FShF, e përfaqësuar nga tre studio ligjore, shpreson që në Apel të merren parasysh argumentet shqiptare e vendimi të ndryshojë në favor të kuqezinjve
Romë, 1 dhjetor 2014 – Pritet të jepet nesër vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s mbi fatin e ndeshjes së ndërprerë, mes Serbisë dhe Shqipërisë, të luajtur në Beogradë më 14 tetor 2014. Pas vendimit të marrë nga komisioni i Etikës, i cili e dënoi Shqipërinë me rezultatin 3 me 0, por i hoqi edhe serbëve tre pikë, federatat e të dyja vendeve kanë paraqitur kërkesë për hedhjen poshtë të vendimit të parë.
FShF, përmes tre studiove ligjore, një shqiptare e dy të huaja, i kërkon komisionit të Apelit ndryshimin në favor të kombëtares sonë të vendimit të shkallës së parë (24 tetor) që dënon për “braktisje të fushës së lojës” futbollistët shqiptarë. Në këtë aspekt ata urojnë që komisioni të dëgjojë versionin e tyre sipas të cilit, më 14 tetor, Shqipërisë asnjëherë nuk i është kërkuar nga arbitri i ndeshjes kthimi në fushë dhe se ajo asnjëherë nuk ka pasur rast të artikulojë asnjë refuzim të prerë. Në favor të versionit shqiptar shkon deklarata e delegatit të ndeshjes, holandezit Harry Been, i cili në asnjë moment nuk ka shkruar se shqiptarët kanë refuzuar të rifuten në fushë, dhe ajo e oficerit të sigurisë, Vincent Egbers, të cilin UEFA e kishte dërguar në Beograd për atë ndeshje. Duke ilustruar edhe me foto raportin e tij, oficeri Egbers ka shkruar se siguria në stadium ishte shumë e dobët, policia dhe forcat e sigurisë u treguan shumë pasive për të mos lejuar futjen e tifozëve në fushë dhe më pas për të kapur ata që dhunuan futbollistët e Shqipërisë. Ai përshkruan hedhjen e sendeve të forta nga tifozët në fushë gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa e cilëson sjelljen e vendasve “shumë të keqe dhe agresive”.
Në mbrojtje të kërkesës së saj për ndryshim të verdiktit të shkallës së parë, FShF ka përgatitur edhe një video që përmbledh klimën që futbollistët shqiptarë gjetën në stadiumin Partizani të Beogradit, kur droni as nuk kish dalë në skenë, dhe keqtrajtimin e tyre në fushë. Nga koret raciste (që vetëm UEFA nuk i paska dagjuar!), të nxitura edhe nga ata që duhet të mbanin rendin deri te zbritja e tifozëve në fushë e rrahja e futbollistëve, gjithnjë edhe me ndihmën e atyre që duhet të mbronin lojtarët.
Shtyp mbi foton poshtë për të parë videon: