Kërkesat në shumicën dërrmuese janë për bashkëpunëtorë shtëpiakë (115.969 kundrejt 18.607). Më të shumta për qytetarë nga Bangladeshi, Maroku, India. Për shqiptarët vetëm 3.884 kërkesa, 1.126 prej të cilave për punonjës të varur
Romë, 16 tetor 2012 – Rritja e ndjeshme e numrit të kërkesave ditët e fundit (18 mijë vetëm gjatë 15 tetorit) nuk mjaftoi për të arritur kuotën e 150 mijëve: deri në orën 24.00 të 15 tetorit, kur u mbyll muaji i legalizimeve, familjet e ndërmarrjet paraqitën telematikisht 134.576 kërkesa.
Tabelat e fundit përmbledhëse të ministrisë së Brendshme konfirmojnë dukurinë që u vu re që ditën e parë: ndërmarrjet qëndruan thuajse krejtësisht jashtë loje. Paraqitën vetëm 18.607 kërkesa kundrejt 115.969 të paraqitura nga familjet. Por fotografia që jep kjo e dhënë është pak e besueshme. Nuk duket aspak e vërtetë që puna në të zezë është e paktë dhe e përqendruar vetëm pranë familjeve (ide që u mbrojt nga ministri Cancellieri). Kjo e dhënë tregon që duke qenë puna pranë familjeve më e lira e më e lehta për t’u legalizuar u përdor si një rrugëzgjidhje nga shumëkush: merr njëherë dokumentin e qëndrimit si punëtor shtëpie, pastaj magar nënshkruan kontratë si punonjës i varur.
Kërkesat e paraqitura për shqiptarë janë shumë më të ulëta se ato të vitit 2009 gjatë sanatores së bashkëpunëtoreve shtëpiake (rreth dhjetë mijë asokohe). Kërkesat e paraqitura këtë radhë për legalizim punonjësish shqiptarë janë vetëm 3.884 e nga këto 1.126 për punonjës të varur, dhe 2.758 për bashkëpunëtorë familjarë. Komunitetet për të cilat kërkesat e legalizimit kanë qenë më të larta janë bengalezët (15.770), marokenët (15.600) dhe indianët (13.286). Ndërsa provincat italiane me më shumë kërkesa edhe këtë radhë janë Milano (19.055), Roma (13.815) dhe Napoli (11.111).
Faza e parë u mbyll, tani nis ajo e gjata e pritjes së verifikimeve të kërkesave nga administrata publike, që përvoja na ka treguar se mund të zgjasë për muaj e muaj të tërë. Ndërsa punëdhënësit (e në shumë raste vetë punonjësit) duhet të paguajnë kontributet e taksat e prapambetura.
Kush mendon të ngrejë dolli për lejeqëndrimin e ka gabim. Tani për tani sapo ka nisur një rrugë të gjatë.
Tabelat përmbledhëse të ministrisë me kërkesat e sanatores