in

Shenjtërimi i Nënë Terezës, në Shën Pjetër priten mbi 100 mijë besimtarë

Të dielën Papa Françesku do të drejtojë ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës nën masa të rrepta sigurie. Mobilizohen 3.000 agjentë për kontrollet e ruajtjen e rendit. 15 delegacione nga e gjithë bota, nga Shqipëria edhe presidenti Nishani

Romë, 3 shtator 2016 – Bëhet nesër në Shën Pjetër shenjtërimi i Nënë Terezës, një prej figurave ekleziastike më të famshme të shekullit XX, e njohur nga bota si murgesha e të vobektëve ndërsa ajo e quante veten “një laps në duart e Zotit”. Është edhe një nga ngjarjet më të shumëpritura të Jubileut të Mëshirës që do të mbledhë në sheshin Shën Pjetër 15 delegacione shtetërore. Veç përfaqësuesve fetarë, nga Shqipëria, do të bërrijë një delegacion i kryesuar nga presidenti Nishani do të përmbajë një pjesë të mirë të qeverisë si edhe shumë deputetë.

Greg Burke, shefi i Sallës së shtypit të Selisë së Shenjtë, pohoi dje se janë shpërndarë mbi 100 mijë bileta falas. Por këtyre do t’u shtohen të gjithë ata që do të ndjekin ceremoninë përtej sektorëve të mbyllur të sheshit (ku do të hyhet me biletë), në rrugën Conciliazione.

Në tetor 2003, për lumturimin e Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II, në Shën Pjetër erdhën rreth 300 mijë besimtarë, 27 delegacione të huaja e përfaqësues të feve të tjera.

Ceremonia do të ndiqet nesër me telekamera nga mbarë bota: do të jenë 600 gazetarët e akredituar e 125 kanalet që do ta transmetojnë.

Sheshi i blinduar

Për të siguruar mbarëvajtjen e ceremonisë, nga Kuestura e Romës bëjnë të ditur se rreth një mijë efektivë do t’u shtohen dy mijë të tjerëve që gjatë këtij viti jubilar çdo ditë vënë në jetë një plan mbikëqyrjeje dhe parandalimi në të gjithë territorin e kryeqytetit, duke filluar nga periferia. Për ceremoninë e nesërme, do të dalin në shesh edhe skuadrar e specializuara kundër terrorizmit të Policisë dhe Karabinierëve. Për më tepër, të dielën, nga ora 8 deri në 19, do të ndalohen fluturimet mbi Shën Pjetër dhe zona do të kontrollohet edhe nga Aeronautika Ushtarake. Nga mbrëmja e sotme, besimtarët që do të mbërrijnë në sheshin e Shën Pjetrit do ta gjejnë atë të ndarë në tri zona, e futja në secilën prej tyre do të bëhet pas një kontrolli të imtësishëm trupor e të bagazheve.

Projekti “Unë isha”

Për të parën herë do të vihet në jetë projekti “Unë isha”, që parashikon fotografim në cilësi shumë shumë të lartë të sheshit të Shën Pjetrit përmes të cilit do të mund të kalohet (duke zmadhuar imazhin) nga një pamje panoramike deri në fytyrat e çdo pjesëmarrësi. Çdokush i pranishëm mund të gjejë veten në këtë foto që do të mund të shihet prej të hënës në sitin kushtuar shenjtërimit e nënë Terezës.

 

 

Shtetësia italiane. “Fertility Day? Italia le të njohë njëherë bijtë që ka”

Nënë Tereza është Shenjte