ato në hyrje 5 qindarka, sms vetëm 6 qindarka dhe çdo megabyte 20 qindarka.
Sipas Neelie Kroes, nënpresident i Komisionit Europian, “Futja e tavanit për tarifat e telefonatave dhe të transferimetnit të të dhënave mundëson shtrirjen e shërbimeve të roaming-ut për një kategorishumë më të gjerë personash dhe u jep fund njëherë e përgjithmonë tarifave të larta në brendësi të BE-së. Vërej me kënaqësi që – ka shtuar – që vit pas viti BE angazhohet në mbrojtjen e xhepave të qytetarëve”.
Më 2014 do të nisin risitë e tjera të reformës. Në fakt do të mund të nënshkruhen kontrata roaming-u edhe me operatorë të ndryshëm nga ai që klienti ka, duke ruajtur numrin e telefonit. Me të kaluar kufirin, celulari i tij do të ndryshojë automatikisht rrjet e tarifa. Operatorët e shteteve të ndryshme të BE-së do të mund edhe t’u ofrojnë udhëtarëve paketa shërbimesh për internet, që mund të blihen përpara ose drejtpërdrejt në vendmbërritje.
Natyrisht normat e reja janë të vlefshme vetëm për operatorët në BE. Kështu, një shqiptar që vjen të kalojë pushimet në BE do të përfitojë nga rregullorja vetëm nëse përdor një celular me operator italian apo grek, për shembull, e jo atë shqiptar.