Prej vitesh emigrantët mbetën “të harruarit e mëdhenj”, edhe pse askush nuk mund të mohojë rolin e jashtëzakonshëm, të pazëvendësueshëm që ka luajtur dhe luan diaspora shqiptare në të gjitha dimensionet jetësore, ndonëse perceptimi i parë reduktohet në kontributin ekonomiko-financiar.
Nga Petrit Kuçana, The albanian
“Shënomëni edhe mua”. Kaq dëshirore tingëllon kjo fjali e thjeshtë, sa duket si përbashkueshmëri e aspiratave të emigrantëve, së paku për t’i dhënë fund statusit të tyre si spektatorë të pandreqshëm.
Mbetet zhgënjim i radhës, (të paktën deri në këto momente) boshësia e marrëveshjes së cilësuar si historike mes dy liderëve kryesorë të klasës politike shqiptare. Nëse aty mund të ketë gjithçka, (akoma nuk ka një zbardhje të plotë) me patjetër duhet të gjendet (ose të jetë gjetur) metoda dhe mënyra e dhënies fund të linçimit të emigrantëve shqiptarë.
Kurrsesi nuk mund të konsiderohet e plotë çfarëdolloj marrëveshje pa elementin “e drejta e votës për emigrantët” brenda, pa rrugën e zgjedhjes së kësaj çështje, duke zbardhëlluar Shqipërinë si “delja e zezë” e rajonit që nuk ua mundëson emigrantëve të saj të drejtën e votës në vendet ku jetojnë.
Unë biri yt Shqipëri …Nuk mund të votoj!
Prej kaq vitesh nuk është gjetur asnjë shteg për emigrantët që të ushtrojnë të drejtën e votës, me përjashtim të atyre “shtegtarëve” afër Shqipërisë që u vihen mjetet e transportit në dispozicion, për tu rikthyer në folezat e vendlindjes dhe për të votuar siguruesit e transportit. Këtë fat nuk e kanë patur shtegtarët e largët, që thjesht konsiderohen si “të papërshtatshëm” për të “merituar” një shërbim të tillë.
Deri tani gjithçka ka mbetur në retorikën politike, e madje që stërpërsëritet si një kauzë që duhet zgjidhur. Në qeverisjen e fundit u gjet “arsyeja” se “emigrantët nuk na qenkërkan të regjistruar” duke justifikuar çdo premtim elektoral “të pamenduar mirë”.
Rezulton edhe një nismë parlamentare për regjistrimin e emigrantëve, por që rezulton e dështuar dhe duket se “ekspertët” nuk e kanë parë të arsyeshme të adoptojnë ndonjë prej praktikave të vendeve të tjera, qoftë edhe ato të rajonit, qoftë edhe të Kosovës, ku e drejta e votës së emigrantëve është e garantuar. Për t’i larë duart me ta, u organizua edhe Samiti i diasporës, që sot e kësaj dite nuk mund të gjesh një zyrtar të shtetit shqiptar (emigrant jo se jo), që mund të zbulojë një efekt pozitiv që pati ai samit, qoftë edhe një lehtësi apo nismë qeveritare për emigrantët.
Do të mjaftonte të kujtonim Rinasin, (e ta ripërsërisim derisa veshët e qeveritarëve të çdyllosen), si pikë lidhja kryeneçe mes shtetit amë dhe shtegtarëve, aq më tepër që pushimet verore ripërsërisin mallkimet për Rinasin dhe deri braktisjen e tij.
Me mijëra emigrantë përdorin aeroportet e vendeve fqinjë, Malit të Zi, Maqedonisë apo edhe Serbisë (AirSerbia përfshaqet triumfuese në Rinas për shtatë palë qejfe).
Mbetet i ububushëm fakti se në Shqipëri nuk ka në qoftë edhe një shoqatë që mbron të drejtat e emigrantëve, si ato shoqatat që mbrojnë të drejtat e kafshëve, etj etj. Fjala diskriminim ndaj emigrantëve shqiptarë, mbetet kaq e ndryshkur sa të paktën deri më sot nuk ka cenuar asnjë optikë të politikëbërësve shqiptarë.
Madje ka raste kur është kërkuar ndihma e shteteve të tjera, (ku emigrantët janë nënshtetas) për t’i mbrojtur ndaj shtetit amë, siç është rasti i shqiptarëve të Britanisë që kanë kërkuar ndihmën e Ambasadës dhe autoriteteve Britanike për të mbrojtur të drejtat e tyre, qoftë për të drejtën e votës apo së fundi për ligjin e makinave me krah të kundërt.
Kësaj tragji-komedie mund t’i shtohen me mijëra akte të riprodhuara ndër vite, por të gjithë e pranojnë se duhet t’u jepet fund. Prej vitesh emigrantët mbetën “të harruarit e mëdhenj”, dikur si mërgatë qyqesh e deri tek ditët e sotme ku të qenurit spektatorë të zhvillimeve politike mbetet status i pandryshueshëm. Por askush nuk mund të mohojë rolin e jashtëzakonshëm, të pazëvendësueshëm që ka luajtur dhe luan diaspora shqiptare, në të gjitha dimensionet jetësore, ndonëse perceptimi i parë reduktohet në kontributin ekonomiko-financiar.
Gjithsesi ka një fije shprese se edhe mund të bëhet diçka për ta, jo se emigrantët kanë ndonjë projekt për të lobuar apo për të ushtruar presion ndaj klasës politike në Shqipëri, por së paku nuk mund ta fajësojnë njëri-tjetrin si “pengesë” për këtë hap, që vërtet do të mund të quhet historik në politik-bërjen shqiptare.
Të paktën si vendet e rajonit, si Kosova…