in

Shengen. Do të rivendosen kontrollet në kufi në rast fluksesh të larta

Marrëveshje mes Ministrave të Brendshën të vendeve ku qarkullohet lirisht, secili shtet do të vendosë në mënyrë individuale. Malmstroem: “E zhgënjyer nga mungesa e ambicies europiane”

Romë, 8 qershor 2012 – Në rast fluksesh të pakontrolluara, secili shtet i  hapësirës Shengen mund të vendosë në mënyrë të pavarur  rivendosjen e kontrollit kufitar, pa kërkuar leje nga Komisioni Evropian.

Kjo është marrëveshja, e arritur unanimisht në  Luksemburg nga ministrat e brendshëm të zonës së lëvizjes së lirë. Sipas lajmeve paraprake të dhëna nga agjencia AFP, teksti parashikon që këto masa të mund të futen në fuqi “për një periudhë prej gjashtë muajsh, me mundësi zgjatjeje edhe gjashtë muaj të tjerë, nëse siguria e një kufiri të jashtëm nuk ishte më e garantuar për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme”.

Shtysën për një klauzolë anti-emigracion në Traktatin e Shengenit e dhanë kryesisht Gjermania dhe Franca. Ish-presidenti Sarkozy e kishte bërë atë një nga temat e tij kryesore gjatë fushatës zgjedhore, duke përfituar nga emergjenca e vitit të kaluar. Gjatë “pranverës arabe”, mijëra tunizianë mbërritën në Itali dhe më pas u drejtuan për në Francë.

Brukseli do të kishte dashur të mbante një kontroll evropian mbi pezullimin e lëvizjes së lirë. Pas kësaj marrëveshjeje të fundit, komisionerja evropiane për çështjet e brendshme Cecilia Malmstroem komentoi në  Twitter: “Jam e zhgënjyer nga mungesa e ambicies evropiane të shteteve anëtare” .

Nuk vonuan reagimet edhe në Itali. Sipas Andrea Sarubbi (PD) “Vendimi i ministrave të punëve të brendshme mbi zonën Shengen është një goditje e ëndrrës së De Gasperi-t.
Nuk pretendojmë nga qeveritë e Europës zellin të rinjve federalistë europianë që në vitin 1950 digjnin pasaportat e tyre në kufirin me Francën – vazhdon ai – por vendim unanim për të tradhtuar marrëveshjen e Shengenit, duke privuar nga autoriteti Parlamentin Evropian, na  duket vetëm një mënyrë për të rënduar akoma më shumë krizën regresive që po përjeton kontinenti i vjetër. “
“Po ta shohësh nga një pikëvështrim pragmatik – pohon Sarubbi – duket e pabesueshme që  Italia të ketë pranuar një marrëveshje që e izolon vendin tonë nga konteksti evropian pikërisht në periudhën më të vështirë në kufij”

“Bashkohem edhe unë me zhgënjimin e komisioneres Malstrom  – vazhdoi ai – pikërisht në këto çaste krize ka nevojë për “më shumë Europë”. Është e nevojshme të rigjejmë arsyet themelore e të “qenit së bashku”, të bazuara mbi shkëmbimet qytetare dhe ekonomike, mbi solidaritetin mes shteteve, mbi takimin mes njerëzve dhe përvojave, duke i dhënë më shumë forcë  përfaqësimit demokratik në projektin evropian “- përfundon Sarubbi.

Shqiptari i Italisë

 

Shpërthen banesa në Rocchetta, plagoset rëndë një shqiptar

Presidenti i ri. Dështon raundi i tretë i votimit nuk ka kandidat