in

Shpallja e pavarësisë në një kartolinë të vitit 1913

Për studiuesin Shaska, kartolina e rrallë në të cilën fiksohet momenti kur Ismail Qemali, është prodhuar në vitin 1913. “Është kartolina e parë e botuar pas Shpalljes së Pavarësisë. Ka si përmbajtje një pikturë domethënëse, të jashtëzakonshme nga vlerat, me një autor që nuk është zbuluar asnjëherë”

Fotoja që shoqëron këtë shkrim, është e rrallë dhe, ndoshta e pabotuar më parë. Është një pikturë, e shndërruar më pas në një kartolinë, në të cilën fiksohet momenti kur Ismail Qemali, nga ballkoni i sarajeve të Vlorajve, njofton popullin për shpalljen e mëvetësisë së Shqipërisë dhe ngre flamurin.

Nuk dihet kush është autori i kësaj pikture, por ajo që është thelbësore lidhet me faktin se ky punim është i pari dhe i vetmi që fikson momentin e ngritjes së Flamurit në 28 Nëntor të vitit 1912. Kjo edhe për faktin se, fotoja zyrtare e ngritjes së Flamurit, është realizuar vetëm një vit më pas në ballkonin e godinës-seli të Qeverisë së Pavarësisë, atje ku sot është Muzeu që evokon këtë ngjarje madhore në historinë e vendit dhe të gjithë shqiptarëve. Në këtë këndvështrim, sipas studiuesit Fahri Shaska, kjo pikturë ka vlera të jashtëzakonshme.

Në këtë pikturë Ismail Qemali është fiksuar në ballkonin e shtëpisë ku u ngrit Flamuri, mes përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve fetare, ndërkohë që i drejtohet popullit në shesh, duke përshëndetur.

Në njërën dorë mban letrën me fjalimin e përgatitur me këtë rast dhe me tjetrën, duke qenë i përkulur, ai u drejtohet të pranishmëve në shesh. Ndërsa flamuri Kuqezi mbulon një pjesë të ballkonit dhe të vetë protagonistëve të këtij çasti të jashtëzakonshëm. Studiuesi, Fahri Shaska, që e bën publike këtë foto-kartolinë, përmes ATSh-së, thotë se ajo është prodhuar në vitin 1913. “Është kartolina e parë e botuar pas Shpalljes së Pavarësisë, duke pasur si përmbajtje një pikturë domethënëse, të jashtëzakonshme nga vlerat, me një autor që nuk është zbuluar asnjëherë”, shprehet Shaska. Ai tregon se, kjo kartolinë i është dhuruar atij nga arkiva personale e Faik Kreshpës, djaloshit telegrafist që njoftoi ndërkombëtarët për Aktin e Shpalljes së Pavarësisë, me të cilin ka lidhje të afërta familjare.

Kreshpa, një nga protagonistët e Pavarësisë, i cili mori tekstin e njoftimit të saj nga Ismail Qemali dhe ia përcolli botës mbarë, mësohet të ketë pasur një arkiv të pasur, ku përfshihej edhe kartolina e parë e pas Shpalljes së Pavarësisë. Ajo vjen sot, për herë të parë për publikun (Shaska thotë se nuk është botuar asnjëherë), duke fiksuar momentin më madhor në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, atë të Pavarësisë në 28 Nëntor të vitit 1912.

Godina ku u zhvillua Kuvendi Kombëtar, ishte një nga dy sarajet e familjes së njohur të Vlorajve, pinjoll i së cilës ishte edhe patrioti Ismail Qemali. Këto saraje, të përbëra nga dy godina madhështore, pronë e Xhemil Beut, kushëri i parë i Ismail Qemalit, ndodheshin në vendin ku sot është Sheshi i Flamurit, ose më saktë në pjesën ku ngrihet Monumenti i Pavarësisë dhe ku shtrihet Lulishtja e madhe.

Kuvendi u mblodh në pjesën e sarajeve, që emërtohej ndryshe “selamllëku”, që ishte edhe godina më e madhe që sot përkon me pozicionin karshi hotel Sazanit. Sipas historianit Bardhosh Gaçe, ngritja e flamurit u realizua në dy kohë; fillimisht në ballkonin e katit të dytë, që ishte njëkohësisht edhe hyrja për në godinë dhe, më pas, në një nga dritaret e të njëjtit kat. Madje, kjo dritare përkon me vendin ku sot ndodhet Shtiza e Flamurit.

Nga ky akt, nuk pati fotografi, sepse mungonin fotografët e kohës. Por, fotoja që përjetëson ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali, në ballkon, u realizua një viti më pas, në 28 nëntor të vitit 1913, në godinën ku u vendos Qeveria e Përkohshme, në skelë, aty ku ndodhet sot, Muzeu i Pavarësisë. Kjo foto, u realizua nga Marubi i famshëm i Shkodrës. Sarajet e Vlorajve, kanë ekzistuar deri në vitin 1925, kur ato u prishën, për t’ja lënë vendin ndërtimit të Lulishtes së Madhe, në Sheshin e Flamurit. Pinjollët e familjes së famshme, u zhvendosën në godina të tjera. (sipas ATSh)

Shqipëria në Festë – Kalendari i veprimtarive në 100 vjetorin e Pavarësisë

Cittadinanza. PD: “Chi nasce e studia qui è italiano”