Eduart Moni dhe Roland Dauti duhet të përgjigjen për dhunë në rrethana rënduese dhe diskriminim racial
Romë, 3 tetor 2015 – E ulët, e turpshme dhe e dënueshme me ligj ajo çka kanë bërë dy ditë më parë në një autobus urban të Romës dy shqiptarë Eduart Moni, 33 vjeç, dhe Roland Dauti, 32. Një i mitur indian me aftësi të kufizuara në lëvizje dhe të folur ka hipur në autobus për të shkuar në shkollë e, për fatin e tij të keq, ka hasur Monin e Dautin. Nuk kuptohet për ç’arsye, pasi e kanë ofenduar duke e quajtur edhe “Indian m…” kanë nisur ta qëllojnë me shpulla e grushte. Shokët e shkollës kanë dalë menjëherë në mbrojtje të djalit, por shqiptarët kanë nisur t’u sulen edhe njërit prej tyre.
Ç’ndodhte në autobus është pikasur nga agjentë të komisariatit Tor Carbone të Romës që po përshkonin rastësisht të njëjtën rrugë të urbanit. Kanë hipur në autobus, e kanë ndaluar Monin e Dautin.
Pasi ka dëgjuar dëshmitarët, policia ka vendosur t’i arrestojë. Edhe gjykatësi, para të cilit u nxorën dje, ka vendosur të konvalidojë masën e arrestit, por në shtëpi, në pritje të seancës së parë të gjyqit në të cilin duhet të përgjigjen për dhunë, lëndime personale në rrethana rënduese dhe për diskriminim racial.