in

Sanatoria 2012 – Përgjigjet e ekspertëve pyetjeve tuaja

Pikëpyetjet tuaja mbi sanatoren
Eksperti përgjigjet
Punëdhënësi im është dënuar dy herë. A mund të bëjë kërkesë për legalizimin tim?

Varet nga lloji i veprës penale për të cilën është dënuar. Ligji parashikon që të përjashtohen nga mundësia e legalizimit të marrëdhënies së punës të gjithë ata punëdhënës që janë dënuar gjatë 5 vjetëve të fundit për favorizim të emigracionit klandestin, për shfrytëzim të prostitucionit e të të miturve, për ‘kaporalatin’ apo pse u kanë dhënë punë imigrantëve të parregullt. Kështu, vetëm nëse është dënuar për një nga gjërat e mësipërme, nuk mund të paraqesë kërkesë legalizimi e për rrjedhojë ju nuk mund të përfitoni lejen e qëndrimit.

Kam blerë një celular vitin e shkuar dhe kam faturën fiskale. A vlen si provë e pranisë sime në Itali?

Jo sepse fatura fiskale e një dyqani nuk mund të konsiderohet dokument i lëshuar nga një organizëm publik.

Dërgoj rregullisht para në shtëpi me agjencitë e Money  Transfer. A vlen kuponi që më kanë dhënë si provë e pranisë në Itali?

Jo. Ashtu si në përgjigjen e mësipërme, dokumenti “send” që ju japin kur dërgoni para me këto agjenci nuk mund të konsiderohet dokument i lëshuar nga një organizëm publik.

Jam martuar me një italiane e kam paraqitur kërkesë për leje qëndrimi, por kur erdhën policët në shtëpi nuk gjetën time shoqe e më kanë dhënë fletën e dëbimit. Kjo ka ndodhur në vitin 2011. Unë punoj. A mund të marr dokumentet apo do më hapë punë ai dëbimi?

Po. Në këtë rast fleta e dëbimit nuk përbën pengesë për legalizimin e marrëdhënies së punës dhe për pajisjen me leje qëndrimi.

Nuk kam akoma pasaportën e re biometrike, takimi për aplikim në konsullatën e Milanos më është dhënë për nga fundi i shtatorit e kam frikë se deri në mes të tetorit nuk do ta kem dot. A mund të bëj ndërkohë punëdhënësi im kërkesën për legalizimin tim?

Deri kur të shpallet rregullorja akoma nuk dihet me saktësi procedura e aplikimit të sanatores, por në linja të përgjithshme, duke aplikuar normat e tanishme mund të pohohet se pa pasaportë punëdhënësi nuk mund të paraqesë kërkesën për legalizimin tuaj. Me siguri do t’i duhet të shënojë në kërkesë numrin dhe datën e lëshimit të një dokumenti të vlefshëm për të shkuar jashtë shtetit, siç është pasaporta.
Gjithsesi nëse aplikoni edhe këto ditë për pasaportën shqiptare në ambasadën e Shqipërisë, ku nuk është e nevojshme të prenotosh më parë ditën e  takimit, me siguri duhet ta keni marrë brenda datës 15 tetor kur është edhe data e fundit e vlefshme për aplikimin për sanatoren.

Shumë agjenci konsulence po kërkojnë deri në 4 mijë euro për të ndihmuar punëdhënësit e klandestinët me legalizimin. A ka ndonjë që mund të më ndihmojë me më pak para apo pa paguar asgjë?

Kujdes nga mashtrimet. Shumë Caf dhe Patronate po përgatiten për të ndihmuar për përpilimin dhe nisjen e kërkesave të legalizimit të marrëdhënies së punës së parregullt me punonjës të huaj pa leje qëndrimi. Por akoma duhet pritur që Ministria e brendshme të japë informacione më të hollësishme mbi kriteret dhe procedurën që duhet ndjekur.

A mund të përdor kodin fiskal si provë të pranisë në Itali?

Po, por vetëm nëse kodin fiskal ia ka lëshuar të interesuarit Agjencia e tatim taksave (Agenzia delle Entrate). Me një fjalë, ai i përkohshmi i lëshuar nga Sporteli Unik në rastin e autorizimit për punë me flukset nuk mund të konsiderohet i vlefshëm.

Kam kërkuar azil politik e ma kanë mohuar. A mund të marr lejen e qëndrimit me këtë sanatore nëse e kam vendin e punës?

Po. Për legalizimin mjafton që një shtetas jokomunitar të punojë në të zezë për një punëdhënës. Qëllimi i ligjit që ka sjellë në fuqi sanatoren është legalizimi i marrëdhënieve të parregullta të punës me, dhënia e lejes së qëndrimit për punë është thjesht një pasojë.

Kam ardhur në Itali në vitin 2009 me vizë turistike. Mjafton për të provuar praninë time në Itali?

Viza turistike në vetvete nuk vlen për të treguar praninë në Itali pasi është lëshuar vërtet nga një ‘organizëm publik’ që është konsullata italiane, por jo në Itali. Në të kundërt, kërkesa e lejes së qëndrimit për turizëm apo deklarata e pranisë, nëse është bërë, përbëjnë provë të vlefshme të pranisë në Itali.

Jam pa dokumente qëndrimi në Itali e punoj në të zezë prej disa muajsh. Para disa ditësh më thirri punëdhënësi për të më thënë që duhet të më mbajë para nga rroga sepse duhet t’i paguajë 1.000 euro shtetit që të më japin lejen e qëndrimit. Është e vërtetë? Nuk e dija që në Itali lejeqëndrimi kushton kaq shumë

Me siguri punëdhënësi e ka fjalën për legalizimin e marrëdhënies së punës në të zezë, për të cilin ligji i fundit mbi sanatoren e të huajve që punojnë parashikon disa kritere. Veç kritereve që duhet të përmbushë punëdhënësi dhe punonjësi, i njëjti ligj parashikon që punëdhënësi të paguajë një shumë 1.000 euro për çdo punonës që kërkon të legalizojë. Kështu, çdo kërkesë parash nga anë e punëdhënësit ndaj punonjësit është e padrejtë.

Jam pa dokumente qëndrimi por punoj nga nëntori i vitit të shkuar me të njëjtin punëdhënës. A mjafton një deklaratë e punëdhënësit për të dëshmuar që jetoj në Itali që përpara 31 dhjetorit 2011?

Jo, fatkeqësisht deklarata e punëdhënësit nuk mjafton sepse ligji parashikon që të konsiderohen të vlefshme vetëm dokumente të lëshuara nga organizmat publikë. Një rregullore që pritet të dalë do të përcaktojë më me saktësi cilat dokumente do të konsiderohen të vlefshme për të treguar praninë në territorin italian nga 31 dhjetori i vitit të shkuar. Sidoqoftë që tani dihet që duhet të jenë dokumente të zyrave publike.

Për të treguar që jetoj në Itali prej të paktën 31 dhjetorit të vitit të shkuar, vlen edhe aplikimi për pasaportën e re biometrike shqiptare që kam bërë në zyrën konsullore të ambasadës së Shqipërisë në Romë?

Siç u specifikua edhe për pyetjen e mësipërme, duhet pritur rregullorja zbatuese që duhet të dalë shumë shpejt, por, në linja të përgjithshme, mund të hipotizohet që Konsullatat mund të konsiderohen organizma publikë kështu që certifikatat e ndryshme të kërkuara pranë tyre të mund të vlejnë për të dëshmuar praninë në Itali.

Kam gjetur punë prej disa javësh. A kam ndonjë shpresë të përfitoj nga kjo sanatore për të marrë lejen e qëndrimit?

Fatkeqësisht jo, legalizimi i punonjësve të huaj në të zezë parashikon që marrëdhënia e punës duhet të ketë nisur prej të paktën 3 muajve përpara botimit të ligjit në gazetën zyrtare e të vazhdojë deri në çastin e paraqitjes së kërkesës. Është e vërtetë që ligji ende nuk është botuar në Gazetën Zyrtare, por pritet që të botohet shumë shpejt, kështu nëse botohet më 20 gusht, do të mund të legalizohen e për rrjedhojë të marrin lejen e qëndrimit të gjithë të huajt që punojnë prej datës 20 maj.

Jam i huaj titullar i një ndërmarrjeje por nuk kam kartën e qëndrimit. Dua të vë në rregull një punonjës të huaj pa dokumente qëndrimi. A mund të paraqes kërkesë?

Ligji parashikon që punëdhënësit e huaj duhet të kenë kartën e qëndrimit (apo lejeqëndrimin BE për qëndruesit afatgjatë) për të kërkuar legalizimin e punonjësve. Nëse kërkesa vjen nga një ndërmarrje, përfaqësuesi legal i saj do të jetë ai që duhet të ketë këtë dokument (nëse nuk është italian apo komunitar). Kështu nëse i huaji pronar i një ndërmarrjeje ka për shembull leje qëndrimi për punë autonome, por përfaqësuesi legal i ndërmarrjes ka kartë qëndrimi, kërkesa e legalizimit mund të paraqitet drejtërdrejt nga përfaqësuesi (jo nga pronari).

Stranieriinitalia.it

Pëllumb dhe Nikolina Deçolli, 20 vjet kontribut për artin durrsak

Do të vuajnë dënimin në Shqipëri mbi 100 shqiptarë të dënuar në Britani