in

Shpërthen fabrika e fishekzjarrëve. Edhe shqiptari Sajmir Merja mes viktimave

Aksidenti i rëndë në fabrikën e fishekzjarrëve në Modugno i merr jetën shtatë punonjësve. Disa të tjerë në gjendje të rëndë në spital 

Romë, 25 korrik 2015 – Një shpërthim në një furgon që do të transportonte fishekzjarrë e më pas shpërthime zinxhir për rreth një orë në të gjithë fabrikën kanë shkaktuar flakë të larta e tym të zi që shiheshin që larg. Por që, mbi të gjitha, mori jetë njerëzish e plagosi rëndë disa të tjerë.

Është ajo që ndodhi nga ora 12:24 e të premtes (24 korrik) në Modugno të Barit në fabrikën e fishekzjarrëve Bruscella Fireworks.

Sajmir Merja. Foto nga Facebook

Lajmet më të fundit flasin për shtatë punonjës të vdekur e dhjetë të plagosur, disa rëndë. Mes viktimave është edhe 28-vjeçari shqiptar Sajmir Merja, për kolegët Mimmo. Gjashtë të tjerët janë Vincenzo Armenise, 39 vjeç, Giuseppe Pellegrino, 40, Vincenzo De Chirico, indianët Banga Harbaajan, 41 vjeç e Nigah Kumar 29, dhe Michele Pelicani që vdiq në mbrëmje në repartin e Reanimacionit të Poliklinikës së Barit.

Mes të plagosurve të shtruar në spital, gjendet edhe një prej pronarëve të fabrikës, Michele Bruscella, 43 vjeç që ka djegie në 85% të trupit. Edhe dy vëllezër të tij, bashkëpronarë të ndërmarrjes, ishin aty kur ndodhi shpërthimi por fatmirësisht, njëri nuk ka pësuar asgjë, tjetri ka marrë plagë të lehta. Edhe një motër e tyre, që punonte aty, nuk ka pësuar gjë, por një prej viktimave është i shoqi i saj që ndodhej aty rastësisht.

Shpërthimet kanë qenë aq të fuqishme sa zhurma e tyre është ndier edhe në fshatrat përreth. Fabrika është shkatërruar plotësisht dhe u deshën orë që të nxirreshin trupat e karbonizuar.

Në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit, policia, karabinierët, personel i ndihmës së shpejtë të spitaleve dhe i Mbrojtjes civile. Kanë mbërritur menjëherë edhe autoritetet lokale, nga kryetari i komunës së Modugnos, Nicola Magrone, dhe kryebashkiaku i Barit, Antonio Decaro, te guvernatori i Puglies, Michele Emiliano.

Politikanët e sindikatat kanë shprehur ngushëllime e dhimbje për tragjedinë. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, shpreh “dhimbjen e thellë” për viktimat dhe shpreson që “të zbardhet sa më shpejt dinamika e kësaj fatkeqësie”. Por deri tani, akoma nuk është e qartë se ç’mund të ketë qenë shkaku i shpërthimeve.

Fabrika Bruscella Fireworks, ndërmarrje familjare, e trashëguar prej disa brezash, është shumë e njohur pasi furnizon me fishekzjarrë për festat në mbarë Italinë. Kjo e këtyre orëve është fatkeqësia e dytë që ndodh në fabrikë: në vitin 1959 ajo u ringrit nga e para pas një shpërthimi të ngjashëm, në të cilin humbën jetën nëntë persona. 

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Shtetësia italiane. Reforma shkon përpara. “Të mërkurën teksti i unifikuar”

Dhjetë arsye për të vizituar Shqipërinë, “perlën e Mesdheut”