Vjen Imu, taksa e re mbi shtëpinë, ndryshojnë pensionet dhe mbyllen disa institute sigurimesh shoqërore për kategori të caktuara punonjësish, shkurtohen disi kostot e politikës, taksohen disa të mira luksoze, dhe shuma të mëdha parash, rritet Iva, zvogëlohet taksa mbi fitimet për ndërmarrjet që punësojnë, liberalizohen disa produkte farmaceutike. Luftë ndaj evazionit, duke lejuar pagesën me para në dorë deri në maksimumi 1.000 euro, dhe në veçanti, “duke mos parashikuar asnjë lloj legalizimi” thotë kryeministri Monti. Risitë më të rëndësishme të dekretit
Romë, 6 dhjetor 2011 – “Po të doni, quajeni dekreti Salva Italia”. Kështu kryeministri dhe ministri i ekonomisë Mario Monti ka prezantuar manovrën e re ekonomike me të cilën qeveria do të përpiqet të vërë rregull në arkat e shtetit dhe të kthejë besimin e tregjeve ndërkombëtare tek Italia.
Manovra vlen 30 miliardë euro, 12 nga të cilët do të mbërrijnë nga shkurtimet e shpenzimeve publike, 18 nga taksa të reja, masa këto që duhet të marrin miratimin e parlamentit, që mund edhe t-i modifikojë.
Ja disa nga risitë më të rëndësishme
Edhe me këtë manovër vihet dorë mbi pensionet. E teksa prezanton, të dielën për gazetarët, shtrëngimet e kësaj pike të dekretit ndaj të cilës qytetarët janë shumë të ndjeshëm, ministrja e Punës, Elsa Fornero, emocionohet e përlotet, duke mos arritur të përfundojë pikërisht fjalën “sakrifica”. I vjen në ndihmë kryeministri Monti, që çon përpara shpjegimin e reformës së pensioneve për gazetarët. Nga 1 janari 2012, mosha minimale për të dalë në pension ngrihet në 66 vjeç për burrat dhe 62 vjeç për gratë. Mund të lënë punën edhe burrat që kanë derdhur kontribute për 42 vjet e një muaj apo gratë që kanë derdhur kontribute për 41 vjet e një muaj, opr nëse nuk kanë mbushur moshën minimale të pensionit do të penalizohen. Parashikohet gjithashtu që prej vitit 2012 të nxirret jashtë loje i ashtuquajturi “sistem retributiv” i pensionit, që nuk është tjetër veçse llogaritja e tij në bazë të rrogave të fundit të marra. Për të gjithë kalohet në “sistemin kontributiv”, sipas të cilit pensionet llogariten në bazë të kontributeve të derdhura . Së fundi parashikohet një kontribut solidariteti nga pensionet më të larta për ato më të ulëta dhe bllokimi për dy vjet i përshtatjeve të pensioneve me inflacionin (i ashtuquajturi indiçizim i pensioneve që nuk është tjetër veçse rritje e pensioneve me të njëjtën përqindje të rritjes së inflacionit), me përjashtim të atyre që nuk kapërcejnë dyfishin e çekut social, pra nën 936 euro. Një tjetër risi që ka të bëjë në njëfarë mënyre me pensionet është zhdukja e Inpdap (instituti kombëtar i sigurimeve për punonjësit e administratës publike) dhe Enpals (enti kombëtar i sigurimeve për punonjësit e spektaklit) dhe kompetencat e tyre i kalojnë INPS-it.
Masa që do të ketë ndoshta impaktin më të madh është rifutja në vitin 2012 të taksës mbi shtëpinë e parë, që ishte hequr nga qeveria Berlusconi. Nuk do të quhet ICI por IMU (imposta municipale unica) dhe do të jetë 0,4% e të ashtuquajturës “e ardhur kadastrale”, e rivlerësuar me 5% dhe e shumëzuar me 160 (në taksën e vjetër, ICI, shumëzimi bëhej me 100). Sidoqoftë parashikohet një zbritje nga taksat prej 200 eurosh: kështu, për shembull, nëse IMU do të jetë 300 euro , do të paguhet vetëm 100 euro. Për shtëpitë e tjera IMU do të jetë 0,76%. Sidoqoftë Komunat mund të rrisin apo të ulin vlerën IMU deri në 0,2% mbi shtëpinë e parë dhe 0,3% mbi të tjerat.
Nga 1 shtatori 2012 mund të ketë një rritje të re të IVA-s (tatimi mbi vlerën e shtuar) që godet drejtpërdrejt. Do të ngrihen me 2 pikë përqindjeje ato që sot janë, sipas llojit të mallit 10% dhe 21%. Ardhja në fuqi e kësaj mase nuk është automatike por do të ndodhë “vetëm nëse do të jetë e nevojshme” premton qeveria.
Do të godasin më të pasurit taksat e reja mbi disa mallra luksi si makinat e mëdha (me fuqi mbi 170 kuajfuqi), barka, helikopterë, apo edhe 1,5% mbi kapitalet e eksportuara në mënyrë ilegale jashtë dhe të risjella në Itali gjatë viteve të shkuara duke shfrytëzuar lehtësimet fiskale të parashikuara nga e ashtuquajtura “mburojë fiskale”. Të tjera para do të hyjnë në arkat e shtetit nga një tatim i ri që do të godasë aksionet, titujt e shtetit, obligacionet dhe produkte të tjera financiare, si sigurimet mbi jetën.
Për të luftuar evazionin fiskal dhe për t’i lejuar shtetit më shumë kontroll mbi kalimet e parave, ulet në 1.000 euro maksimumi i pagesave me të holla në dorë. Kjo dot sjellë rritjen e përdorimit të kartave të kreditit, të bankomateve dhe të xhirimeve bankare. Sipas kryeministrit, një tjetër sinjal i fortë i luftës kundër evazionit, është fakti që dekreti “”salva Italia” nuk parashikon asnjë sanatore, fiskale, ndërtimore apo të çdo lloji tjetër.
Për t’i dhënë një hov punësimit, parashikohen zbritje fiskale për ndërmarrjet që punësojnë, dhe taksa mbi aktivitetet produktive (IRAP) do të përdoret për të financuar ndërhyrjet në favor të grave dhe të të rinjve.
Masa të tjera favorizojnë konkurrencën, si për shembull dhënia liberalizimi i shitjes së barnave të tipit C (ato që kanë nevojë për recetë mjekësore por që nuk rimbursohen nga Shërbimi Shëndetësor Kombësor), pra i shitjes së tyre edhe në dyqane të ndryshme nga farmacitë.
Dekreti shkurton edhe kostot e politikës. E bën për shembull duke hequr disa ente të konsideruara të padobishme, duke shkurtuar numrin e anëtarëve të autoriteteve të ndryshme, duke reduktuar në maksimumi dhjetë numrin e këshilltarëve të Provincave, duke hequr rimbursimin për këshilltarët e lagjeve.
Vetë Mario Monti, jep një shembull të regjimit të kursimit: “U kërkojmë sakrifica qytetarëve, ndaj personalisht m’u duk me vend, si akt ndjeshmërie individuale, të heq dorë nga rroga si kryeministër e si ministër i Ekonomisë”. Dhe në parlament thotë me bindje. “Sakrifica për të gjithë, por Italia nuk do të falimentojë!”.
Elvio Pasca