in

Sa vlen patenta e sapomarrë?

Shtrëngesat për të sapopatentuarit në normat e reja të kodit rrugor. Rregullat e reja janë në fuqi nga 10 shkurti, dhe prekin vetëm ata që marrin patentën pas asaj date

Pas vonesash e zvarritjesh mbi tre vjet, më 9 shkurt u fut në fuqi rregullorja e re për personat që sapo kanë marrë patentën italiane. Të rejat prekin si shpejtësinë që duhet respektuar ashtu edhe fuqinë e automjetit që një person me patentë të sapomarrë mund të drejtojë. Gjatë tre vjetëve të para nga marrja e patentës personi duhet të respektojë kufij shpejtësie më të ulët se të zakonshmit: nuk mund të kapërcejë 100 km në orë në autostradë dhe 90 km në orë në rrugët jourbane kryesore. Zakonisht kufiri i shpejtësisë është 130 km/orë në autostradë dhe 110 km/orë në rrugët jourbane kryesore.

Gjatë vitit të parë nga marrja e patentës nuk lejohet të drejtohet një automjet që raportin mes fuqisë dhe peshës  e ka mbi 55 kw/ton. Për të evituar që personat e sapopatentuar të drejtojnë automjete SUV dhe makina monovolum me fuqi të mëdha, të kategorisë M1, pra ato për transportin maksimumi të 8 personave përveç drejtuesit, është vendosur që kufiri të jetë 70 kuaj fuqi. Këto kufizime nuk prekin automjetet për transportimin e invalidëve, me kusht që personi me invaliditet të ndodhet në makinë.

Në rast mosrespektimi të rregullave të reja, rrezikohen deri në 594 euro gjobë dhe 8 muaj pezullim të patentës.

Por megjithëse rregullorja e re ka hyrë në fuqi prej disa javësh mbeten të shumta paqartësitë. Problemi kryesor është llogaritja e raportit mes fuqisë dhe peshës së automjetit. Raport që duhet respektuar deri në shifrën e tretë dhjetore, pra edhe nëse ai del 55,001 kw/ton, automjeti nuk mund të drejtohet nga një person i sapopatentuar. Kjo normë kap vetëm ata që kanë marrë patentën pas 9 shkurtit 2011.

Do të ishte shumë e lehtë nëse raporti mes fuqisë dhe peshës së automjetit të gjendet i shkruar diku në librezën e qarkullimit. Por nuk është kështu. Vetëm automjetet e regjistruara pas 4 tetorit 2007 e kanë këtë të dhënë në librezë. Për mjetet në qarkullim përpara kësaj date llogaritja është shumë e vështirë sepse nga pesha e makinës duhet hequr “tara”, element që gjendet në dokumentet e saj. Por duke verifikuar vështirësitë e pamundësinë për të llogaritur me saktësi këtë të dhënë, më 8 mars Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturave bëri të ditur se në portalin www.ilportaledellautomobilista.it është krijuar një mjet informatik që bën llogaritjen. Mjafton të futet numri i targës për të ditur nëse automjeti e kapërcen apo jo kufirin e caktuar nga rregullorja e re, pra nëse mund të drejtohet apo jo nga një i sapopatentuar. Të njëjtin problem do të kenë dhe autovelox, për të cilët do të jetë e pamundur të kuptojnë se prej sa vjetësh e ka marrë patentën drejtuesi i një automjeti…

Normat e reja synojnë pakësimin e aksidenteve rrugorë që prekin të rinjtë, edhe pse i sapopatentuar mund te jetë dhe një 60 apo 80-vjeçar. Specialistët vënë në dukje se nuk është e thënë që një makinë me fuqi më të vogël është më e sigurt se sa një më fuqi të madhe, sepse shkaku i pjesës më të madhe të aksidenteve rrugorë është drejtuesi e jo lloji i makinës.

Por rrjedhojat ekonomike të ndryshimeve në kodin rrugor do t’i paguajnë familjet. Pasi një i ri të marrë patentën, ose duhet të presë një vit përpara se të mund të ngasë makinën e prindërve ose ata duhet t’i blejnë një automjet me fuqi të vogël. E nëse i riu nuk nget makinën për një vit në pamundësi për të patur nje makinë të përshtatshme për të, me siguri ai do të harrojë gjithçka ka mësuar gjatë periudhës së praktikës. Periudhë që mbart një paradoks: që kur merr fletën rozë, personi mund të ushtrohet me çfarëdo lloj automjeti, edhe me Ferrari, me kusht që pranë të ketë dikë me patentë të marrë prej të paktën 10 vjetësh. Kufizimet prekin vetëm ata që sapo marrin patentën, jo ata që ushtrohen në ngarjen e makinës për të marrë provimin.

Nuk është bërë ende e qartë nëse personat të cilëve u është hequr patenta për shkelje të rënda, konsiderohen të sapopatentuar kur patenta u jepet sërish.

Një tjetër paqartësi lidhet me patentat e huaja. Kodi rrugor flet për “patentë italiane” pra edhe kufizimet e reja i përkasin vetëm atyre që marrin patentën në Itali. Pra asnjë kufizim shpejtësie e fuqie të makinës për ata që patentën mund ta kenë marrë prej pak kohësh në Gjermani apo gjetkë.

Lista e makinave që mund të ngasin të sapopatentuarit

Përgatiti Irida Cami

Deklaratë të ardhurash edhe për bashkëpunëtorët familjarë

Italia-Albania una storia di fili intrecciati tinta di rosa