Nga nesër, 1 qershor 2020, deri më 15 korrik, për mijëra të huaj me qëndrim të parregullt në Itali por që kanë një vend pune hapet një dritare për t’u pajisur me lejeqëndrim. Të paktën për ca kohë. Në fakt, nga nesër mund të nisen kërkesat e legalizimit të marrëdhënieve të punës dhe të qëndrimit në Itali, legalizim i parashikuar nga neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 i njohur ndryshe si dekreti Rinisja. Këto ditët e fundit janë shpallur më në fund edhe një dekret ndërministror (27 maj) e dy qarkore të ministrisë së brendshme (30 maj), të domosdoshme për zbatimin konkret të legalizimit.
Masa e legalizimit për të cilën flet neni 103 i dekretligjit nr. 34 të 19 majit 2020 parashikon dy kanale:
– I pari për punëdhënësin italian apo të huaj (por vetëm nëse ka lejeqëndrim BE për qëndrues afatgjatë, i njohur si kartë qëndrimi) që mund të lidhë një kontratë pune të varur apo të legalizojë një marrëdhënie pune në të zezë me shtetas italianë apo të huaj të pranishëm në territorin italian nga 8 marsi 2020;
– I dyti për qytetarët e huaj me leje qëndrimi të skaduar nga 31 tetori 2019, të pranishëm në Itali nga 8 marsi 2020, që mund të kërkojnë një lejeqëndrim për 6 muaj.
Sektorët ekonomikë, punonjësit e të cilëve do të mund të përfitojnë nga ky legalizim i punës dhe i qëndrimit janë:
A. bujqësia, mbarështrimi, blegtoria, peshkimi e akuakultura dhe veprimtaritë e lidhura me to;
B. asistencë për persona me sëmundje ose aftësi të kufizuara;
C. puna shtëpiake.
Kodet e të gjitha aktiviteteve (shtyp këtu për të shkarkuar tabelën) në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake që mund të përfitojnë nga legalizimi u dhanë në mënyrë të detajuar nga dekreti i Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim me ministritë e Ekonomisë, Punës dhe Bujqësisë, mbi “Mënyrat e paraqitjes së kërkesave të legalizimit të marrëdhënieve të punës”.
Procedurat e paraqitjes së kërkesave për legalizimin e të huajve
Kërkesat mund të paraqiten nga 1 qershori deri më 15 korrik 2020, me dy procedura të ndryshme sipas kanalit të përdorur apo subjektit që paraqet kërkesën.
LEGALIZIMI I KËRKUAR NGA I HUAJI
Të huajt e parregullt me lejeqëndrim të skaduar nga 31 tetori 2019, as të përtërirë e as të konvertuar, që para asaj date kanë punuar në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake (këtu kodet e të gjitha aktiviteteve) mund t’u drejtohen Kuesturave për të kërkuar lëshimin e një lejeqëndrimi të përkohshëm, të vlefshëm vetëm në Itali, me kohëzgjatje 6mujore nga çasti i paraqitjes së kërkesës. Udhëzimet operative përfshihen në një qarkore të 30 majit të Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme.
Ku paraqitet kërkesa?
Të huajt mund të paraqesin kërkesën për lejeqëndrim pranë sporteleve “Amico” të 5.700 zyrave Postare në mbarë Italinë, përmes kompletit të posaçëm të formularëve të përpiluar e të nënshkruar nga i interesuari. Shërbimi postar i nisjes së praktikës kushton 30€.
Para paraqitjes së kërkesës, i huaji duhet të ketë paguar kontributin forfetar prej 130,00€, duke përdorur formularin F24 që përpilohet sipas udhëzimeve të ministrisë e që gjendet në bankë, postë apo mund të shkarkohet nga portali i Agjencisë së tatim taksave.
Kushtet që duhet të plotësojë i huaji:
– Të ketë një pasaportë apo dokument tjetër të barasvlefshëm apo një certifikatë identiteti të lëshuar nga Përfaqësia diplomatike e vendlindjes;
– Të jetë i pranishëm në territorin italian prej 8 marsit 2020. Mund ta dëshmojë siç është shkruar edhe më lart: me shenjat e gishtërinjve, me vulën e hyrjes në territorin italian në pasaportë apo përmes “deklaratës së pranisë”, ose me çfarëdo dokumenti me datë të lëshuar nga zyra shtetërore apo private që kryejnë shërbim publik;
– Të dëshmojë (përmes dokumentacionit të përshtatshëm që duhet të dorëzojë kur paraqet kërkesën) se ka punuar më parë në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake (këtu kodet e të gjitha aktiviteteve që përfshihen në këta sektorë) të përfshirë në masën e legalizimit.
Nga dekreti zbatues ndërministror i 27 majit mësohet se mund të vlejnë si dëshmi:
– kontratë pune, estrakt i llogarisë së sigurimeve shoqërore, fletë-pagesë, formulari Unilav i punësimit/transformimit dhe/ose e përfundimit të marrëdhënies së punës, CUD, estrakt i llogarisë bankare nga ku duket derdhja e rrogës
– certifikatë e Qendrës së Punësimit që tregon kryerjen e punës në sektorët e sipërpërmendur;
– fotokopje çeku bankar me të cilin është paguar rroga;
– buletinët e pagesës së kontributeve INPS për punën shtëpiake ose estrakt nga portali i INPS-it i llogarisë së kontributeve të punonjësit dhe/ose punëdhënësit;
– dëshmi e pagesës së kontributeve për punën shtëpiake përmes sistemit PagoPA të shtypur nga portali INPS;
– komunikim me postë elektronike dhe/ose me SMS e MyInps, lidhur me kryerjen e bashkëpunimit të rastësishëm në kuadrin e punës shtëpiake;
– tabela pagesash mujore ose dëshmi për punë të rastësishme në sektorin bujqësor;
– dokument i regjistrimit të detarëve;
– konventë rekrutimi;
– komunikim Unimare;
– regjistrim si ekuipazh i anijes;
– dokument imbarkimi e zbarkimi;
– fletë-rroga (për sektorin e peshkimit);
– çdo letërkëmbim midis palëve gjatë marrëdhënies së punës, shkruar si nga punëdhënësi si nga punëtori, nga i cili mund të përftohen elementë identifikues të palëve të nevojshme për kontrollimin e veprimtarisë së punës (p.sh. njoftimet për ndryshime në orarin e punës, kërkesa për pushime ose leje ose mungesa për ndonjë arsye, mosmarrëveshje disiplinore etj).
Çfarë duhet të dorëzojë i huaji në sportelin “Amico” në postë
Bashkë me formularin e kompletit të posaçëm postar me të cilin i paraqitet Kuesturës kërkesa për lejeqëndrim i huaji duhet të dorëzojë edhe:
– Fotokopje të pasaportës apo një dokumenti tjetër të barasvlefshëm apo një certifikate identiteti të lëshuar nga Përfaqësia diplomatike e vendlindjes;
– Fotokopje të lejeqëndrimit të skaduar;
– Kodin fiskal;
– Dokumentacion që dëshmon vendbanimin;
– Dokumentacion që dëshmon se para 31 tetorit 2019 ka punuar në sektorët e bujqësisë dhe punës shtëpiake (këtu kodet e të gjitha aktiviteteve që përfshihen në këta sektorë) të përfshirë në masën e legalizimit;
– Dokumentin e pagesës së 130,00€;
– Pullë-taksë 16,00€
Për shkak të emergjencës Covid-19, paraqitja pranë Sporteleve “Amico” të postave, për 8 ditët e para të punës do të mund të bëhet sipas një kalendari të caktuar sipas mbiemrit (që gjeni këtu). Pas 10 qershorit shërbimi do të ofrohet pas asnjë lloj kufizimi.
Për përpilimin e formularëve e për gjithë procedurën e legalizimit, të huajt mund t’u drejtohen për ndihmë edhe patronateve.
Me dorëzimin e formularit të kërkesës së lejeqëndrimit pranë sportelit të postës, të huajit i lëshohet një kupon që dëshmon paraqitjen e kërkesës e që do t’i lejojë të qëndrojë në territorin italian e të kryejë një punë në sektorët e sipërpërmendur.
I huaji do të thirret më pas në Kuesturën që shqyrton kërkesën e lëshon lejeqëndrimin e përkohshëm.
Sipas shpjegimeve të ministrisë së brendshme “ky lejeqëndrim mund të konvertohet në lejeqëndrim për punë të varur nëse i huaji, në fund të gjashtë muajve, ka një kontratë pune në sektorët e ekonomisë të sipërpërmendur”.