Antonio Mastrapasqua (INPS):“Në çdo dhjetë kontrata të sanatores 2009, janë zhdukur shtatë. I bëj thirrje sensit qytetar të sipërmarrësve”
Romë, 5 shtator 2012 – “Sanatoret nuk bëhen për të importuar krahë pune, por për të legalizuar punonjësit e pranishëm: janë pozitive dhe të pranueshme. Por po aq e rëndësishme sa legalizimi, është edhe mbajtja gjallë e marrëdhënieve të punës”. Antonio Mastrapasqua, president i institutit të sigurimeve shoqërore INPS, nënvizon se sanatoria do të ketë kuptim e vlerë vetëm nëse marrëdhëniet e punës të legalizuara nuk do të ndërpriten sapo të huajt të marrin lejen e qëndrimit.
Rreziku që një gjë e tillë të ndodhë ekziston, siç tregojnë të dhënat mbi legalizimin e bashkëpunëtoreve familjare tre vjet më parë. “Ishin 235.000 marrëdhënie pune të legalizuara – kujton Mastrapasqua – një shifër shumë e lartë, poa q punonjës që deri në atë çast paguheshin në të zezë”. Por më 1 qershor 2012, “70% e atyre marrëdhënieve pune janë mbyllur, nuk ekzistojnë më. Është mëse e mundur që të huajt e legalizuar të jenë kthyer sërish në punonjës në të zezë”.
“Kjo gjë – shpjegon kreu i INPS-it – është një disfatë për operacione të këtij lloji”. Sipas tij “nevojiten politika verifikimesh” që legalizimet të mos shkojnë dëm.
Pikërisht në punën e ofruar nga familjet është shumë e vështirë të zbulohen marrëdhëniet e parregullta. “INPS – përfundon Mastrapasqua – nuk mund të shkojë shtëpi më shtëpi për të kontrolluar. I bëj thirrje sensit qytetar të çdo punëdhënësi: të imagjinosh që inspektorët e INPS-it të shkojnë derë më derë është ofenduese për ndjeshmërinë shoqërore dhe etike që besoj se cilido duhet të ketë të paktën brenda mureve të shtëpisë”.