Është një 27-vjeçare shqiptare fituesja e edicionit të parë të Kampionatit për “Miglior sommelier” të Firences, rezervuar të regjistruarve të delegacionit fiorentin të Ais-it (Associazione Italiana Sommelier).
Edhe pse në Shqipëri nuk kemi ndonjë traditë të spikatur të verës, madje mezi e gjen edhe fjalën shqipe ngjërues vere (por sot përdoret gjerësisht fjala degustator) për të përkthyer frëngen sommelier, është një vajzë e re shqiptare fituesja e edicionit të parë të Kampionatit për Ngjëruesin më të mirë fiorentin të Ais-it. Aktualisht Rudina me punë në restorantin Teverini të qytetit Bagno di Romagna. Por është formuar profesionalisht në kryevendin toskan, madje ishte regjistruar në delegacionin Ais të Firences edhe për Oskarin e Verës 2010 që u zhvillua në Romë, të shtunën e parë të qershorit. “Ku nuk fitova” – saktëson menjëherë, edhe pse e përgëzojmë për pjesëmajen. – Isha ndër tre kandidatët për kategorinë Miglior sommelier nel proprio restorante”.
Në shpjegon se në Oskarin e Verës 2010 jepen çmime për kategori të ndryshme si për spumantin më të mirë, verën e kuqe/të bardhë më të mirë, për restorantin me verërat më të mira, për sommelierin më të mirë e të tjera kategori akoma. Ceremonia e dhënieve të çmimeve Oskar të Verës mund të ndiqet në RaiUno më 17 qershor, në orën 23.00.
Siç tregon Rudina për “Botën shqiptare”, ajo ka ardhur në Pisa në moshën 14-vjeçare bashkë me prindërit e tri motrat e saj më të vogla. “Shumë shpejt krahas shkollës më është dashur të punoj, kryesisht si bariste. – thotë ajo – Për të ndihmuar prindërit. E ke parasysh, nuk është e lehtë me katër vajza të vogla… Duke kaluar nga një bar në tjetrin, pata fatin të punoj edhe në një enotekë dhe e nxitur nga shpotitë e pronarit të enotekës që më thoshte “nuk dallon dot as verën e bardhë nga e kuqja!” por edhe ngaqë vera më pëlqen, vendosa regjistrohem në shoqatën Ais dhe të ndjek kursin në Firence për sommelier”.
E kështu mori këtë profesion kaq të veçantë për një vajzë të re shqiptare. Më tregon se njeh edhe të tjerë shqiptarë që kanë këtë profesion. “Kam dy miq që janë sommelier-ë të zotët – thotë Rudina, që ka merak të saktësojë: – Është Elida Foti nga Tirana që punon si capo-sommelier në Grand Hotel në Rimini. Edhe Sokol Ndreko, nga Fieri, capo-sommelier në Osteria del Mare në Forte dei Marmi”.
Para dy vjetëve ndërsa punonte në “Il Girarrosto di Pontassieve”, një restorant të vogël jashtë Firences dhe ku ndihej e pakënaqur sepse “nuk po mësoja asgjë të re” kërkon të gjejë një tjetër restorant e fati deshi që restoranti i famshëm Teverini në Bagno di Romagna të kërkonte pikërisht një sommelier. “Kështu edhe pse ca larg shkova me qejf sepse restoranti është i nivelit të lartë e për më tepër me një kantinë ndër më të mirat në Itali”. Sot punon aty si degustatore e parë.
Për konkursin në Firence ajo tregon për “Botën Shqiptare” se u zhvillua më 23 maj dhe 12 degustatorët Ais pjesëmarrës matën forcat mes tyre në disa gara. Paradite ata iu nënshtruan një testi me shkrim me dyer të mbyllura. Testi përmbante 25 pyetje për verërat nga e gjithë bota dhe shoqërimin e tyre me pjata të njohura të kuzhinave të ndryshme. Ndërsa pasdite ishin provat praktike si gjetja me sy mbyllur të origjinës së tre verërave dhe dy lloje distilatesh, dhe kombinimi i tyre me pjatat e duhura, simulimi i një darke dhe këshillimi i verës së duhur për pjatat e zgjedhura nga klientët dhe korrigjimi i një karte verërash e modifikuar qëllimisht nga juria. Provat e pasdites bëhen përballë një publiku të përbërë nga degustatorë të tjerë apo edhe të afërm të konkurrentëve që ndjekin me interes e të dëfryer garën.
Në nëntor të vitit të shkuar, si sommelier AIS ka përfaqësuar Shqipërinë në një garë evropiane të zhvilluar në San Marino nga WSA (Worldwide Sommelier Association). U rendit e katërta mes të gjithë pjesëmarrësve (16 vetë) dhe e para mes katër vajzave.
“Ende nuk është vendosur, por kam shumë dëshirë ta përfaqësoj edhe këtë vit Shqipërinë, – tregon Rudina – këtë radhë në kampionatin botëror për sommelier-in më të mirë për vitin 2010 që do të zhvillohet në Santo Domingo në Tetor”.
Keti Biçoku