in

Lehtësimi i aksesit në tregun e punës, për një rrugë të ligjshme drejt Gjermanisë

Migrimi professional, rruga e ligjshme drejt Gjermanisë: 350 infermierë në Tiranë marrin dëshminë e gjuhës dhe atë profesionale, hapi i parë ky drejt punësimit atje

Tiranë, 24 shkurt 2016 – Punësimi i shqiptarëve në Gjermani përmes rrugës ligjore është i mundshëm. Në një aktivitet të organizuar sot në Tiranë mbi migrimin profesional u shpall edhe kalimi i fazës së parë të procedurave për punësimin në Gjermani të rreth 350 infermierëve prej 627 që janë gjithsej dhe u fol në përgjithësi për mundësitë e punësimit të ofruara nga Gjermani për persona të kualifikuar. Valës së azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit, e Shqipëria në veçanti, Gjermania i përgjigjet duke krijuar lehtësira aksesi në tregun e punës. 

Të pranishëm në këtë aktivitet, ambasadori gjerman në Tiranë Hellmut Hoffmann, Zv/Ministrja e Arsimit Nora Malaj, si dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, që theksuan edhe njëherë se “përmes rrugës ligjore Europës i hiqen barrierat”.

Vetë ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman vuri në dukje faktin se vendi i tij ka lehtësuar procedurat për punësimin e qytetarëve nga Ballkani. “Gjermania ka lehtësuar aksesin në tregun e punës për personat që aplikojnë në rrugë ligjore, që dëshmojnë njohuritë e gjuhës dhe që kanë diplomën përkatëse profesionale. Është një projekt mjaft i gjerë ky që ne kurorëzojmë sot. Këtu janë përfaqësues të 9 organizatave mjaft të rëndësishme në Gjermani. Dëshiroj të them se kemi bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, atë rrugës ligjore”, tha ambasadori gjerman në Tiranë.

Zëvendësministrja e arsimit Nora Malaj tha: “Sot kompani gjermane janë këtu për të punësuar profesionistë shqiptarë, pra po shfrytëzohet kapitali ynë. Bota nuk ka kuptim nëse nuk i vlerëson e i shfrytëzon siç duhet kapitalet e saj dhe kjo është sfida më e rëndësishme që kemi, pasi vetëm kështu mund të bëhet integrimi i plotë. Natyrisht, gjithçka kalon përmes arsimimit dhe më tej punësimit të rregullt. Këto janë dy shtylla bazë për një integrim real dhe pa barriera”, tha Malaj.

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi në fjalën e tij, vlerësoi edukimin professional në Shqipëri: “Ndjehem mirë në këtë sallë pasi sot dëshmojmë se edukimi ynë ka vlerë. Shkollat tona, megjithë problematikat e tranzicionit prodhojnë kualifikime të vlefshme. Prandaj sot u dëshmua se kemi një vlerë të cilën duhet ta promovojmë vetë, ndaj dhe duhet të jemi shumë më aktiv në këtë drejtim”, tha ai.

Ministri Klosi tha se problemi kryesor është perceptimi që kanë qytetarët shqiptarë për arsimin profesional. “Ne kemi shumë problem me arsimin profesional, me mënyrën sesi shqiptarët e perceptojnë atë. Por ju sot keni dëshmuar se nëse ke një zanat, një diplomë mund të jesh i aftë të bësh një punë të denjë, jo vetëm në tregun shqiptar të punës por edhe atë europian”, u shpreh Klosi.

Ai gjithashtu uroi dhe 350 infermierët që kanë përfunduar me sukses fazën e parë, atë të marrjes së dëshmisë së gjuhës dhe dëshmisë profesionale të nevojshme për të siguruar vendin e punës. Tashmë për këta 350 infermierë nis faza e dytë, ajo e punësimit në Gjermani, teksa hapen dyert për 350 aplikuesit e tjerë, që këtë fazë të parë do ta përfundojnë në ditët në vijim.

Sipas Klosit, kjo dëshmon se edukimi profesional është një mekanizëm që realisht mund t’u rregullojë jetën shqiptarëve. “Realisht sot, të gjithë ju që jeni në këtë sallë jeni njerëz që nga dita që do shkelni në tokën gjermane do të keni dyfishin e rrogës time, do të shkëputeni nga familja, por këtë e bëni për një jetë më të mirë. Po shkoni në një vend që shumë njerëz e dëshirojnë”, tha Klosi.

 

 

 

Bolonjë. Përpiqen “të shesin” një vajzë për 30.000 euro, arrestohen

Nga dhuna në familje te kultura e pandëshkueshmerisë. Raporti AI mbi Shqipërinë