in

Sanatoria. Kujdes nga mashtruesit

Përvoja e sanatoreve të fundit na mëson se do të jenë të shumtë ata që do të përpiqen të bëjnë para mbi ëndrrat e klandestinëve për një leje qëndrimi. Mes punëdhënësish të rremë e ndërmjetësuesish, imigrantët “klientë” vetëm humbasin

Romë, 27 korrik 2012 – Sanatoren e re mezi po e presin jo vetëm qindra mijëra të huaj por edhe shumë çakej që mendojnë të mbushin xhepat me shpresat e imigrantëve.

Nuk është nevoja të hedhësh fall për të marrë vesh si do të veprojnë, mjaft të shohësh ç’ndodhi me sanatoret e fundit, si për shembull, me atë të bashkëpunëtoreve familjare në shtator 2009. Atëherë mashtrimet nisën që përpara paraqitjes së kërkesave, kur shumë ‘mendjehollë’, shpeshherë të huaj, u shitën shtrenjtë edhe bashkatdhetarëve të tyre, formularët e nevojshëm për të derdhur kontributin forfetar. Formularë që në të vërtetë shpërndaheshin falas në zyra postare e banka.

Kur sanatoria hyri në fazën e saj kryesore të paraqitjes së kërkesave, mbinë nga të katër anët punëdhënës ‘zemërmirë’, shpesh italianë, të ndihmuar nga ndërmjetësues ‘të zellshëm’, këta shpesh të huaj. Mekanizmi ishte pak a shumë i njëjtë: “Kërkesën e paraqes unë për ty, me kusht që të më paguash jo vetëm paratë që do t’i derdh shtetit por edhe të më japësh diçka për mundimin”. Sa shkonte e gjitha? Edhe disa mijëra euro, para që në shumicën e rasteve nuk u transformuan në leje qëndrimi sepse Sportelet Unike që përpunuan kërkesat i dalluan lehtë ato të dyshimtat.

Marifetet e mashtruesve ishin të shumta. Kishte nga ata që me të futur në xhep paratë, qoftë edhe paradhënien, as që e paraqitën kërkesën e legalizimit dhe i dorëzuan “klientit” një kupon të falsifikuar. Të tjerë paraqitën dhjetëra kërkesa edhe pse e dinin mirë se mund të bënin vetëm një. Kishte nga ata që sajuan edhe takimin për nënshkrimin e kontratës së qëndrimit, duke shndërruar studion e një ekonomisti në Sportelin Unik për Imigracionin.

Për imigrantët që përfunduan nën kthetrat e këtyre çakejve nuk mund të bëhej shumë. Nuk përmbushnin kriteret për t’u legalizuar (u mungonte punëdhënësi i vërtetë) e po të paraqiteshin tek forcat e rendit për të paditur atë që i kishin mashtruar e zhvatur një tufë euro, do të merrnin menjëherë si ‘shpërblim’ vetëm dëbimin. Ata që arritën të bien në gjurmët e mashtruesve të tyre, ndërmjetësues apo punëdhënës, e u kërkuan t’u ktheheshin mbrapsht paratë, në rastin më të mirë u kërcënuan: “Qërohu, se përndryshe të zhdëpa!”

Për të pasur një ide mbi rastet e ndryshme të mashtrimeve mund t’i hidhet një sy dokumentit dossier mbi sanatoren 2009 që përgatiti para një viti Naga, shoqatë milaneze, që të martën e ardhshme, më 31 korrik, ogranizon një asamble qytetare për të paralajmëruar e informuar viktimat e mundshme mbi mashtrimet e reja që fshihen pas sanatores së radhës. “Kemi përshtypjen se mekanizmi e mashtrimit është vënë në lëvizje edhe për sanatoren e 15 shtatorit, ndaj duam t’i dalim të keqes përpara me sa më shumë informacione. Jemi të bindur që imigrantët që bien në grackë nuk janë budallenj, por persona që shpesh nga dëshpërimi do të bënin gjithçka për të futur në xhep dokumentin e ëndërruar të qëndrimit” thotë Fabio Forfori, koordinator i sportelit ligjor të NAGA-s.

Me pak fjalë, të mësipërmet janë gjëra që ndodhin në raste të tilla e kush mendon të përfitojë nga sanatoria bën mirë t’i mbajë parasysh. Më mirë t’u qëndrohet larg atyre që premtojnë rrugë të shkurtra: kërkesën e legalizimit mund ta bëjë vetëm punëdhënësi i vërtetë, ai që deri më sot ju ka në punë, natyrisht në të zezë  sepse nuk keni leje qëndrimi. E mbani parasysh edhe një gjë: njëmijë eurot e kontributit forfetar dhe të gjitha taksat e kontributet duhet t’i paguajë punëdhënësi, jo ju.

E së fundi duhet mbajtur në mendje që vetëm javët e ardhshme do të dalin dekretet ndërministrore dhe qarkoret që do të përcaktojnë mënyrat e paraqitjes së kërkesave,  kufinjtë minimalë të të ardhurave të punëdhënësve e  të tjera detaje, përfshirë dokumentet e vlefshme për të treguar praninë në Itali nga 31 dhjetori 2011. Ndaj është më mirë të mos u besoni atyre që sot thonë se dinë më shumë mbi sanatoren nga ç’është botuar në Gazetën Zyrtare. Veçanërisht nëse ju kërkojnë parà në këmbim të ndihmës apo informacioneve.

Elvio Pasca

Kërcënon me vdekje një familje. Arrestohet në Scicli 26-vjeçari Pjeci

Com’eravamo – Ciano incontra Re Zog