Kredia merret kryesisht nga bizneset (në 90,1% të rasteve) dhe për një afat të mesëm, nga 1 deri në 5 vjet (në 75,2% të rasteve)
Tiranë, 10 gusht 2012 – Janë rreth 350 mijë shqiptarë apo biznese që kanë një kredi aktive në banka dhe që duhet ta kthejnë atë brenda afateve, duke përbërë kështu gjysmën e popullsisë aktive të moshës nga 20 deri në 60 vjeç (mbi 60 vjeç bankat në përgjithësi nuk japin kredi).
Në total, më 1 janar 2012 numërohen 725.265 kredi të raportuara, nga të cilat 349.350 janë kredi aktive. Këto shifra jep Raporti vjetor i Bankës së Shqipërisë mbi vitin 2011, sipas të dhënave të Regjistrit të Kredive në BSh.
Regjistri i Kredive në Bankën e Shqipërisë, funksionon nga viti 2008 dhe gjatë këtyre viteve është karakterizuar nga pasurimi i tij me subjekte të reja. Në fund të vitit 2011, numërohen 26 subjekte bankare dhe financiare që raportojnë të dhënat mbi kredimarrësit e tyre.
Struktura e portofolit të kredisë sipas subjektit edhe gjatë vitit 2011, vijon të dominohet nga kreditimi i “Bizneseve” (90,1%) kundrejt kreditimit të “Individëve” (9,9%). Sektorët me përqendrimin më të madh mbeten “Tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiakë” (25,5%), ndjekur nga “Bujqësia, gjuetia dhe silvikultura” (11,4%) dhe “Ndërtimi” (11.3%).
Në dhjetor 2011, peshën kryesore në strukturën e portofolit të kredisë sipas afatit e zë kredia afatmesme (1 – 5 vjet), në masën 75,2%, ndjekur nga kredia afatshkurtër (deri në 12 muaj) dhe ajo afatgjatë (mbi 5 vjet), të cilat paraqiten pothuajse në nivele të njëjta, përkatësisht 12,6% dhe 12,2%.
Viti Kreditë aktive të raportuara
31 dhjetor 2008 262.368
31 dhjetor 2009 291.137
31 dhjetor 2010 320.813
31 dhjetor 2011 349.350