in

Shëndetësi. 390 euro për regjistrimin e të moshuarve në SSN në Lombardi

Në zbatim të sentencës së gjykatës, krahina e Lombardisë ka vendosur tarifën për t’u garantuar asistencën shëndetësore të huajve mbi 65 vjeç të ardhur me bashkim familjar. Marrëveshja me qeverinë parashikon edhe shumë risi të tjera

Romë, 28 janar 2013 – Të huajt e moshuar të ardhur në Lombardi me një bashkim familjar mund të regjistrohen më në fund, kundrejt një pagese, në Shërbimin Shëndetësor kombëtar, SSN.

Kjo e drejtë u ripohua dhjetorin e shkuar nga gjykata e Milanos, gjykimi i të cilës u kërkua nga një ankimim i paraqitur nga Anolf, Asgi, ‘Avvocati per Niente’ dhe Naga. Por vetëm pak ditë më parë Krahina e Lombardisë iu përgjigj gjykatës: një qarkore e drejtorisë së përgjithshme të shëndetësisë, përcakton shumën e kontributit vullnetar në 387,34 euro, “në pritje të shpalljes së direktivave përkatëse të ministrisë”.

Problemi ka dalë në vitin 2008, kur një ligj i ri mbi bashkimet familjare detyroi të moshuarit mbi 65 vjeç të ardhur në Itali pranë fëmijëve të tyre, të paguajnë asistencën shëndetësore, duke u regjistruar vullnetarisht me pagesë në SSN ose duke lidhur një sigurim privat mbi shëndetin. Por, nga njëra anë, kompanitë e sigurimeve nuk janë shumë të gatshme “të mbulojnë” persona të moshuar, ndaj vënë çmime shumë të larta, nga ana tjetër, qeveria ende nuk ka caktuar sa kushton regjistrimi në SSN.

Deri më sot, vetëm disa Krahina kanë vëndosur në mënyrë autonome një tarifë, e Lombardia nuk ishte mes tyre. Të moshuarit emigrantë, praktikisht, nuk ishin të mbuluar nga ana shëndetësore. Ishte sentenca e dhjetorit ajo detyroi administratën të vihej në lëvizje.

E ky është vetëm një hap i parë, sepse Lombardia dhe të gjitha Krahinat duhet të përmirësojnë nivelin e asistencës shëndetësore që u ofrojnë shtetasve të huaj, duke iu përshtatur modelit më të mirë të praktikuar aty këtu në Itali. E parashikon këtë marrëveshja e arritur në dhjetor me qeverinë, që veç regjistrimit vullnetar të të moshuarve mbi 65 vjeç, parashikon edhe regjistrimin e detyrueshëm në SSN për fëmijët e emigrantëve të parregullt (që do të kenë kështu asistencën e pediatrit) dhe për ata që janë në pritje të lëshimit të lejes së parë të qëndrimit apo të përmbylljes së praktikës së sanatores.

Elvio Pasca

Shkarko qarkoren

Lexo edhe: Pa asnjë përjashtim. Mini-revolucioni i shërbimit shëndetësor për emigrantët

Memecja jonë…

Ndërron jetë Artan Meta. U rrah për vdekje nga një 18-vjeçar