in

Shënime rreth gjuhës së nënës

Nëse dikush më pyet se cila është gjuha ime amtare, unë përgjigjem “shqip”, por nuk është shumë e saktë, është dialekti gegnisht…
Sot jetoj dhe punoj në Itali dhe familja ime jeton gjithashtu në Itali, italishtja pra është “gjuha mbizotëruese”, çdo ditë flas dhe shkruaj kryesisht në italisht, përkthej në gjuhën letrare shqipe, e në shtëpi flas gegnisht. Në disa forume në internet unë shkruaj në shqip, në gjuhën letrare, por dhe në gegnisht, por nganjëherë edhe në anglisht, me të cilën komunikoj me kolegët e mi jashtë Italisë.
Nga Gino LUKA

Më 21 shkurt është Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare. Kjo është një ditë e shënuar që kremtohet çdo vit në të gjithë botën, për të nxitur ndërgjegjësimin e diversitetit gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë. E ka zanafillën në një lëvizje sociale që kishte qëllim mbrojtjen e të drejtës së çdo njeriu për të shkruar në gjuhën amtare. Në rezolutën e saj, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, e ka njohur zyrtarisht këtë festë duke caktuar vitin 2008 si Viti ndërkombëtar i gjuhëve.

Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare është festuar që nga viti 1999 për të promovuar paqen dhe shumëgjuhësinë. Kjo festë përkon me ditën kur studentët e Universitetit Dhaka, Universitetit Jagannath dhe Dhaka Medical College, në vitin 1952 duke demonstruar për njohjen e Bengalishtes si një nga dy gjuhët kombëtare të Pakistanit Lindor, u vranë brutalisht nga policia (atëherë nën qeverinë e Pakistanit) pranë Gjykatës së Lartë në Dhaka, në kryeqytetin e sotëm të Bangladeshit.

Shqipëria ka ratifikuar në vitin 2006 konventën e UNESCO-s “Për ruajtjen e diversitetit kulturor” dhe konventën “Për trashëgimi kulturore”. Aktualisht në listën kombëtare të “Kryeveprave të trashëgimisë kulturore shpirtërore” janë vënë si pasuri kulturore dialekti geg dhe ai tosk.

“Gjuhë amtare” është një term që përdoret në disa gjuhë romance e gjermane – lengua maternalingua madrelangue maternelle, Muttersprache, mother tongue (spanjishte, italishte, frëngjishte, gjermanishte, anglishte). “Gjuhë amtare” ose “gjuha e nënës” por edhe “gjuhë native” kanë të njëjtin kuptim dhe përdoren njësoj. Në linguistikë, termi “gjuhë nënë” zakonisht i referohet një gjuhe paraardhëse, shpesh një proto-gjuhe, nga e cila rrjedhin gjuhët e tjera.

Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare është një ditë e përshtatshme për të reflektuar mbi termin “gjuhë amtare” – por, në të vërtetë, çfarë kuptimi ka gjuha amtare, veçanërisht në qoftë se flasim më shumë se një gjuhë? Si duhet të përcaktohet ky term në përgjithësi dhe çfarë kuptimi të veçantë ka ai për ne? Kjo pyetje ka më shumë se një përgjigje…

Në Skandinavi përdoret një fjalë e urtë: “Një fëmijë i dashur ka shumë emra”, që është shumë e vërtetë për atë që është e që quhet përgjithësisht “gjuhë amtare”. Një nga përkufizimet është se ajo është “gjuha me të cilën një person është rritur duke e folur që nga fëmijëria e hershme”. Ky, në përgjithësi, është një shpjegim i mundshëm, por çfarë ndodh p.sh. në qoftë se fëmija zhvendoset në një vend ku flitet një gjuhë tjetër dhe harron gjuhën e fëmijërisë dhe mëson një gjuhë tjetër atje ku rritet – a ka mundësi në këtë rast që kjo gjuhë të jetë më pak “gjuhë amtare” se sa ajo e para? Po në qoftë se e kemi mësuar “gjuhën amtare” nga babai, atëherë a duhet ta quajmë atë “gjuhë atërore”?

Disa i kombinojnë të dy këto terma dhe e quajnë “gjuha prindërore”, por ky përkufizim nuk ka kuptim nëse prindërit flasin gjuhë të ndryshme. A ka mundësi që njëra nga gjuhët e prindërve të jetë më “prindërore” se tjetra? E njëjta gjë vlen edhe për rebusin e “gjuhës familjare”- në familjet shumëgjuhëshe, ku fliten shumë gjuhë në shtëpi.

“Gjuhë native”, (e mësuar qysh se lindim), është një përkufizim që ka lidhje me diçka që ka qenë me ne që kur kemi lindur. Çështja është e njëjtë si për “gjuhën amtare” – përkufizimi aplikohet për gjuhët që kemi mësuar në fëmijëri.  Në qoftë se nuk e flasim më gjuhën e fëmijërisë, ne humbasim statusin tonë si folës të gjuhës amtare. Duke studiuar shumë dhe nëpërmjet një ekspozimi të mjaftueshëm ndaj një gjuhe tjetër, mund të arrijmë një rrjedhshmëri të nivelit amtar në atë gjuhë, por a është e vërtetë se vetëm nëse mësojmë edhe një herë gjuhën tonë të fëmijërisë  mund të quhet se kemi përsëri një gjuhë amtare. A është e mundur kjo me të vërtetë?

Për “gjuhën mbizotëruese” mund të themi se është gjuha që zotërojmë më mirë dhe që, zakonisht, e përdorim gjatë jetës sonë të përditshme. Po për një person që flet normalisht dy gjuhë, a është ajo “gjuha jonë kryesore”? Përkufizimi mund të mos jetë i drejtë. Cilën gjuhë përdorim e në cilat situata (p.sh. në shtëpi, në punë, në kohën e lirë), kjo mund të përcaktojë nivelin e gjuhës për një fushë të caktuar të jetës sonë e do të thotë se gjuha mbizotëruese mund të ndryshojë në varësi të personave me të cilët flasim dhe në varësi të asaj që bëjmë.

Gjuhëtarët preferojnë termin “L1” për gjuhën mbizotëruese të dikujt, duke i shmangur termat që e përcaktojnë atë sipas kuptimit emocional.  Pra mund të përdorim kollaj variantin L1: “gjuhë e parë”, meqë ajo mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe nuk lidhet as me kohën se kur është mësuar e as me metodën se si kjo gjuhë është mësuar.  Në anglisht, përdoret një term tjetër që vlen të përmendet e që është “gjuha arteriale” si një alternativë për “gjuhën amtare” apo “gjuhën native” – Sepse disa gjuhë i kemi në “gjak” më shumë se disa të tjera.

Nuk është rasti këtu të flasim për “gjuhën njerkë” e cila është një gjuhë që jemi të detyruar ta flasim por që nuk na pëlqen dhe të cilën e flasim keq…

Pra, gjuha e parë ose gjuha kryesore (gjuha amtare, gjuha atërore, gjuha arteriale, ose L1) është një gjuhë që kemi mësuar që kur kemi lindur ose brenda periudhës kritike kur mendohet se mund të mësojmë më shpejt një gjuhë. Në qoftë se ka disa gjuhë L1 (gjuhë të para), emërtimi “gjuhë e parë” përdoret për atë gjuhë që flasim më mirë ose për atë me të cilën e ndjejmë veten se shprehemi më mirë sipas identitetit tonë e të grupit etnik në të cilin bëjmë pjesë. Në disa vende, gjuha amtare ose gjuha nënë është ajo e cila flitet në grupin etnik, e jo gjuha e parë. Fëmijët që rriten duke mësuar më shumë se një gjuhë mund të kenë më shumë se një gjuhë nënë: ata janë dygjuhësh ose shumëgjuhësh.

Është studiuar se një fëmijë dygjuhësh,  që i ka mësuar mirë ato dy gjuhë të paktën në nivel shkollor, mëson më kollaj një gjuhë të tretë. Pra është e rëndësishme, që prindërit dhe mësuesit të jenë të vetëdijshëm në lidhje me rolin që mund të luajë te fëmijët e imigrantëve mësimi i gjuhës amtare.

Gjuhët e mija

Çfarë mund të them për veten time?  Nëse dikush më pyet se cila është “gjuha ime amtare”, unë përgjigjem “shqip”. Por përgjigjja nuk është aq e qartë sa mund të duket: ajo nuk është gjuha shqipe që flitet në të gjithë Shqipërinë, është gegnisht. Nëna ime flet gegnisht, pra gegnishtja ishte dhe është padyshim, një nga gjuhët e mia të para dhe ka qenë për një kohë të gjatë gjuha ime më e afërt sipas aspektit emocional. Kur kam qenë fëmijë kam mësuar italisht dhe kam qenë në kontakt të ngushtë me familjet italo-shqiptare. Në atë kohë gjyshja më recitonte poezi në gegnisht:  Porsi kanga e zogut t’verës / qi vallzon n’blerim t’prillit / porsi i ambli fllad i erës / qi lmon gjit e drandofillit / porsi vala e bregut t’detit / porsi gjama e rrfes zhgjetare / porsi ushtima e nji termekut, njashtu a’ gjuha jonë shqyptare (Gj. Fishta); ndërsa në shkollë mësoja, në toskërisht: Gjuha jonë sa e mirë! / Sa e ëmbël, sa e gjerë / Sa e lehtë, sa e lirë / Sa e bukur, sa e vlerë! (N. Frashëri). Pastaj, gjyshja më recitonte në gjermanishte: Du bist mein, ich bin dein: / dessen sollst du gewiß sein. / Du bist verschlossen / in meinem Herzen: / verloren ist das Schlüsselein / du musst für immer drinnen sein

Në klasën e pestë kam mësuar rusisht, më vonë, meqë ndërrova shkollën, vazhdova të mësoj anglisht, derisa mbarova gjimnazin.

Gjuha dialektale (dialekt e gjuhë nuk kanë ndryshim sipas aspektit linguistik: gjuha njihet nga shteti e ka karakter zyrtar, ndërsa dialektit kjo e drejtë i mohohet) është ndoshta ajo që unë do ta quaja “gjuha ime arteriale”, sepse e kam brenda gjakut tim; aq shumë sa që edhe pse nuk e përdor në jetën time të përditshme, për më shumë se njëzetepesë vjet, kjo gjuhë është shumë afër zemrës sime. Nganjëherë unë shkruaj edhe në gegnisht. Sot, pas shumë vitesh, italishtja është gjuha ime e parë, ndërsa në universitet ishte anglishtja. Gjermanishtja ka qenë gjuhë e dytë (e sa më shumë kalon koha aq më pak jam në gjendje ta flas atë…). E njëjta gjë më ka ndodhur me frëngjishten që e pata studiuar në rininë e hershme por, duke mos e përdorur, dalëngadalë po e harroj (ndërsa atë pak hungarisht që mësova para disa vitesh tashmë e kam harruar pothuajse krejtësisht); mosushtrimi i gjuhës ka dëmtuar edhe latinishten që e pata studiuar porsa u regjistrova në universtitet.

Tani, unë jetoj dhe punoj në Itali dhe familja ime jeton gjithashtu në Itali, italishtja pra është “gjuha mbizotëruese”, çdo ditë flas dhe shkruaj kryesisht në italisht, përkthej në shqip, (në gjuhën letrare) e në shtëpi flas gegnisht. Në disa forume në internet unë shkruaj në shqip (në gjuhën letrare, por dhe në gegnisht) por nganjëherë edhe në anglisht (që është edhe gjuha me të cilën komunikoj me kolegët e mi jashtë Italisë).

Me pak fjalë këto janë “historitë e dashurive” me “gjuhët e mija”… Unë e ndiej veten shumë mirë dhe (disa më pak e disa më shumë) vazhdoj t’i dua të gjitha gjuhët…

Si përfundim, ju uroj të gjithëve: Gëzuar “Ditën ndërkombëtare të gjuhës amtare”!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Flasim albanese apo parliamo italisht?

Të miturit shqiptarë “të braktisur” në Itali. A shqetëson Shqipërinë kjo çështje?