Gomonia ishte nisur natën nga ngrykëderdhja e Vjosës dhe u braktis mëngjesin e sotëm në breg në Ostuni
Romë, 19 shtator 2016 – Ndërsa vëmendja e mediave, e opozitës dhe e organeve të drejtësisë e të rendit publik është monopolizuar nga avioni i gjetur Ishëm javën e shkuar, për të cilin ka dyshime serioze se do të përdorej për trafikim lëndësh narkotike, një sasi e madhe droge me prejardhje nga Shqipëria është sekuestruar mëngjesin e sotëm në brigjet e Puglies.
Këtë herë, ashtu edhe si të tjera javët e fundit, është preferuar që droga të transportohej nga një breg në tjetrin me gomone.
Agimin e sotëm Guardia di Finanza e Brindisit, Barit dhe Tarantos kanë pikasur një mjet lundrues rreth 8 metra të gjatë me tre vetë në bord që i afrohej brigjeve. Kur tre personat kanë kuptuar që po ndiqeshin sapo kanë mbërritur në breg në Torre Pozzella të Ostunit, provinca e Brindisit, kanë braktisur aty gomonen e ia kanë mbathur drejt një pylli me pisha e aty janë zhdukur pa lënë gjurmë.
Rojet financierë kanë kontrolluar gomonen e brenda, të ndarë në pako, kanë gjetur rreth 700 kg marihuanë. Gomonia e droga janë sekuestruar ndërsa vazhdon kërkimi i tre korrierëvë.
Nuk ka asnjë dyshim: edhe këtë radhë droga është nisur nga Shqipëria. Në fakt gomonia është pikasur natën që në Shqipëri sapo është nisur nga grykëderdhja e Vjosës nga njësitë Guardia di Finanza që ndodhen në bregun shqiptar të adriatikut.